Veliaj përuron rrugën e re në Krrabë: Ulim tarifën e autobusit

677
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inauguroi segmentin Mushqeta-Krrabë, i cili u shërben mbi 3 mijë banorëve, duke shënuar një tjetër premtim të mbajtur gjatë fushatës. Rruga e re që lidh autostradën me Krrabën, me gjatësi 4 kilometra, do të lehtësojë komunikimin e banorëve të kësaj zone me kryeqytetin dhe me qytetin e Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë theksoi se falë bashkëpunimit me qeverinë qendrore dhe pushtetit vendor,tashmë rruga e re e cila nuk kishte njohur asnjë investim për 60 vite është tashmë një realitet.

“Unë besoj se rruga nuk afron vetëm Krrabën me Tiranën, rruga afron edhe Tiranën me Krrabën. Do të thotë që është një mundësi jo vetëm që qytetarët e Tiranës të shkojnë në qytet, por është një mundësi që qytetarët e Tiranës qytet të dalin. Falë bashkëpunimit me qeverinë qendrore që po përfundon autostradën që u la rrugëve nga ata që ishin në çadër dhe që janë prapë në çadër , në bashkëpunim me qeverinë lokale që bëri segmentin e rrugës, ato 4 km që më përpara dukeshin si një rrugë që s’do të mbaronte kurrë dhe që kishte 60 vjet pa u vënë dorë, sot është një realitet”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se falë reformës administrative, tashmë është e mundur që investimet të shkojnë dhe në ish-komuna të cilat do e kishin të pamundur që të investonin për të përmirësuar jetën e banorëve.

“Arsyeja pse u bë Tirana e madhe është pikërisht kjo që dhe në vende që janë me pak banorë, ku ka pak fuqi ekonomike, bashkia e madhe duke i përfshirë mund të bëjë investime në Krrabë, në Dajt në Zallbastar të cilat komunat e vogla nuk i bënin dot, dhe besoj se kjo është provë se pse kjo është e suksesshme, pikërisht për të përballuar shpenzime që veç e veç asnjë komunë si bënte dot”, tha ai.

Kreu i Bashkisë dha dhe një lajm të mirë për të gjithë banorët e Krrabës, duke bërë të ditur se një grup i posaçëm pune është ngritur për të diskutuar uljen e tarifave të transportit të autobusëve për zonën e Baldushkut dhe të Krrabës.

“Nga dje kam ngritur një grup pune që do të diskutojë uljen e tarifave të transportit dhe të autobusit për gjithë zonën e Krrabës dhe të Baldushkut. Unë e di që ka kosto, por unë gjithashtu di që ka edhe fitim. Ne nuk themi që dikush të falimentojë, ne na duhet shërbimi i autobusit, por unë besoj se ka një hapësirë në mes ku mund të takohemi që edhe kompania të ketë një fitim të arsyeshëm, por edhe qytetarët të mos rëndohem siç janë rënduar gjithë këto vite me vendime që kanë marrë ish komunat dhe që na i kanë lënë peshqesh”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar investimet dhe projektet e nisura, Veliaj kërkoi mbështetjen edhe për një mandat të dytë në mënyrë që bashkëpunimi i suksesshëm mes pushtetit lokal dhe atij qendror të vijojë.

Për rikonstruksionin e rrugës “Mushqeta-Krrabë” me gjatësi 4 kilometra, përveç punimeve në rrugë, janë kryer punime edhe për kanalizimin e ujërave të shiut, mure mbajtëse anësore, vendosja e sinjalistikës si dhe ndërtimi i urës me gjatësi 10 metra. Rruga do t’i shërbejë pjesës më të madhe të banorëve të Njësisë Administrative Krrabë, qoftë në lëvizjen më të mirë dhe të shpejtë të njerëzve, por edhe të produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt Tiranës.
Sigal