Nga data 17 shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor, rikthehet edhe kufizimi i qarkullimit për mjetet që kryejnë furnizimin e dyqaneve në mëngjes. Kjo masë e Bashkisë së Tiranës ka për qëllim të ulë fluksin e trafikut në orët kur nxënësit e Tiranës shkojnë në shkollë, si dhe synon që fëmijët të mos humbin orën e parë të mësimit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Tiranës, për të diskutuar mbi përgatitjet e vitit të ri shkollor. Ai theksoi se kufizimi i mjeteve të furnizimit në fashën orare 7.00-9.00 bëhet për t’i ardhur në ndihmë prindërve dhe nxënësve, që ata të mbërrijnë në kohë në shkollë.

“Do të rifusim në veprim regjimin e ri të trafikut, me orare për të shmangur qarkullimin e kamionëve dhe furgonëve në kohën kur nxënësit shkojnë në shkollë; po ashtu, edhe institucionet të mos shkojnë të gjitha në orën 8:00 në punë. E kam thënë, nuk mund të vlejnë patatinat dhe çamçakizat, më shumë se fëmijët. Të shkojnë njëherë fëmijët në shkolla, pastaj furgonët mund të bëjnë dërgesat e tyre, para orës 7.00 ose pas orës 9.00, që të mos kemi kaos në trafik”, tha Veliaj.

Ai u ndal edhe te puna që ka bërë Bashkia e Tiranës për infrastrukturën shkollore, duke theksuar se këtë vit do të hapet shkolla “Kosova”, e cila u ndërtua nga e para. “Fakti që javën tjetër hapim shkollën “Kosova” është një arritje e jashtëzakonshme. Një shkollë që tregon edhe simbolikën e qytetit, me të cilën na duhej të jepnim edhe një mesazh: Jo, nuk prishen shkollat në këtë vend! Siç e shikoni, edhe te shembulli i Teatrit, jo, ka mundësi edhe të zhvillohet qyteti, por edhe të bëhet një teatër në vend të vet; ka mundësi edhe të ketë banesa, por edhe shkolla “Kosova” të bëhet në vendin e vet”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se disa shkolla të tjera do të funksionojnë këtë vit me mjedise dhe klasa të shtuara, krejtësisht të rinovuara, duke sjellë të tjera standarde dhe kushte për nxënësit. “Janë disa shkolla që do të hapen me kushte të reja, si shkolla “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz, ku kemi shtuar mjedise të reja, të cilat na zgjidhin përfundimisht klasat me dy turne; kemi ende punë tek shkolla “Dhora Leka” në Njësinë 7, edhe aty kemi bërë disa shtesa, por kemi shtuar edhe investime; kemi shkollën “Servete Maçi”, që ka dalë në sipërfaqe, jam i bindur se do ta konkurrojë ndjeshëm shkollën “Kosova”, si një shkollë që do të vendosë një standard të ri. Do të bëjmë çmos ta mbarojmë përpara afatit, edhe pse afati është për shtatorin tjetër. Shkolla “Dëshmorët e lirisë”, një tjetër shkollë në Njësinë 5, një shkollë e mbingarkuar, jemi në fazat finale aty, por sot është rritur në kapacitete. Ndërkohë, shkolla “Dora d’Istria”, shkolla ime e vjetër, ka një krah të ri të shkollës, kemi ngritur nga 4 klasa në çdo kat, rreth 12 në total”, tha ai.

Ndaj, theksoi ai, është papranueshme që, teksa po hapen shkolla të reja dhe po shtohen kapacitetet e atyre ekzistuese, të ketë dyndje në ato shkolla, të cilat për shkak të traditës, mendohet se janë më të mira. “Tani që bëhen regjistrimet, ka një lloj fluksi në disa shkolla të caktuara sepse shumica e prindërve mbajnë mend kohën kur kanë qenë vetë të rinj. Por, sot është komplet realitet tjetër dhe sistem tjetër. Ndaj, do të doja të përfshiheni edhe më shumë këto ditë për të arsimuar prindërit, dhe pastaj pas datës 17 për të arsimuar fëmijët. Për të arsimuar prindërit, duke u thënë se është presion pa kuptim, pasi klasat si furrik nuk ndihmojnë askënd. Mendon që i ke bërë nder fëmijës, duke e futur në atë klasë, por në fakt i ke shkatërruar jetën, jo vetëm atij fëmije, por edhe 49 të tjerëve, që i gjete në atë klasë”, bëri thirrje Veliaj.

Kryebashkiaku informoi drejtorët se situata e mbipopullimit të shkollave dhe mësimit me dy turne do të marrë zgjidhje përfundimtare me ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të nisin që këtë vit. “Unë besoj se vitin tjetër, jo vetëm mbarojnë këto që janë në proces, por brenda muajit shtator do të fillojmë themelet e para të 17 shkollave të reja. Kam përshtypjen se keni dijeni ku do të jenë shkollat e reja, pasi u kemi dhënë një fokus të madh shkollave peri-urbane sepse ato dyndin zonën e Tiranës së vjetër. Me 17 shkollat e reja që presim të hedhim themelet, shtatori tjetër të na gjejë me një pjesë të kompletuar, minimalisht nuk do flasim më për klasat me dy turne”, tha ai.

Veliaj u ndal edhe te çështja e shkollave kolektive, duke nënvizuar se Bashkia e Tiranës është gati të subvencionojë transportin e nxënësve për të zhvilluar mësim në shkolla të rregullta. “Kemi disa shkolla me klasa kolektive, sidomos në zonat e thella të fshatrave, me 7 veta në një shkollë; edhe parashkollori, edhe klasa e 9. S’ka kuptim! A nuk ka më logjikë që bashkia të pajtojë një furgon, që i sjell këta fëmijë nga fshati ekstrem në fshatin qendër, në Pezë, në Shëngjergj, në Ndroq, që të kenë mundësi që mësimin ta bëjnë me bashkëmoshatarët e tyre, me mësues më cilësor dhe mjedise të tjera? Prandaj, do ta përqafojmë idenë e ministres së Arsimit; jemi gati ta subvencionojmë transportin, ama shkolla ku mësojnë edhe fëmijët parashkollorë edhe nxënësit e 9-vjeçares në të njëjtën klasë, në kushte spartane, nuk do të ketë”, nënvizoi Veliaj.

Ai i bëri thirrje drejtorëve dhe stafeve mësimore që së bashku me administratorët dhe ndërlidhësit të sigurohen nxënësit deri në klasë të katërt të marrin librat dhe bazën e materialeve mësimore.