Veliaj: Interesi i qytetarëve është në fokusin e punës tonë, investime në çdo lagje

403
Sigal

Nis puna për
rikualifikimin urban e një tjetër blloku banesash në kryeqytet. Bashkia e
Tiranës po zbaton projektin e rikualifikimit urban të lagjes përgjatë rrugës
“Vëllezërit Manastirliu”, i cili parashikon ndërhyrjen në një sipërfaqe prej
rreth 3.5 ha, ku përfshihen punime edhe në 8 segmente rrugore. Nisja e punimeve
u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi
se, edhe në këtë lagje, investimi i bashkisë synon të sjellë standarde të
barabarta jetese si në çdo zonë tjetër të kryeqytetit, ku është ndërhyrë deri
më tani. “Më vjen mirë që po ndërhyjmë në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, që
njihet ndryshe, si blloku mbas rrugës së ambasadave. Ka ardhur koha ta bëjmë
këtë lagje si ‘jashtë shtetit’, me infrastrukturë të denjë, duke qenë se,
ndodhet shumë pranë selive diplomatike të Tiranës”, tha Veliaj. Ai falënderoi
banorët që janë treguar të gatshëm të ngushtojnë oborret e tyre, për të krijuar
hapësirat e nevojshme publike. Ky bashkëpunim, sipas Veliajt, ka bërë të mundur
që tashmë, edhe fëmijët, të kenë më shumë mundësi të luajnë në hapësira
kushtuar atyre. “Ky një është lajm i mirë, sidomos për fëmijët, të cilët do të
kenë mundësi të luajnë në hapësirat që kemi rikuperuar nga zaptimet pa leje; do
të kenë mundësinë të rriten në një qytet ku mund të luash, ku mund të
ëndërrosh, ku mund të bësh aktivitet fizik dhe të kesh një jetë të
shëndetshme”, tha ai. Kryebashkiaku Veliaj garantoi, se Bashkia e Tiranës do të
vazhdojë të punojë me moton e saj: “Një punë konkrete çdo ditë”. “Është e
vetmja përgjigje që njohim për t’i bërë ballë një mentaliteti, i cili kur e
kishte në dorë Tiranën, fjeti gjumë, kurse tani shan edhe shpif, ndërkohë që fokusi
duhet të jetë, si ta ngrysim ditën me një punë në dobi të qytetarëve. Bashkia e
Tiranës ka vetëm një qëllim: T’i shërbejë qytetit! Do të thotë ,që interesi i
madh i qytetarëve është shumë herë më i fuqishëm se interesi i vogël i dikujt
që zë një hapësirë publike, bllokon një trotuar ose ndërton një mur në mes të
rrugës”, përfundoi ai. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, theksoi,
se puna është përgjigja më e mirë e bashkisë dhe e mazhorancës në këshill, për
çdokënd që fokusohet te kritikat. “Jam i kënaqur që në emër të Këshillit
Bashkiak vij e shikoj nga afër vendimet që kemi marrë, të cilat përkthehen në
punë konkrete. Por, gjithashtu kam edhe një përgjigje për ata që nuk fokusohen
te puna, po te fjalët: Duhet të bëhen pjesë e ndryshimit, që të kenë mundësi
edhe ata të jenë përballë qytetarëve e të ndjehen mirë, përndryshe le të
vazhdojnë me fjalët. Bashkia e Tiranës, mazhoranca në Këshillin Bashkiak, dhe
të gjithë ata që kanë zgjedhur të punojnë, do ta vazhdojnë këtë punë fort, ditë
për ditë, dhe pa u ndalur”, tha ai.

 

Rikualifikimi
urban i bllokut në rrugën “Vëllezërit Manastirliu” parashikon ndërhyrjen në 8
akse rrugore. Në të gjitha këto segmente do të punohet për shtrimin e rrjetit
të plotë të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, asfaltimin, ndërtimin
e trotuareve, por edhe vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si
edhe ndriçimin. Në fillimet dhe fundet e çdo segmenti, si dhe në vendet e
kalimit të këmbësorëve në rrugë, trotuari do të ndërtohet i ulur, për të bërë të
mundur, lëvizjen lirshëm për njerëzit me aftësi të kufizuar, karrocave të
fëmijëve etj. Brenda blloqeve të banimit do të krijohen tre sheshe si ambiente
çlodhëse, të cilat do të jenë të plotësuara me gjelbërim, stola, kosha dhe
lodra për fëmijët.