Vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë dhe katrahura e shkaktuar me pensionet e ushtarakëve

949
Historia e dhembshme 28-vjeçare e pensioneve të ushtarakëve. Loja e Sigurimeve Shoqërore dhe ping-pongu i vendimeve gjyqësore që kundërshtojnë njëra-tjetrën
Kalvari i vuajtjeve të ushtarakëve për pensionet ka vazhduar dhe vijon të vazhdojë. Qindra ushtarakë të cilët nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje për pensionet në rrugë të drejtpërdrejtë janë munduar të strehohen tek gjykatat duke paditur Sigurimet Shoqërore. Por jo të gjithë e kanë pasur fatin të dalin të fituar. Zgjidhja e këtij problemi dhjetëra-vjeçar, ka mbetur në dosje dhe nëpër dyert e gjykatave të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe në fund shpresojnë në një zgjidhje prej Gjykatës Kushtetuese. Problematikat janë trajtuar në këndvështrime të ndryshme. Rastet nuk janë të njëjta, por edhe kur janë, ato trajtohen ndryshe. Për këtë problematikë, e cila tashmë është kthyer në fenomen, flet edhe një nga avokatët e ushtarakëve, Bashkim Asllanaj. Ai ilustron një çështje konkrete. Tregon përmes një vendimi gjyqësor se si ushtarakët, kanë vuajtur në dyert e gjykatave dhe nuk kanë arritur të fitojnë të drejtën e mohuar. Tashmë ushtarakët presin një zgjidhje vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Rasti konkret sipas avokatit
Një dosje civile ku trajtohet një çështje konkrete e pensionit të një ushtaraku, është risjellë në vëmendjen e të interesuarve nga avokati Asllanaj. Bëhet fjalë për përplasjen që një ushtarak nga Durrësi ka pasur me Sigurimet Shoqërore të këtij qyteti. Avokati shprehet se dega e sigurimeve në Durrës e bëri përllogaritjen pensionit të ushtarakut në fjalë, mbi bazën e një ligji antikushtetues. Më tej avokati shton se i përmenduri ishte titulluar oficer aktiv me Urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes nr.1137, datë 01.06.1978. Ai ka shërbyer në ushtri për 26 vjet e tre muaj dhe me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes nr.8487 datë 29.07.2004 doli në rezervë. Shpjegimi i avokatit të ushtarakut vazhdon. Pasi ka përfituar dy vjet pagën kalimtare, sipas ligjit doli në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për periudhën nga data 01.09.2006 deri më datë 20.03.2009 kur plotësonte kushtet për pension pleqërie.
Por si vepruan sigurimet
Avokati Asllanaj shpjegon se punonjësit e degës së sigurimeve shoqërore në Durrës duke mos njohur ligjet, kryen veprime të papërgjegjshme. Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 pala e paditur, në bazë të nenit 29 të tij, i ka rillogaritur paditësit pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas skemës së parashikuar në këtë ligj duke ja ulur masën e pensionit. Ushtaraku i prekur nuk ka qenë dakord e këtë përllogaritje dhe me masën e pensionit në bazë të nenit 11/b të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA në RSH”, të ndryshuar me Ligji nr.8521, datë 30.07.1999, sepse kështu vendosej kufizimi i masës së pensionit me masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, ndërkohë që ky kufizim ishte shfuqizuar me Ligjin nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut në FA”, por nuk ishte dakord edhe me aplikimin e nenit 29 të ligjit 10142/2009 për rillogaritjen e pensionit që sillte si pasojë uljen e pensionit. Për këtë shkak paditësi paraqiti padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. 
Padia në Gjykatën e Durrësit
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me Vendimin nr.2514 (11-2013-5458), datë 04.11.2013 i dhe të drejtë ish – ushtarakut P.Z dhe e anuloi vendimin e sigurimeve shoqërore duke arsyetuar se Sigurimet Shoqërore kishin gabuar se Ligji nr.9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut” ka qenë në fuqi në kohën që paditësit i ka lindur e drejta për të përfituar pensionin e parakohshëm dhe neni 49 i ligjit për statusin e ushtarakut e ka shfuqizuar nenin 11/b të ligjit 8087 datë 13.3.96 ndryshuar me ligjin 8521 datë 30.7.99 si dhe shprehjen “jo më shumë se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi” të cilin padrejtësisht kishte aplikuar ajo Drejtori. Vendimin e la në fuqi edhe Gjykata Administrative e Apelit me Vendimin nr.1784, datë 14.05.2014 me arsyetimin se ai vendim ishte tërësisht i bazuar në ligj dhe në fakte, ndërsa i padituri kishte gabuar që kishte zbatuar në përcaktimin e masës dhe rillogaritjes së pensionit nenin 11/b të dhe 29 të Ligjit nr.8087.
Skandali në Gjykatën e Lartë me unifikimin e praktikës gjyqësore
Ashtu sikundër ka ndodhur në shumicën e rasteve për pensionet e ushtarakëve dhe kur këta të fundit kanë pasur procese me Sigurimet Shoqërore, Gjykata e Lartë ka prishur rregullin, duke hedhur poshtë vendimet e shkallëve më të ulëta. Edh enë këtë rast kështu ndodhi, Avokati Bashkim Asllanaj shpjegon se si e mori vendimin unifikues Gjykata e Lartë, duke prishur rregullin. Për rastin në fjalë, Sigurimet Shoqërore, të cilët kishin humbur në dy shkallët e gjyqësorit, animuan vendimin. Mbi ankimin e të paditurit, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë shqyrtuan dhe me vendimin Unifikues nr. 3 datë 24.11.2016 vendosën prishjen e vendimit nr.1784, datë 14.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Durrës duke urdhëruar njëkohësisht unifikimin e praktikës gjyqësore në këto pika dhe me këtë arsyetim:
a)Në pikën 43 të vendimit Kolegjet unifikojnë që:“Rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas nenit 29 i Ligjit nr.10142/2009, do të bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj edhe në situatën kur kjo rillogaritje ul masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të njohur dhe caktuar më parë”. 
b)Në pikën 45 të vendimit Kolegjet unifikojnë që:“Zbatimi i nenit 29 të Ligjit Nr.10142/2009 bën që të mos zbatohet ligji Nr.9418/2005, i ndryshuar me Ligjin Nr.9481/2006, për përfituesit që u ka lindur e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbim në kohën kur ky ligj ka qenë në fuqi”. 
c)Në pikën 47 të vendimit Kolegjet unifikojnë që: “Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, për periudhën nga data 01.01.1999 deri në hyrjen në fuqi të ligjit Nr.10142/2009, do të përllogariten sipas nenit 11/b te Ligjit Nr.8087/1996, të ndryshuar me Ligjin Nr.8521/1999. Skema për llogaritjen e pensionit të parakohshëm, e parashikuar nga Ligji Nr.9418/2005 të ndryshuar me Ligjin Nr.9481/2006, nuk zbatohet, pavarësisht nëse masa e pensionit rritet apo ulet në raport me skemën e parashikuar nga Ligji Nr.8087/1996, të ndryshuar”. 
d)Në pikën 51 të vendimit, Kolegjet unifikojnë që:“Caktimi i pensionit të parakohshëm, sipas nenit 11 të Ligjit Nr.8087/1996, i ndryshuar me Ligjin Nr.8521/1999, bëhet duke u llogaritur sipas skemës: a) 50% e pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi; dhe b) për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese. Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”.
Gjykata e Lartë shkel Kushtetutën
Avokati Bashkim Asllanaj ka analizuar të gjitha faktet duke dalë në një konkluzion të qartë. Sipas tij, Gjykata e Lartë ka gabuar në unifikimin e praktikës gjyqësore duke shkelur hapur Kushtetutën. “Arsyetimi dhe vendimi unifikues nr.3/2016 në tërësi ishin me frymë të hapur në kundërshtim me Kushtetutën, me statusin e Ushtarakut dhe ligjet e dala në zbatim të tij, me vendimin nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe me mijëra vendime të Gjykatave të rretheve, të Apeleve dhe të Kolegjit Civil e Administrativ të Gjykatës së Lartë sepse kanë cenuar sigurinë juridike, i kanë dhënë ligjit fuqi prapavepruese, kanë marrë kompetenca legjislative duke rivënë në fuqi nenin 11 të ligjit 8087 datë13.3.1996 që ishte shfuqizuar me nenin 49 të ligjit 9210 datë 23.3.2004”Për statusin e ushtarakut”, dhe kanë shfuqizuar nenin 49 të ligjit 9210/2004 si dhe ligjet 9418/2005 dhe 9481/2006 duke sjellë përkeqësimin e gjendjes ekonomike e financiare të ushtarakëve dhe të familjeve të tyre në shkallë vendi”, shprehet avokati Asllanaj. 
Por çfarë ka shkaktuar konkretisht vendimi i Gjykatës së Lartë
Me këtë vendim Kolegjet kanë cenuar parimin e sigurisë juridike duke interpretuar nenin 29/2 të ligjit 10142 datë 15.5.2009 në kundërshtim me parimet Kushtetuese, me dashje kanë keqinterpretuar dhe deformuar përmbajtjen e vendimit nr.33 datë 24.6.2010 te Gjykatës Kushtetuese. Kolegjet arsyetojnë: “Rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas nenit 29 i Ligjit nr.10142/2009, do të bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj, edhe në situatën kur kjo rillogaritje ul masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të njohur dhe caktuar më parë”. Pra vendimi hapur cenon sigurinë juridike, dhe Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.33 datë 24.6.2010 ndryshe nga Kolegjet arsyeton se siguria juridike nënkupton, veç të tjerash edhe mbrojtjen e të drejtave të fituara të personave, të cilët kanë të drejtë të presin në mënyrë të arsyeshme që të drejtat e fituara, nëpërmjet akteve ligjore të vlefshme, t’u garantohen për të gjithë periudhën dhe të zbatohen realisht. Ligji duhet të ofrojë siguri dhe vijimësi me qëllim që individët të mund të kryejnë veprimet në mënyrën e duhur. Duke qenë se këto ligje e vendime perceptohen si burime pritshmërie të ligjshme për individët, ato nuk mund të ndryshohen e shfuqizohen në një fazë të mëvonshme. Ky parim u jep individëve mbrojtje kundër ndryshimeve të menjëhershme e të pajustifikueshme të rregullave. 
Çfarë arsyeton Gjykata Kushtetuese 
Gjykata Kushtetuese arsyeton se ka raste që parimi i sigurisë juridike nuk prevalon kur ekziston një interes i rëndësishëm publik, por ajo e shtjellon se kur ndodh një gjë e tillë. Në rastin e dhënë Gj. K ka konstatuar se me rregullimin e ri të bërë nga pika 2 e nenit 14 të ligjit 10142 datë 15.5.2009 vendoset një kufizim në masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, duke u vendosur një tavan maksimal “ jo më i madh se pensioni maksimal i pleqërisë” dhe ky kufizim sjell si pasojë uljen e masës së pensionit të parakohshëm për një kategori përfituesish. 
Por ajo arsyeton me tej se kjo ulje nuk ndikon tek buxheti i shtetit, për rrjedhim interesi publik nuk ekziston, gjë që është konfirmuar përpara saj edhe nga subjektet e interesuara, Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave, të cilët nuk paraqitën asnjë argument bindës që kjo ulje është bërë për arsye të një interesi publik, prandaj Gj.K, nenin 14/2 të ligjit 10142/2010 e konstatoi në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe të shtetit të së drejtës dhe e shfuqizoi. 
Kundërshtimet e ushtarakëve përmes shoqatave
Ushtarakët, nëpërmjet shoqatave të tyre, kanë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin 32016 të Kolegjeve të Bashkuara duke kërkuar që të konstatohet si antikushtetues edhe interpretimi që i bëjnë ato Kolegje nenit 29 të ligjit 10142/2010 sipas të cilit rillogaritja e pensionit të bëhet duke aplikuar nenin 11/b të ligjit 8078/1996 edhe për të drejta të fituara më parë por edhe kur kjo çon në uljen e pensionit të ushtarakëve duke kërkuar që kjo dispozitë të konstatohet antikushtetuese..
Për fat të keq Kolegjet e Bashkuara nuk arsyetojnë në vendimin Unifikues se, cili është interesi i madh publik që justifikon ndryshimin e ligjit për të dëmtuar ushtarakët, nuk shpjegojnë se si e kanë llogaritur madhësinë apo rëndësinë e këtij interesi. Këto Kolegje nuk kanë të drejtë që përcaktojnë madhësinë apo rëndësinë e interesit publik, madje as Gjykatës Kushtetuese. Kjo është e drejtë ekskluzive e ligjvënësit. Edhe kur ekziston rasti që ligjvënësi nuk llogarit drejt proporcionalitetin midis cenimit të të drejtës së dikujt në raport me interesin publik, dhe kur dëmi nga cenimi i të drejtës është i madh, pra cenohen të drejtat kushtetuese tej rregullimit që bënë neni 17 i Kushtetutës, Gj. Kushtetuese, i konstaton këto dispozita ligjore të miratuara nga Parlamenti si antikushtetuese siç ka vepruar edhe me nenin 14/2 të ligjit 10124 datë 15.5.2009.
Avokati shprehet se për Kolegjet e Bashkuara nuk kishte aspak rëndësi fakti që edhe Ushtarakët, si tërësi, janë subjekt që përfitojnë nga interesi publik, sepse ata përbëjnë një masë prej disa dhjetëra mijëra vetash, e për më tepër që janë të vetmit në këtë shtet që betohen se nëse e lyp nevoja, e japin jetën për atdheun, se ata për këtë vend e për të gjithë ne, kanë sakrifikuar gjithë jetën, natë e ditë, larg familjeve, për interesat e atdheut. 
Referendum për statusin e ushtarakut
Avokati Bashkim Asllanaj hedh edhe një propozim. Ai thotë se për të zgjidhur përfundimisht statusin e ish-ushtarakut duhet të shkohet në një referendum. “Për të kuptuar se sa të lartë e sa të çmuar e ka populli dashurinë dhe respektin për ushtarakët, dhe se sa i madh është për të si interes publik çështja e ushtarakëve, do kishte qenë mirë që Organet e Pushtetit të kishin bërë një referendum për Statusin e Ushtarakëve dhe për pensionin e tyre të parakohshëm për vjetërsi shërbimi gjë që do të kishte sjell rezultat maksimal. Kjo do qartësonte këdo që ka perceptim të gabuar për këtë çështje, do të bënte këdo që të kuptonte se sa rëndë ka gabuar shteti në tërësi me ushtarakët, si Parlamenti, Qeveritë dhe duke i vënë vulën në fund edhe Kolegjet e Bashkuara. Normat antikushtetuese që janë futur sistematikisht me ligje të tjera sa herë që miratohej ndonjë ligj në dobi të ushtarakëve, kanë cenuar interesat e të gjithë ushtarakëve, ata që kanë qenë në ushtri, ata që janë e ata që do të dalin në pension vitet e ardhshme. Ushtarakët i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të mos lejojë të nëpërkëmben ushtarakët si deri me sot për 30 vjet me radhë, të mos lejojë që interesi i ajkës së popullit, të quhet interes publik pa vlerë, i pa rëndësishëm dhe t’u jepet vlerë vendimeve me karakter të theksuar antiushtarak e antikushtetues. Sjellim në vëmendje te lexuesit faktin se arsyetimi se nga zbatimi i ligjit të pandryshuar i statusit të ushtarakëve dëmtohet buxheti i shtetit është absurd. Deri në vitin 2010, ekonomia e vendit nuk kishte njohur krizë, ka njohur herë- herë periudha stanjacioni e herë- herë një rritje të ulët ekonomike që varionte deri në 2% por pas vitit 2010 dhe deri të rezultati i pritshëm i vitit 2017, ekonomia jo vetëm që nuk ka njohur krizë por ka pasur një rritje të vazhdueshme vjetore nga 3.2% deri në 3.6% në vit, rezultat ky i pohuar nga Qeveria dhe i certifikuar edhe nga Banka Botërore”, shprehet avokati Asllanaj. 
Më tej ai sqaron se Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin Unifikues nr.3/2016 qëllimisht e shkarazi pohojnë katrahurën që është bërë në Shqipëri me ligjet për pensionet e ushtarakëve, duke shfuqizuar njëri- tjetrin, me kontradikta të panumërta, me dispozita antikushtetuese e me pasoja fatale për ushtarakët. Vetëm ky fakt të bën të kuptosh lehtësisht se sa rëndë është shkallmuar parimi i sigurisë juridike duke nxjerrë dispozita antikushtetuese, duke luajtur e fshehur pas fjalëve bombastike siguri juridike, interes publik, prevalim interesash, proporcionalitet e të tjera absurditete sikur ushtarakët t’i përkisnin një komuniteti jashtë tokësor.
Për të kuptuar katrahurën po paraqesim disa fakte
Siç dihet, Ushtarakëve u lindi e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi me daljen e ligjit nr. 7496 dat 3.7.1991 “Statusi i ushtarakut”, i cili doli si rezultat i daljes nga radhët e ushtrisë dhe mbetjes së mijëra e mijëra ushtarakëve pa punë. Që nga dalja e ligjit 7496/1991 e deri tani, janë ndarë nga jeta rreth 20% e ushtarakëve që ju kishte lindur e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi por, si rezultat i këtij cenimi të sigurisë juridike, nuk arritën ta përfitonin pensionin. Besoj se nuk ka nevojë për shumë koment që të kuptohet se sa i madh është dëmi që ju ka ardhur ushtarakëve.
Vet ligji për statusin e ushtarakeve nr 7496/1991 kishte mangësi serioze sepse la pa trajtuar kategori të tëra ushtarakësh ndërsa një kategori tjetër i trajtonte duke dëmtuar interesat e tyre. Megjithatë ai ligj, në nenin 16 të tij, nuk kishte asnjë tavan apo kufizim për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Nga viti 2006 e deri tani ligji për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi i ushtarakeve ka ndryshuar edhe disa herë të tjera, me ligje e vendime qeverie si ligji 10142/2009, akti normative nr.5 datë 10.11.2010, ligji 10376 datë 23.12.2010, VKM 793 datë 24.9.2010, VKM 252 datë 9.2.2011, që të gjitha lidheshin me disa ndryshime në ligjin 10142 datë 15.5.2009.
Veç sa sipër, sipas një relacioni të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, disa mijëra ushtarakë kanë kundërshtuar në gjykata vendimet e pa drejta të Sigurimeve Shoqërore në shkallë vendi për vendime të marrë mbi bazën e këtyre dispozitave antikushtetuese në të cilat ushtarakëve ju është dhënë e drejta për përfitime më të larta duke i detyruar sigurimet shoqërore që t’iu kthejnë atyre shumat e ndaluara padrejtësisht. Shumë nga këto vendime janë lënë në fuqi edhe nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lart dhe më pas edhe nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lart, fakt që Kolegjet e Bashkuara nuk kanë guxuar që ta trajtonin në vendimin unifikues nr.3/2016 sepse kjo tregon mungesën e konsekuencës dhe vullnetit të saj në zbatim të ligjit, dhe tendencën për të dëmtuar shtresën e gjerë sociale të ish-ushtarakëve.
Po kështu, në Kolegjin Administrativ të Gj. Lartë ka një numër të madh dosjesh që janë gjykuar në shkallë të parë dhe në Apelin Administrativ dhe që presin radhën për tu gjykuar por që vendimi unifikues nr. 3 datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e ka urdhëruar atë Kolegj që këto dosje të kthehen në Gjykatën e Apelit Administrativ Tiranë dhe paditë, sipas vendimit unifikues të rrëzohen në frymën e neneve 14/2 dhe 29 te ligjit 10142 datë 15.5.2009.
Shoqatat e Ushtarakëve janë duke pritur me ankth e me shpresë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sigal