Vendimi: 1 milion lekë drejtori, 20 mijë lekë pastruesja e “dalluar”

621
Sigal

Ja skandali i
administratës së “Rilindjes” me shpërblimet që do jepen për Vitin e Ri 2017

Nga Maksim TUFA

Ardhja e festave
të fundvitit, vazhdimisht krijon përplasjet e dukshme dhe të padukshme edhe mes
stafit  të administratës apo stafit të
punonjësve të thjeshtë. I vetmi person me të cilin nuk përplasen zyrtarët e
institucioneve dhe ndërmarrjeve, mbetet drejtori ose siç thirret shpesh “shefi
madh”. Ky i fundit ka të gjitha të drejtat e pakufishme, ka të drejtën të
shtojë luksin në zyrën e tij, ka të drejtën të shesë makinën e vjetër dhe të
blejë makinë të re, ka të drejtë të harxhojë karburant sa të dojë për veten,
familjarët dhe miqtë e tij, ka të drejtën të udhëtojë ku të dojë si brenda dhe
jashtë vendit, dhe natyrisht ka të drejtë edhe të (vet) shpërblehet në fundin e
vitit “pas një lodhjeje të madhe” më shumë se të tjerët. Pothuajse në të gjitha
institucionet e shtetit dhe ndërmarrjet kryesisht ato nacionale, ka ndodhur
sërish absurdi dhe skandali. Ata që janë shpërblyer me vlera të pa imagjinuara
sërish  kanë qenë drejtorët (Rilindësit e
palodhur) dhe jo pak por me vlera që shkojnë apo i kalojnë 1 milion lekët.
Sipas të gjitha informacioneve nga disa drejtori nacionale dhe drejtori vartëse
të tyre në rrethe, mësohet se “1 milion ka marrë drejtori, dhe 20 mijë lekë të
vjetra pastruesja “e dalluar”,  300 deri
350 mijë ka marrë shoferi drejtuesit , ndërkohë që nuk bëhet fjalë për dhënie
masive  për administratën. Kjo natyrisht
mbetet ana e errët  dhe e padukshme e
shpërdorimeve financiare që ndodhin dhe kanë ndodhur pothuajse çdo fundiviti në
institucionet e shtetit. Pabarazia dhe babëzia për të zhvatur me “letra”
lekë  nga arka  shtetit mbetet krimi më flagrant ekonomik, që
ka mbetur deri sot pa u ndëshkuar ligjërisht. Askush nuk flet në këtë kohë
terrori psikologjik, askush nuk e ngre zërin në këtë kohë të turbullt kur
sekserët dhe spiunët e drejtuesve kanë mbushur skutat e qyteteve dhe
institucioneve, askush nuk flet, sepse e di që mund të flaket në rrugë pa asnjë
motivacion, thjesht sepse kështu mendon “I madhi”. Por e veçanta ka ndodhur
këtë vit me shpërblimin  tek disa institucione
të shtetit në shkallë vendi, për pastrueset, dhe jo për të gjitha, por vetëm
për ato “të dalluarat”. Dhe tek kjo kategori futen vetëm pastrueset që janë
marrë  plus atyre të tjerave, me firmën e
drejtorit dhe padyshim me miratimin e ministrit. Ato  janë punësuar në punë me dy funksione, e para
të dëgjojnë fjalë lart e poshtë, në zyra, korridore, lokalet pranë dhe gjithçka
ta raportojnë tek  “I madhi”, dhe e dyta
të futen në biseda dhe raporte miqësore e shoqërore me punonjëset e
administratës dhe të zhbirilojnë gjithçka prej tyre. Rilindja i ka kthyer
institucionet dhe ndërmarrjet e shtetit në skuta spiunazhi dhe askush nuk guxon
të përflasë një shkresë që bie në kundërshtim me ligjin, askush nuk mund të
afrohet me “armikun” e shefit, me atë që guxon dhe flet për varfërinë,
papunësinë, taksat e larta, sepse ndryshe je i larguar nga puna. Kjo ndodh edhe
me shpërblimet dhe më të majmin e merr 
sigurisht  “I madhi”, pastaj  shoferi i tij, dy-tre kokrra që janë të
përkëdhelurit e shefit dhe natyrisht edhe pastruesja, pasi ka kryer goxha punë
veç pastrimit, ka raportuar  gjithçka ka
dëgjuar dhe ka parë gjatë gjithë 8 orarshit dhe gjithë javës në zyra, korridore
dhe tek kafenetë aty pranë. Kjo frymë e keqe, e cila ka përfshirë dhe ka
molepsur gjithë institucionet e ndërmarrjet e shtetit në shkallë vendi, ka ulur
ndjeshëm jo vetëm integritetin e zyrtarit dhe nëpunësit civil, por ka degraduar
edhe raportet mes vetë punonjësve të administratës, duke krijuar  imazhin negativ edhe tek qytetarët. Kjo sepse
këta të fundit, pasi  i drejtohen një institucioni
apo zyre  për punësim apo problemin që
kanë, marrin informacion fillimisht se kush “është njeriu i duhur për t’u
takuar”, dhe shpesh ndodh që ai të jetë pikërisht pastruesja. Kjo kohët e
fundit ka nisur të zgjidhë jo vetëm problemet dhe hallet e qytetarëve, por edhe
të vjelë prej hallexhiut mendimin për drejtorin dhe shefin e madh. Në varësi të
përgjigjes, varet edhe zgjidhja e problemit. Një reaksion zinxhir korrupsioni,
ku personazhet janë sekserë, pastruese spiune, dhe punonjëse të trembura të një
administrate të traumatizuar. Ndoshta kjo është arritja më e madhe e Rilindjes
për vitin 2016, pasi këtë e thonë pavarësisht se me fjalë të thjeshta, edhe
vetë qytetarët.