VENDIMI I KUSHTETUESES, MALLKIM NDAJ USHTARAKËVE NË REZERVE

597
Qazim SELIMAJ
Oficer në rezervë

Fuqia e dështimit duhet të mundet nga fuqia e ndryshimit
Në këtë vend më shumë se çdo gjë tjetër, dështimi e ka aftësinë të grumbullojë rreth vetes fuqi për të mundur ndryshimin. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk njihet dorëheqja si sjellje qytetare, civile e demokratike. E thënë më troç, ne marshojmë krenarë nga dështimi në dështim, duke e propaganduar si ndryshim dhe zhvillim. Bartësit e kryesorë të këtij mentaliteti janë të dështuarit kronikë, të cilët edhe kur detyrohen të pranojnë dështimin gjithnjë shkakun e gjejnë jashtë vetes së tyre, tek miku, kundërshtari apo armiku. 

Joshja pas dështimit, e kthyer në mallkim ndaj ushtarakëve në rezervë.
Ushtaraket në rezervë, në pension dhe të liruar janë një ndër komunitetet më të keqtrajtuar në këtë vend. Të ndarë dhe të copëtuar në disa shoqata janë rrekur të gjejnë zgjidhje për problemet që i kanë shoqëruar përgjatë gjithë këtij tranzicioni të vështirë demokratik. Por në fund të ditës gjithherë e kanë gjetur veten të shmangur, të përbuzur, të paragjykuar dhe të dështuar. Bilanci i asaj që kanë bërë dhe fituar në rrafsh shoqëror dhe individual në këtë çerek shekulli është pothuajse i barabartë me zero. Të gjitha betejat e zhvilluara individualisht dhe kolektivisht me institucionet shtetërore, ligjvënëse dhe të drejtësisë pothuajse i kanë humbur. Dhe në këtë betejë ata që e kanë pësuar edhe pse më meritorët janë korpusi i oficerëve në rezervë dhe pension. Ky grupim social e shoqëror është i munguari i madh i reformimit, vetorganizmit dhe hartimit të strategjive funksionuese dhe veprimeve praktike demokratike në interes, jo vetëm të komunitetit, por të gjithë shoqërisë. Ai ka shfaqur dhe po shfaq mangësi në rrafshin konceptual të përditësohet me sistemin kapitalist. Koha po tregon se e ka të vështirë ta kuptojë, se jetojmë në një sistem ku treni lëviz me shpejtësi dhe, nëse nuk e kap momentin për t’u atashuar në bordin e tij, thjesht mbetesh në stacion. Para pak ditësh Gjykata Kushtetuese me një vendim “ekstra ligjor” u dha fund andrallave të ushtarakëve në rezervë dhe pritmërisë për zgjidhjen e problemeve të tyre nëpërmjet një sistemi drejtësie të reformuar. Vendimi unifikues i kolegjeve të bashkuara i Gjykatës së Lartë dhe legjitimimi i tij nga Gjykata Kushtetuese ishin akte përfundimtare dhe shteruese në nivel të gjygjësisë në Republikën e Shqipërisë. 

Prej këndej dy kanë mbetur rrugët e ngushta nga ku mund të lëvizet 
E para, është ndërhyrja me një ligj të ri tërësor duke e afruar në pikëpamje të teknikës legjislative dhe standardeve demokratike me ligjet homologe të vendeve demokratike. Por kjo vështirë se mund të ndodhë. Pengesat kryesore për ta realizuar janë, jo vetëm mungesa e vullnetit politik të shumicës qeverisëse, por edhe vetë shoqatat e ushtarakëve, (hibride – ushtarake në rezervë + pensionistë) të cilat me sjelljen e tyre janë shndërruar në objekt duke humbur çdo elemente subjektiviteti. Mos u habisni kur në prag të fushatës elektorale për nevoja të pastra elektorale qeveria do të na “falë” diçka nga ato që na ka “vjedhur” me ligj e “demoktratikisht”. E atëherë do të gjenden “militantët e partisë” nga radhët e këtij grupimi social, të cilët për nevoja ditore, personale, ideologjike e krahinore do të shpejtojnë të jargaviten duke i thurur ditirambe udhëheqësit të madh.

E dyta, mbetet atakimi me padi në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo për vite të tëra nuk u bë edhe pse dy shoqatat kryesore publikisht kishin deklaruar se e kishin bërë. Dyshimi se mund të marshojmë drejt dështimit edhe në këtë proces drejtësie është real. Sepse përveç vullnetit, duhet dije mbi rregullimet dhe rregullat ligjore e procedurale të kësaj gjykate. Por nuk është vetëm kjo, humbja në gjykatat sipërore shqiptare (ku lule mbi kapuç është vendimi unifikues) me arsyetimin, se gjoja për nevoja të interesit publik e vështirëson së tepërmi suksesin. Me këtë soj që na sollën deri këtu kjo të ngjan si hallvë e ftohtë. Natyrisht në një vend normal demokratik dobësitë e komunitetit të ushtarakëve në rezervë nuk mund të justifikojnë sjelljen e papërgjegjshme të politikës shqiptare, sistemit të drejtësisë dhe as institucioneve e instrumenteve shtetërore. Por në analizë të fundit gjërat në këtë vend që quhet, Shqipëri, kështu funksionojnë. Kjo e bën akoma më imperativ, që ky grupimi social të kuptojë e pranojë, që çdo dështim në radhe të parë është përgjegjësi e tyre dhe pastaj e tjerëve. 

Kuja dhe vaji nuk janë zgjidhja
Këto ditë kam parë shumë kolegë dhe miq të mi që e ndezën luftën e “pamëshirshme” ndaj politikës dhe drejtësisë pa thënë asnjë fjalë në përgjigjen e pyetjes: Po ne, çfarë bëmë? Kuja dhe vaji në kulturën tonë pranohen si rit i vdekjes apo trishtim i të pamundurve. Në sferën socio-politike, kuja dhe vaji janë dobësi dhe tregues i njerëzve dhe shoqërive të pa emancipuara e zhvilluara. Organizmi, strategjia, vizioni, koherenca, kreativiteti dhe përballja me sfidat janë vlera të një shoqërie civile dhe veti e njerëzve të edukuar me ndjenjën e përgjegjësisë për veten, shoqërinë dhe vendin. Kthimi mbrapa në kohë duke potencuar atë që ishim dhe nuk jemi, duke i mëshuar faktit, se këta lanetët e politikës së sotme e dobësuan mbrojtjen apo i keqtrajtuan ushtarakët deri në këtë fare feje, nuk vlen. E djeshmja ishte dje, e sotmja është e sotme dhe e ardhme. Po mbajte mendjen tek e djeshmja do të mbetesh, dje dhe asgjë më shumë, po u përqendrove tek e sotmja, duke shfrytëzuar edhe eksperiencën e djeshme do të sigurosh të sotmen dhe të ardhmen. Ky është ndryshimi. Sot ky grupim (në realitet i respektuar nga shoqëria shqiptare) si grupimi më i pastër dhe i gatshëm për të shërbyer vendit duhet të marrë në dorë fatet e veta dhe të kontribuojë për sigurinë kombëtare të këtij vendi, jo duke u sjellë si nostalgjikë të së djeshme, por duke u përballur me sfidat e sotme më të gjitha mjetet dhe mënyrat që t’i mundëson demokracia. Po të bëhemi bashkë, duke respektuar ligjet dhe normat e shtetit demokratik; ne mundemi. Por kjo në radhë të parë kërkon të nisim reformimin nga vetja jonë, me qëllim që të zëmë vendin që na takon në shoqërinë shqiptare dhe pastaj të kërkojmë nga të tjerët. Pra në fillim të respektojmë veten, të marrim përgjegjësi mbi vete dhe pastaj t’u kërkojmë të tjerëve. 
Reformimin mund dhe duhet ta bëjnë reformatorët
Deri para pak kohe në Shqipëri kishte mbi 27 shoqata të ushtarakëve në rezervë, pension dhe të liruar. Por dy ishin kryesore: Shoqatës Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH) dhe Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH). SHKURSH-i është edhe anëtar i CIOR (Konfederata Ndërkombëtare e Oficerëve në Rezervë). Në përpjekjeve për bashkim AKUSH-i grumbulloi rreth vetes të gjitha minishoqatat e tjera përveçse SHKURSH-in duke u vetëquajtur Bashkimi i Ushtarakëve Shqiptarë (BKUSH)!!! nonsens juridik dhe ligjor. Jo vetëm në pikëpamje formale, por çka është më kryesore, në substancë (përmbajtje) këto dy organizata kanë shfaqur dobësi të theksuara, të cilat janë reflektuar në atë që ka përfituar komunitetit që përfaqësojnë. Aktualisht ky komunitet nuk ka kurrfarë roli dhe kontributi në sferën e sigurisë dhe njëherësh komuniteti i ushtarakëve në rezervë trajtohet financiarisht më keq se çdo komunitet homolog në rajon dhe me gjerë. Ai nuk ka mundur të përfitojë asnjë nga benifitet që ia garanton statusi i ushtarakut nga shëndetësia dhe deri në trajtimin financiar. I vetmi përfitim ka qenë lëmosha që u jep ligji 10142 i ndryshuar me të famshmin akt normativ dhe falja fyese për sadaka e qeverisë. E gjithë kjo panoramë na ka sjellë në një pikë, e cila na dikton ta gjejmë problemin brenda vetes. “Balo të hëngër tenja se të keqen e ke brenda”, thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Prandaj hapi i parë është që këta që janë në krye të shoqatave të japin dorëheqje duke ia lënë në dorë drejtimin një komisioni reformues ose t’u thuhet hapur: “Faleminderit për ato që keni/apo nuk keni bërë dhe hapni krahun!” Të pa reformuarit nuk mund të reformojnë dhe të ndërtojnë vizion të formatit evropian dhe të standardeve demokratike për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, por edhe përmirësimit të trajtimit të anëtarëve të saj. Komuniteti i ushtarakëve në rezervë dhe në pension duhet të gjejë rrugën e reformimit në mënyrë demokratike duke shfrytëzuar bazën aktuale ligjore për ta vendosur këtë grupim të rëndësishëm të shoqërisë në vendin që i takon. Ajo që beri AKUSH me një grup minishoqatash, thjesht do harruar si rast që nuk bën të përsëritet. Reforma duhet të sjellë në një stad të ri të menduarit, planizuarit dhe vepruarit të gjithë komunitetin dhe, në veçanti, drejtuesit e saj. Nga kjo perspektivë komuniteti i ushtarakëve në rezervë, pension dhe të liruar duhet të riorganizohet duke ndërtuar në mënyrë demokratike dy shoqata, të cilat i ndajnë dhe bashkojnë shumë gjëra. I ndan ligji dhe detyrimet ligjore, i bashkon origjina, kontributi dhe interesi vetjak. Ushtarakët në rezervë e mbajnë titullin e ushtarakut, janë nën ligj dhe betim. Ushtarakët pensionistë dhe në lirim janë subjekt i ligjit të sigurimeve shoqërorë njësoj si të gjitha profesionet e tjera. Por kanë interesa të përbashkëta rreth të cilave duhet të fokusohen bashkë. Andaj edhe ndryshimi (reformimi) duhet të ketë metodologji, etapa dhe zgjidhje të ndryshme. SHKURSH-i duhet të reformohet duke filluar nga forma e organizmit e funksionimit si dhe dokumentet ligjore e statusorë që përcaktojnë veprimtarinë e saj. Anëtarë të saj duhet të jenë vetëm ushtarakët në rezervë. Zgjedhja e drejtuesve duhet të kryhet vetëm nga anëtarët e saj. Kjo organizatë reformimin duhet ta shohë si proces të gjithanshëm, i cili duhet t’i shërbejë aktivizimit të plotë të anëtarëve në pjesëmarrje direket në çështjet e sigurisë kombëtare. Që do të thotë; se anëtaret e saj duhet të jenë të gatshëm që në zbatim të ligjit dhe VKM, t’i përmbushin detyrat që u kërkohen për nevoja sigurie në funksion të Forcave të Armatosura. Ky do të ishte një pozicion i avancuar i kësaj organizate për të siguruar përmirësim e të drejtave të komunitetit të vet në zbatim të statusit ushtarak. Reforma duhet të çojë deri në krijimin e shtyllës së veçantë të financimit nga buxheti i mbrojtjes. Financimi duhet të prekë trajnimin e personelit që del në rezervë për t’u ingranuar në administratën shtetërore, por edhe ekonominë e tregut, funksionimin e kryesisë, krijimin e mjediseve për pushim dhe informacion duke sjellë dy të mira të njëkohshme siç janë: Punësimi i një grupi social të mirë edukuar në standarde evropiane në shërbimin ndaj shtetit duke dhënë impakt të drejtë për drejtë edhe në uljen e buxhetit të shtetit që shkon për pagesat kalimtare dhe pensionet e parakohshme. Sikundër do të krijonte hapësirë për adresimin e mjaft problemeve shqetësuese për këtë komunitet që nisin nga përfitimet (pagesa kalimtare e pensionet e parakohshme) dhe vazhdojnë me shërbimin shëndetësor, zgjidhjen e ngërçeve me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të familjeve të ushtarakëve aktiv dhe ne rezervë, krijimi i kushteve reale për kontribute ndaj shtetit e shoqërisë nëpërmjet punësimit dhe stimulimit të studimeve në fushën e sigurisë e më gjerë, përfitimet sociale të njëjta me ato të pensionisteve, zhvillimi i aktiviteteve me tematika në dobi të mbrojtjes si dhe shfrytëzimi i kohës nga anëtarët e saj në mënyrë aktive duke i përdorur objektet social kulturore të ushtrisë e tjerë, e tjerë. Shkurt dhe shqip, zëri i kësaj organizate jopolitike dhe joqeveritare duhet të dëgjohet fort në të gjitha institucionet e vendit, kryesisht ne Parlament për të mbrojtur nevojat e zhvillimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura. Në kushtet e demokracisë (alla shqiptare) ku ushtaraket aktivë e kanë të vështirë të mbrojnë zhvillimin dhe modernizimin e FA-ra, kjo organizatë e ka plotësisht të mundur ta bëjë fort këtë detyrë patriotike duke lënë gjurmë në vendimmarrjen politike. Po të kishin këtë vizion drejtuesit e sotëm dhe po të këmbëngulnin në mjete te informimit publik dhe në institucionet shtetërore, sidomos në parlament, do ishim shumë afër 2% të GDP për buxhetin e mbrojtjes dhe jo 0.86 %, sa është sot realisht. Prej këndej çdo qeveri e qeverisje do ta kishte shumë më të vështirë të bënte veshin shurdhër edhe ndaj kërkesave vetjake të saj. Në instancë të fundit kjo nuk bëhet duke qarë, por duke vepruar si organizëm i gjallë dhe i dobishëm për shoqërinë. Ushtarakët në pension dhe në lirim mund dhe duhet të krijojnë: “Organizatën e veteranëve ushtarakë dhe të Luftës”. Organizatë, e cila duhet të përfshijë në gjirin e saj të gjithë ushtarakët në pension dhe lirim, me qëllim krijimin e disa benifiteve për kalimin e kësaj pjese të jetës në mënyrë dinjitoze, por edhe në funksion të edukimit atdhetar të brezave të rinj. Kjo organizatë nuk mund dhe nuk duhet të jetë rivale e Komitetit të Veteraneve të Luftës Nacional Çlirimtare. Ajo duhet të jetë një partnere e saj, duke i dhënë një dimension tjetër për njohje dhe kujtesë të gjitha luftërave që ka zhvilluar populli shqiptar për gjatë ekzistencës së tij. Ka ardhur koha që edhe në këtë drejtim të mësojmë dhe të përshtatemi me si-homologet në vendet anëtare të NATO-s. Krijimi i një organizatë të tillë do të përcaktohet nga vetë fluksi i ushtarakëve në rezervë që vit pas viti do ta furnizojnë atë. Nga ky fluks ish-ushtarakësh aktivë ka një numër të lartë që kanë marrë pjesë në operacione luftarake jashtë vendi, si luftëtarë në ruajtjen e paqes, por edhe kundër terrorizmit. Një organizatë e formatuar sipas modeleve Euro-Atlantike do ta kthente atë në promotore të zhvillimit të vlerave patriotike kombëtare, por edhe në kujdestare për krijimin e lehtësirave të arsyeshme për një jetë aktive në kushteve normale në respekt të kontributeve të tyre për shoqërinë. Të dyja këto organizata më origjinë dhe kontribute të njëjta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mund të krijojnë një bord dhe koordinator kombëtar për adresimin e zgjidhjen e çështjeve me interesa të përbashkëta, por edhe ta shtrijnë atë në marrëdhënie me organizatat homologe shqiptare ne Kosovë dhe Maqedoni duke gjetur modalitete të pranueshme dhe të dobishme në fushën e sigurisë dhe promovimit të ngjarjeve historike kombëtare. Reforma institucionale e këtij komuniteti do të ndodhë nëse vetë ky komunitet do t’u krijojë hapësira për veprim anëtarëve aktivë dhe potencialë të saj për të marrë përsipër të ndryshojnë gjërat duke e mundur fuqinë e dështimit. Fuqinë e dështimit e përfaqësojnë ata që me njëmijë e një marifete i kontrollojnë kryesitë e këtyre shoqatave, duke përfituar nga dobësitë e vetë sistemit dhe funksionimit të shtetit. Rruga është e qartë. Fitorja do të vijë kur: Fuqia e ndryshimit do të mundë fuqinë e dështimit. Dhe kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet reformimit.
Sigal