Vendimi i Nikollës: Ndryshojnë kriteret e njësimit të dëftesave e diplomave. Dokumentet dhe tabela e konvertimit të notave

3478
Ndryshojnë kriteret e procedurat për njësimin e dëftesave e diplomave
Ministria e Arsimit firmos udhëzimin. Dokumentet që duhen dorëzuar, afatet dhe tabela e konvertimit të notave
Ministria e Arsimit vendosi të ndryshojë kriteret dhe procedurat për njësimin e dëftesave dhe diplomave të nxënësve të arsimit parauniversitar të ardhur nga jashtë vendit. Ministrja Lindita Nikolla ka firmosur një udhëzim të posaçëm për njëvlershmërinë e dëftesave dhe diplomave, duke publikuar edhe tabelën përkatëse të konvertimit të notave. Në ndryshimet e udhëzimit përcaktohet se dokumentet, që paraqiten pranë Drejtorive Arsimore për njëvlershmërinë, do të jenë jenë: a) Kërkesë për njëvlershmërinë dhe deklaratë me shkrim e prindit; b) Dokumentet e vijueshmërisë së klasës, të përkthyera dhe të noterizuara, të pajisura me vulë apostile të shtetit nga vijnë. Në të njëjtën kohë, udhëzimi bën një ndryshim tërësor të kritereve e procedurave për njëvlershmërinë e diplomave të arsimit të mesëm të lartë. “Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) kryen procedurat e njëvlershmërisë së dëftesave /diplomave të arsimit të mesëm të lartë për nxënësit e ardhur nga jashtë vendit, për vijimin e studimeve në arsimin e lartë dhe për punësimin. Njëvlershmëria e dokumentacionit, për nxënësit e ardhur nga jashtë vendit që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë (IAL) në Republikën e Shqipërisë dhe atyre për punësim bëhet gjatë gjithë vitit”, thekson udhëzimi. Sipas dokumentit të firmosur nga Nikolla, “njëvlershmëria e dëftesave/diplomave të arsimit të mesëm të lartë për nxënësit e ardhur nga jashtë vendit, për Maturën Shtetërore dhe për punësimin realizohet nga Komisioni i Posaçëm, i ngritur në Qendrën e Shërbimeve Arsimore”. Ndërkohë, nxënësit e ardhur nga jashtë vendit, të cilët duan të vijojnë studimet në IAL-të në vendin tonë, duhet të dërgojnë përmes shërbimit postar ose të dorëzojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dokumentet: a) Formulari i aplikimit (aplikanti mund ta shkarkojë on-line); b) Diplomë dhe dëftesat me listë notash e të gjitha viteve të shkollimit, të përkthyera nga një përkthyes i licencuar dhe të noterizuara, të pajisura me vule apostile të shtetit nga vijnë. “Dokumentacioni për njëvlershmërinë për punësim në Republikën e Shqipërisë dërgohet përmes shërbimit postar ose dorëzohet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, nga aplikanti ose nga institucioni i interesuar punëdhënës. Dokumentet për njëvlershmërinë për punësim janë: a) Formulari i aplikimit për njëvlershmëri (aplikanti mund ta shkarkojë on-line); b) Kopja e përkthyer dhe e noterizuar e diplomës, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit, i pajisur me vulë apostile”, thekson udhëzimi. Dokumentet e dorëzuara për njëvlershmëri shqyrtohen nga Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm, që paraqet për vendimmarrje në Komisionin e Posaçëm vetëm dokumentet/aplikimet për njëvlershmëri, që rezultojnë të plotësuara sipas kërkesave të përcaktuara. Kur Sekretariati vëren mangësi në dokumente/aplikim, i kthen përgjigje me shkrim aplikantit, duke specifikuar arsyet pse nuk i njëvlerësohet dokumenti i shkollimit. 

Ndjekja e arsimit të lartë
Komisioni i Posaçëm, për nxënësin e ardhur nga jashtë vendit që do të ndjekë studimet në institucionet e arsimit të lartë (IAL) në Shqipërisë, brenda 5 ditëve shqyrton dhe harton dokumentin e njëvlershmërisë, për nxënësin, në të cilin përcaktohen: a) Indeksi i shkollës së kryer; b) Nota mesatare për të gjitha vitet e arsimit të mesëm të lartë; c) Notat e njëvlerësuara me provimet e Maturës Shtetërore në Republikën e Shqipërisë; d) Nota mesatare e përgjithshme, e njëvlerësuar. “Komisioni i Posaçëm njëvlerëson lëndën, e cila përcakton njohuritë gjuhësore dhe letrare të shtetit nga vjen nxënësi, me lëndën/lëndët “Gjuhë shqipe dhe letërsi”. QSHA-ja, mbështetur në vendimin e Komisionit të Posaçëm, pajis nxënësin e ardhur nga jashtë vendit me dokumentin e njëvlershmërisë. Ky dokument miratohet /nënshkruhet nga drejtuesi i QSHA-së dhe lëshohet në dy kopje origjinale”, përcakton udhëzimi.
Shënime dhe shembuj
1 – Konvertimi i notave bëhet në mënyrë të përshkallëzuar, duke krahasuar sistemimin e vlerësimit në shtetin që ka lëshuar dokumentin shkollor me sistemin e vlerësimit në Shqipëri.

2 – Shembull ilustrues 1: nëse në dokumentin shkollor të lëshuar në Francë vlerësimi në një lëndë është 15.00, nota sipas sistemit tonë del 8.50; nëse nota nga Franca do të ishte 14.75, nota sipas sistemit tonë do të jetë 8.37.

3 – Shembull ilustrues 2: nota 4 e Kosovës, sipas sistemit tonë del 8.00; nota 4.7, po e Kosovës, sipas sistemit tonë del 9.40.

4 – Për shtete të tjera që nuk pasqyrohen në këtë tabelë, konvertimi bëhet me sistemin më të përafërt, duke shkarkuar sistemin e vlerësimit të shtetit përkatës nga faqet zyrtare në internet.


Sigal