Vendimi i plotë i Kushtetueses që gjunjëzon ushtarakët

291
Ja vendimi i Gjykatës Kushtetuese që “shkatërron” ushtarakët në pension
Brenda pak ditëve, ushtarakët pritet të vendosin për rrugën që do të ndjekin. Shpresojnë të sensibilizojnë çdo person që preket, për t’iu drejtuar Strasburgut
Gazeta “Telegraf” ka siguruar të plotë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, marrë në unanimitet të plotë, kundër ish-ushtarakëve. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë çmuar se Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë, nuk është objekt i ankimimit të personave që preken prej tij. Pra për Kushtetuesen, shoqatat e ish-ushtarakëve, edhe pse preken nga vendimi unifikues, nuk kanë të drejtë ta ankimojnë atë. Por kjo e drejtë i është hequr edhe personit, që u përdor si shembull nga Gjykata e Lartë. Ish-ushtarakët janë shprehur tepër të revoltuar për këtë vendim. 

Sipas tyre, vendimi prek një numër të madh ushtarakësh, ndërsa i hap rrugën sigurimeve shoqërore, që të padisin atë pjesë të ushtarakëve që kanë marrë paratë tre ose katër vite më parë. Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Thoma Konduri, bën përgjegjës për këtë situatë qeverinë. Sipas tij, asnjë qeveri nuk e ka mbështetur ushtarakun, duke shtuar se ky ishte “grusht i rëndë” për ta. Me mijëra ushtarakë, janë aktualisht në proces gjyqësor. Ushtarakët e “dëmtuar”, pritet që të mblidhen, për të diskutuar e vendosur lidhur me rrugën që do të ndjekin në vazhdim. Një shpresë ata e kanë tek Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Por për të arritur aty, çdo ushtarak duhet të bëjë kërkesë individuale. 

VENDIM
“NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
GJYKATA KUSHTETUESE,
Pasi dëgjoi relatorin e çështjes Fatos Lulo, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkueseve, që kërkuan pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjektit të interesuar, Përparim Zano, që kërkoi pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjektit të interesuar, Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), që kërkoi rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,

VËREN: I
1- Nga dokumentet që shoqërojnë kërkesën rezulton, se subjekti i interesuar Përparim Zano ka shërbyer në Forcat e Armatosura deri në daljen e tij në rezervë. Pasi ka përfituar për dy vjet pagën kalimtare, kërkuesi i është drejtuar Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) Durrës për dhënien e pensionit të parakohshëm. Duke mos qenë dakord me llogaritjen e masës së pensionit, subjekti i interesuar i është drejtuar me kërkesëpadi gjykatës.

2- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.2514 (11-2013-5458), datë 04.11.2013, ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë. Detyrimin e palës së paditur të anulojë vendimin nr.25, datë 30.04.2007 lidhur me masën e pensionit, duke e rillogaritur atë në bazë të ligjit nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar. Për 26 vite shërbimi, pagë referuese 46.860 lekë, për 15 vite + (25-25) x 2% = 22%. Pagë referuese 46.860 * 22% = 33.739 lekë, 
/ duke u aplikuar masa jo më e madhe se katërfishi i pensionit bazë, si dhe indeksimet sipas VKM-
së. Detyrimin e palës së paditur t’i kthejë diferencën e krijuar për periudhën 01.09.2006 – 30.06.2009 me masën 583.838 lekë, diferencë kjo e krijuar nga pensioni i dhënë nga pala e paditur me pensionin që i takon sipas ligjit. Pushimin e gjykimit për kërkimet e tjera që i përkasin periudhës nga data 01.07.2009 e në vazhdim. “.

3. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 10-2014-879 (559), datë 14.04.2014, ka vendosur mos kompetencën e Gjykatës së Apelit Durrës për shqyrtimin e çështjes dhe dërgimin e saj Gjykatës Administrative të Apelit.
4. Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr.1784, datë 14.05.2014, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.2514 (11-2013-5458), datë 04.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
5. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin unifikues nr.3, datë 24.11.2016, kanë vendosur: “Prishjen e vendimit nr.1784, datë 14.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues. “.
II
6. Kërkueset, Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese në datën 12.05.2017 për shfuqizimin e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, duke parashtruar në mënyrë të përmbledhur si vijon:
6.1. Gjykata e Lartë ka cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi ka vendosur me nismën e saj të shfuqizojë ligje. Gjykata e Lartë ka vepruar tej kompetencave të veta, duke përcaktuar se cilat ligje duhet të zbatohen dhe cilat jo, madje i ka dhënë fuqi juridike dhe një ligji të shfuqizuar nga ligjvënësi.
6.2. Gjykata e Lartë ka shkelur nenet 124 e vijues të Kushtetutës, pasi nuk ka bërë unifikim të praktikës gjyqësore, për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjit, por ka bërë vlerësim kushtetues të ligjit.
6.3. Gjykata e Lartë i ka dhënë fuqi prapavepruese vendimit nr.2/2013 t.ë Gjykatës Kushtetuese për periudhën që ka ekzistuar. 
6.4. Gjykata e Lartë ka cenuar parimin e sigurisë juridike, pasi ka cenuar të drejtat e ish-ushtarakëve të fituara dhe garantuara nga ligji, kohë përpara se të merrej ky vendim, duke vendosur që të kthehen përfitime financiare të fituara me ligj dhe me vendime gjyqësore.
6.5. Gjykata e Lartë ka shkelur parimin e hierarkisë së akteve normative dhe nuk ka vendosur në bazë të situatës ligj ore e faktike të aplikueshme në kohën e lindjes të së drejtës të pensioneve të parakohshme.
6.6. Gjykata e Lartë ka cenuar të drejtën e aksesit, pasi është mjaftuar vetëm me njoftimin e datës së seancës avokatit dhe jo palës paditëse, si dhe e ka zhvilluar procesin gjyqësor pa praninë e saj.
6.7. Gjykata e Lartë ka shkelur të drejtën për një proces të rregullt ligjor për shkak të mos shqyrtimit të çështjes brenda një afati të arsyeshëm.
7. Subjekti i interesuar Përparim Zano pretendon se kërkesa e paraqitur nga kërkueset, është e bazuar dhe duhet pranuar për arsyet e mëposhtme:

7.1. Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë ka cenuar parimin e sigurisë juridike,

pasi i ka dhënë fuqi prapavepruese nenit 29 të ligjit nr. 10142/2009, në kundërshtim me interpretimin e bërë nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.33, datë 24.06,2010. Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se rillogaritja e të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve.

8. Subjekti i interesuar ISSH-ja pretendon se kërkesa nuk përmban asnjë element të cenimit të së drejtës kushtetuese për proces të rregullt ligjor, duke parashtruar si vijon:

8.1. Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë ka unifikuar qëndrimet e ndryshme të

gjykatave në lidhje me caktimin e masës së përfitimit të pensioneve suplementare, masë e cila në shumë raste, si rezultat i qëndrimeve të ndryshme gjyqësore, kapërcente edhe pagën që kishte ushtaraku kur qe aktiv. 
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për kërkesën për pezullimin e vendimit 
9. Kërkueset kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të vendimit unifikues, pasi ekzekutimi i tij do të sjellë pasoja të rënda dhe të pariparueshme për një shtresë shumë të gjerë sociale, siç janë ushtarakët.
10. Gjykata, pasi mori paraprakisht në shqyrtim kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit unifikues, vlerësoi se ajo nuk i plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Për rrjedhojë, ajo vendosi rrëzimin e kësaj kërkese si të pabazuar.
B. Për legjitimimin e kërkueseve
11. Gjykata, referuar kërkesës së paraqitur nga kërkueset, vëren se ato i janë drejtuar asaj në bazë të nenit 131/1/f të Kushtetutës. Sipas tyre, pavarësisht faktit se kërkesëpadinë për këtë çështje e ka paraqitur në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm subjekti i interesuar Përparim Zano, në bazë të nenit 49/3, shkronjat “d” dhe “e” të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të
ndryshuar, ato legjitimohen për pretendimet e tyre para Gjykatës Kushtetuese.
12. Gjykata ka theksuar në jurisprudencën e saj se personat juridikë mund të jenë subjekt i të drejtave dhe lirive kushtetuese në nivel të kufizuar “për aq sa përputhen me qëllimet e përgjithshme të këtyre personave dhe me thelbin e këtyre të drejtave, lirive dhe detyrimeve”, në kuptim të nenit 16/2 të Kushtetutës (shih vendimin nr. 03, datë 20.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese). Sipas nenit 131/1/f të Kushtetutës, Gjykata vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individit për shkeljen e së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi ai të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e kësaj të drejte. Gjykata ka theksuar se juridiksioni kushtetues për shkeljen e së drejtës themelore për një proces të rregullt bëhet i mundur kur kërkuesi shteron mjetet e ankimit pranë gjykatave të sistemit gjyqësor, çka nënkupton se kërkuesi duhet t’i shfrytëzojë, në shkallët e sistemit gjyqësor, të gjitha mjetet e lejueshme dhe mundësitë procedurale për vendosjen në vend të së drejtës të pretenduar. Mjetet ligjore konsiderohen të shteruara kur, në varësi të rrethanave të çështjes, rregullat procedurale nuk parashikojnë mjete të tjera ankimi (shih vendimin nr. 28, datë 30.03.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
13. Neni 131/1/f i Kushtetutës pasqyrohet edhe në përmbajtjen e nenit 49/3, shkronja “e”, të ligjit organik të Gjykatës. Në kuptim të këtyre dispozitave, Gjykata vëren se kërkueset nuk legjitimohen t’i drejtohen asaj për kundërshtimin e vendimit unifikues nr.3, datë 24.11.2016
të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Referuar rrethanave të çështjes konkrete, Gjykata konstaton se procesi gjyqësor është iniciuar nga subjekti i interesuar Përparim Zano kundër të paditurve DRSSH-ja, Durrës dhe ISSH-ja, Tiranë. Pra, në këtë proces gjyqësor kërkueset nuk kanë qenë palë në gjykim, për rrjedhojë, në kuptim të ankimit kushtetues individual, të drejtën e ankimit për vendimin e kundërshtuar para kësaj Gjykate e kanë vetëm subjektet që kanë qenë palë në proces.

14. Gjykata vëren, gjithashtu, se kërkueset kanë pretenduar se ato legjitimohen edhe në kuptim të nenit 49/3, shkronja “d’5 të ligjit organik, i cili parashikon organizatat si një ndër subjektet që mund të vënë në lëvizje Gjykatën për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit ose aktit normativ, në rast se provojnë se akti i kundërshtuar cenon veprimtarinë, të drejtat dhe liritë e anëtarëve të tyre.

15. Neni 131/1/c i Kushtetutës parashikon kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për kontrollin e pajtueshmërisë së normës ligjore me Kushtetutën. Po ashtu, neni 116 i Kushtetutës ka përcaktuar se cilat janë aktet normative të cilat kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që mund të bëhen objekt shqyrtimi në këtë Gjykatë.
16. Duke pasur parasysh se objekti dhe shkaqet e kërkesës mbi të cilat ngrihet çështja e kushtetutshmërisë përbëjnë thelbin e gjykimit kushtetues, Gjykata vëren se kërkueset kanë kundërshtuar vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, i cili ka unifikuar praktikën gjyqësore në lidhje me mënyrën se si do të zbatohen dispozitat e ligjit nr. 10142 për llogaritjen e masës së pensionit të parakohshëm për disa ‘kategori funksionesh. Në kushtet kur vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nuk përfshihet në kategorinë e akteve normative që parashikon neni 116 i Kushtetutës, në jurisprudencën e saj Gjykata, në raste të tilla, ka vlerësuar se objekt i kërkesës, sipas nenit 131/1/a të Kushtetutës, mund të jetë dispozita. Në rastin konkret, për sa kohë që kërkueset nuk kanë arritur të plotësojnë kërkesat për legjitimimin e tyre, vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nuk mund të bëhet objekt shqyrtimi në këtë Gjykatë.

17. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se për mënyrën se si është paraqitur kjo çështje para saj, kërkueset nuk legjitimohen në kuptim të neneve 131/1, shkronjat “a” dhe “f’ të Kushtetutës.

PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/1/f dhe 134/2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për 
organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

V E N D O S I:
Rrëzimin e kërkesës.
_ Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur më 17.11.2017 

A N Ë T A R
ANËTARE
/Fatmir Hoxha/ (d.v.)
/Vitore Tusha/ (d.v)
KRYETAR /Bashkim Dedja/ (d.v) 
ANËTAR
ANËTAR
A N Ë T A R 
/Besnik Imeraj/ (d.v)
/Gani Dizdari/ (d.v)
/Fatos Lulo/ (d.v) -» 
Vërtetohet njësia me origjinalin
SEKRETAR I PËRG JITHSHËM