Vende pune elektorale, premtim për votat në Vlorë

702
PD e LSI akuzojnë PS-në se po blen vota, partitë e tjera kërkojnë mbështetjen e një popullsie të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura

Një roje para ndërtesës së kompanisë “Albpetrol” në Vllahinë u emocionua kur pa një gazetar me aparat fotografik, duke i bërë foto ndërtesës. “Nuk lejohen fotot, është pronë shtetërore,” tha ai, disi i frikësuar. Pyetur se pse nuk lejohen, ai shtoi: “Njerëzit mund të thonë se këtu po bëhen punësime elektorale, por kjo nuk është e vërtetë!” Të hënën pasdreke, në një klub modest pranë një pike karburanti, pak metra më poshtë ndërtesës së “Albpetrol” në qytezën Vllahinë, 17 kilometra larg Vlorës, një grup simpatizantësh të Partisë Demokratike qenë mbledhur me listat e votuesve të printuara në duar, duke i analizuar listat imtësisht. Ata bënin shenjë pranë çdo emri votuesi si dhe pranë emrave të familjarëve të tij, duke i shënjuar ato si vota të humbura. “Më duket se nuk ka mbetur asnjë votë për ju”, u tall me ta pronari i lokalit, ndërsa shërbente kafenë. Arsyeja?! Sipas Partisë Demokratike në Vllahinë dhe Vlorë dhe sipas LSI-së Vlorë, qeveria po përdor kompaninë e nxjerrjes së naftës për të premtuar vende pune apo për të punësuar njerëz në mënyrë fiktive, në një zonë të gjerë në të gjithë fshatrat e Lumit të Vlorës, me synimin për të joshur banorët të votojnë për Partinë Socialiste. “Ata kanë punësuar apo premtuar vend pune për çdo të rritur në zonë me parimin, nga një anëtar për familje,” thanë zyrtarët lokalë të PD-së.

“Ky është një rast tipik i votave në këmbim të vendeve të punës,” komentoi Shezai Rokaj, kandidat i LSI-së për Qarkun Vlorë, i cili është nga fshati Kocul, pak kilometra në veri të Vllahinës. “Duan të më turpërojnë në fshatin tim,” tha Rokaj, duke shtuar se sipas informacioneve të tij, banorëve të zonës po u ofroheshin vende të rreme pune edhe në fshatra shumë larg Vllahinës. Një zëdhënës i Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili kryeson listën e Partisë Socialiste për Qarkun Vlorë dhe që ka në portofolin e tij menaxhimin e industrisë së hidrokarbureve të vendit, ia drejtoi pyetjet e BIRN mbi punësimet në Vllahinë, të kompanisë “Albpetrol”. Një zëdhënës në “Albpetrol” na tha se, me të vërtetë kompania po kryen punësime në Vllahinë, por mohoi akuzat se, këto punësime po bëhen për efekt elektoral. 

Cilado qoftë e vërteta, demokratët e Vllahinës janë të bindur se një numër i madh votuesish po shantazhohen në rast se janë aktualisht punonjës ose po joshen të votojnë për socialistët nën premtimin e një vendi pune. Partia Socialiste garon në qarkun, Vlorë në zgjedhjet e këtij viti me një skemë të komplikuar, pasi pati arritur një rezultat të thellë, si për nga numri i votave, ashtu edhe për nga numri i deputetëve në zgjedhjet e vitit 2013. Vlora është një nga zonat ku socialistët shpresojnë të marrin edhe më shumë mandate se sa herën e kaluar, si pjesë e përpjekjes së tyre për të realizuar fitoren e shumicës së thjeshtë të parlamentit me 71 deputetë.

Megjithatë, banorët e Vlorës nuk janë një elektorat i lehtë. Pjesëmarrja në Qarkun Vlorë ka qenë historikisht i ulët në krahasim me mesataren kombëtare, 39 për qind në vitin 2009 dhe 42 për qind më 2015. Zgjedhjet në Vlorë këtë herë konsiderohen edhe më të komplikuara, për shkak se popullsia çame e qytetit është në mëdyshje mes Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe deputetit Dashamir Tahiri, i cili ka rrënjë të forta në komunitet. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila ka garuar dy herët e kaluara në radhët e së majtës, garon kësaj here në listat e Partisë Demokratike dhe synon të shfrytëzojë zemërimin e banorëve të Bregut, veçanërisht Himarë e Dhërmi ndaj kryeministrit Edi Rama, për dy episode të rëndësishme: Vendimin për prishjen e disa shtëpive në Himarë në emër të krijimit të një sheshi për Rilindjen Urbane, si dhe Shembjen e një kishe në fshatin Dhërmi, si ndërtim pa leje, një akt i pakuptimtë që krijoi fantazma përplasjeje fetare. Shumica e banorëve me të cilët foli BIRN, në Nartë, në Vlorë dhe në fshatrat poshtë Bregut, shprehen veçanërisht të zemëruar me gjendjen e shërbimeve publike, ujë, rrugë e kanalizime, si dhe me pasigurinë e pronës e të shtëpive, të krijuara nga kaosi i administratës publike në hipoteka dhe legalizime. Po kështu edhe nga shembjet e herëpashershme të ndërtesave në zonën e Bregut si ndërtime pa leje pa ndonjë kriter të qartë, ndërkohë që një projekt investimi në zonën e Rrugëve të Bardha, i klasifikuar nga qeveria si “investim strategjik”, disa banorë të zemëruar i kanë vënë nofkën “hajdut strategjik”.

Në Hotel Partner pranë “Kulaçit” në Vlorë, deputeti Dashamir Tahiri erdhi në takim për intervistë me BIRN, ndërsa rastisi grupin e LSI-së me në krye kandidatin Shezai Rokaj në një tavolinë aty pranë dhe një grup aktivistësh të Partisë Demokratike pak më larg. Tahiri dhe Rokaj shkëmbyen fjalë kortezie, pyetën nëse ka probleme, dolën në konkluzionin se nuk kishte arsye për probleme dhe u ndanë. Tahiri, biznesmen 51 vjeçar, kandidon në Vlorë për herë të tretë dhe është zgjedhur në dy legjislaturat e shkuara nga votat e komunitetit çam, i cili gjendet në qytetin e Vlorës si dhe në zonën e Konispolit, në cepin jugor të Shqipërisë. “Njerëzit më vlerësojnë, sepse nuk kam lëvizur (nga djathtas – majtas) dhe se u jam gjendur në ndihmë,” thotë Tahiri. Ai nuk pranoi të afrohej me qeverinë e majtë gjatë katër viteve të fundit, kur Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mori vende pune në administratën publike dhe u përdor nga kryeministri Edi Rama si balancim dhe kërcënim ndaj partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Tahiri është një nga deputetët e paktë që garon në të njëjtën zonë elektorale dhe që rrjedhimisht duhet të mbajë lidhje të forta në komunitet për të siguruar mbështetje. “Një herë sigurova një helikopter për t’i ardhur në ndihmë një të sëmuri në Sarandë,” thotë ai. I pyetur se si shpjegohet që ndërhyrjet në shëndetësinë e Tiranës për të shëruar të sëmurët nga rrethet është bërë një element kaq i rëndësishëm i të bërit politikë, ai thotë: “Një fshatar, maksimumi që mund të bëjë është të shesë lopën për 500 mijë a 1 milionë lekë (të vjetra). Në Tiranë të kërkojnë nga 2 mijë e 3 mijë euro për një ndërhyrje kirurgjikale dhe mjekët janë të njëjtë si në shtet, ashtu edhe në privat. Kur të bëhem deputet, do t’ua nxjerr bojën”, premton ai.

Si për ta ilustruar këtë, ndërsa ne po bisedonim, një banor i Vlorës iu afrua deputetit dhe e pyeti nëse kishte mundësi për të ndërhyrë për dikë pranë një pedagogu në Universitetin e Vlorës për të marrë një provim. Tahiri i tha se ai nuk mund të bënte ndërhyrje të tillë. “Unë nuk kam arritur të mbyll studimet e mia Master, më ka mbetur një provim pa marrë,” tha ai, “nuk i bëj ndërhyrje të tilla”. Tahiri duket i bindur se do të arrijë ta marrë mandatin e tij, ndërsa një çam, pronar i një lokali në periferi të Vlorës, u shpreh i mërzitur për faktin se Tahiri është i pesti në listat e PD-së, e rrjedhimisht vështirë se mund të zgjidhet, pavarësisht simpatisë që gëzon në popull.

Duke shfrytëzuar rastin për përçarjen e faktorit çam në Vlorë, kryeministri Edi Rama surprizoi vlonjatët pak ditë më parë kur sugjeroi se çamët mund të votonin me të vërtetë partinë e tyre PDIU, por nuk kishte arsye që ata të votonin Partinë Demokratike pasi votat e tyre me gjasa do të ndihmonin zgjedhjen e Vangjel Dules deputet. Dule, kryetar i PBDNJ-së, i cili braktisi koalicionin qeverisës të Ramës dy vjet më parë ekzaktësisht në protestë ndaj përfshirjes së Idrizit të PDIU-së në koalicionin qeverisës, aktualisht e ka të sigurt mandatin e deputetit në vend të tretë në listat e PD-së, por nëse ai punon fort dhe arrin të marrë votat e partisë së tij për PD-në, atëherë Dashamir Tahiri ka gjasa që do të bëhet deputeti i pestë për PD-në. PDIU garon më vete në Vlorë me Tahir Muhedinin në vend të parë, por të 6,800 votat që kjo parti mori më 2013 si pjesë e koalicionit të djathtë dukej se mjaftonin për të fituar një deputet brenda koalicionit, por janë larg numrit të nevojshëm për të fituar deputet jashtë koalicionit. (Në rast se pjesëmarrja në Vlorë do të jetë në të njëjtat nivele me 2013, mandati i deputetit të fundit mund të kërkojë mbi 7 mijë vota). Por për socialistët është e qartë se ndarja e votave të çamëve mes PDIU dhe Tahirit mund të ulë peshën elektorale të këtyre votave, duke lënë pa mandat njëkohësisht si Muhedinin, ashtu edhe Tahirin. Dule duket se shpreson të shfrytëzojë pakënaqësitë e krijuara nga qeveria aktuale me kërcënimin për shembjen e shtëpive në Himarë si dhe me armiqësinë e përgjithshme të Ramës me qeverinë e majtë dhe nacionaliste të Aleksis Tsipras në Greqi. Autobusët që Dule do të mund të sjellë në Himarë dhe në Nartë mund të ndihmojnë demokratët. Por banorët e Nartës, me të cilët BIRN foli një pasdreke të diele, u shprehën më shumë të zhgënjyer me politikën në tërësi se sa të frymëzuar nga opozita në veçanti. Jorgji Zilo, një banor i Nartës, thotë se problemet kryesore të zonës lidhen me mungesën e ujit, me rrjetin elektrik të pariparuar që nga koha e komunizmit, si dhe me kaosin e titujve të pronësisë. “Ata (politika) duan të na mbajnë peng dhe na premtojnë tituj pronësie e legalizime në periudha para zgjedhjeve në këmbim të votave. Kanë kaluar nja katër palë zgjedhjesh në këtë mënyrë. Partitë vijnë pa program, por me një gjuhë të ashpër debati, sepse kështu u intereson. Duan që ne të votojmë qorrazi dhe pa logjikë dhe të hutohemi nga debati,” shtoi ai.

Një mësues në pension që nuk pranoi të citohej me emër, shpjegoi se fshati nuk ka konflikte pronësie, por titujt e pronësisë të lëshuara nga hipotekat janë përplot me gabime e mbivendosje, nga të cilat, njerëzit e kanë të vështirë të shpëtojnë. “Ta shkruajnë emrin gabim dhe kaq mjafton që të torturohesh nëpër zyra,” shpjegoi ai.

Mungesa e furnizimit të rregullt me ujë është shqetësimi tjetër kryesor i popullsisë, si në qytetin e Vlorës ashtu edhe nëpër fshatrat në pjesën veriore të qytetit. “Sapo nis një takim, gjëja e parë që banorët të kërkojnë është furnizimi me ujë,” shpjegon Nada Meçorapaj, 36 vjeç, kandidate e Partisë Demokratike, e dyta në listë. Furnizimi me ujë është një dështim tjetër spektakolar i administrimit në pushtet qendror e vendor në të gjithë Shqipërinë. Ujë ka, por menaxhimi i ujësjellësve dhe veçanërisht, emërimet militanteske nëpër ndërmarrjet e ujësjellësve bën që uji të mos mbërrijë në çezmat e qytetarëve. “Ujë ka, por kur vjen puna për të mbyllur rrjedhjet nëpër tuba, administrimi është një problem i pazgjidhshëm,” thotë një banor i Nartës.

Nga ana tjetër, Vilma Bello, 42 vjeç, kandidate e Partisë Socialiste e dyta në listë, nuk mendon kështu. E pyetur se me cilat kërkesa përballet më shumë gjatë takimeve elektorale, ajo tha: “Njerëzit kanë problematika të përditshme, një tub këtu, një legalizim aty, por reagimi pozitiv është shumë më i ndjeshëm se sa ai problematik”. 

Partia Socialiste ka fituar gjashtë mandate nga 12 në Qarkun Vlorë në vitin 2009 dhe po kaq edhe më 2013. Në zgjedhjet e vitit 2013, aleatët e saj LSI dhe PBDNJ morën nga një mandat duke garuar brenda koalicionit. LSI garon më vete kësaj here, ndërsa PBDNJ garon në listat e Partisë Demokratike. Socialistët e kanë Vlorën edhe si një test për vetë kryeministrin Edi Rama, i cili qe i pari në listën e Vlorës më 2013, kur garoi për herë të parë si deputet ndërsa e ka vënë veten të gjashtin në garën aktuale. Probabiliteti që PS të marrë pesë mandate, duke e lënë kryeministrin pa mandat është i vogël, ndërsa vetë PS pretendon të marrë shtatë nga 12 mandatet në këtë qark. Vlonjatët kanë parë përgjatë katër viteve të fundit ndërtimin e Lungomares, një projekt tetë milionë eurosh për ndërtimin e një bulevardi betoni që duhej të kishte përfunduar në vitin 2015 sipas kontratës dhe që ende nuk ka përfunduar në tërësi. Por disa banorë me të cilët foli BIRN bënë me shenjë nga gjendja e rrugëve të brendshme të qytetit, shumica dërrmuese e të cilave janë të dëmtuara rëndë, si dhe nga fakti që uji në Vlorë vjen me orar të reduktuar, si një tregues që ndoshta prioritetet e kryeministrit nuk kanë qenë tërësisht të duhurat. Por nëse vlonjatët do ta mbështesin apo jo Ramën, kjo duket se nuk varet aq shumë nga sa punë ka bërë qeveria, se sa nga ndarja klasike partizanë-ballistë, një ndarje që megjithëse i ka rrënjët shtatë dekada më parë në Luftën e Dytë Botërore, vijon të përbëjë një aks të rëndësishëm të përplasjes PS-PD. “Çamët dhe ballistët janë baza e të djathtës në Vlorë,” thotë deputeti Dashamir Tahiri. 

Marrë me shkurtime nga BIRN
Sigal