Veliaj inspekton punimet për ndërtimin e Bulevardit të ri: Të ecim me po të njëjtin ritëm

533
Bulevardi i Ri që përshkron segmentin nga stacioni i trenit deri në lumin e Tiranës do të shndërrohet në një nga zonat më të rëndësishme të Tiranës, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës moderne dhe rekreacionit, por edhe të institucioneve administrative që do të zhvendosen aty.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet që po vazhdojnë për realizimin e një ndër projekteve më të rëndësishme për kryeqytetin, tha se përgjatë hapësirës së bulevardit do të zhvendosen edhe një sërë institucionesh të rëndësishme të qeverisjes vendore dhe qendrore.
Veliaj tha se është marrë vendimi që institucioni i parë që do të transferohet në këtë zonë është Bashkia e Tiranës, e cila do të zhvendosë aty të gjitha zyrat që ofrojnë shërbime për qytetarët.
“Ne kemi marrë vendimin për të zhvendosur Bashkinë e Tiranës në Bulevardin e Ri. Sigurisht, do të ruajmë ndërtesën ceremoniale në qendër të sheshit “Skënderbej”, ndërkohë që 28 zyra të ndryshme të shpërndara nëpër qytet, që ofrojnë shërbime të bashkisë, do të grupohen në një ndërtesë të madhe administrative në bulevardin e ri”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Një vendim ky, që sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vjen si shembull edhe për institucionet e tjera apo bizneset e ndryshme, që ta shikojnë këtë zonë si një mundësi reale dhe shumë të mirë për të zhvendosur aktivitetin e tyre.
“Duke dhënë shembullin që Bashkia vetë zhvendoset në Bulevardin e Ri, sigurisht që japim një sinjal edhe për të ardhmen e zhvillimit të qytetit. Nëse bashkia zhvendos të gjitha shërbimet në këtë zonë, sigurisht që kjo hapësirë është dinjitoze edhe për ndërtesa, shërbime të tjera të qeverisë apo të sipërmarrjes”, tha Veliaj.
Gjithashtu, ai tha se nisur nga fakti që ky bulevard do ketë një gjerësi prej 70 metrash, edhe disa përfaqësi diplomatike kanë shprehur interesin që selitë e tyre t’i zhvendosin përgjatë tij. Ndërsa ka folur për ecurinë e punimeve për zbatimin e projektit, Veliaj theksoi se ky vit ka nisur me një punë të intensifikuar në bulevardin e ri të Tiranës.
“Më vjen mirë që në katër muaj është zhbllokuar dhe është bërë më shumë punë se në katër vitet e fundit. Kjo është diferenca kur diçkaje i futesh me mish e shpirt. Ne, këtij projekti i jemi futur me mish e shpirt dhe kemi marrë disa vendime shumë të rëndësishme si për shembull, për ndërtimin e parkut qendror, i cili do të fillojë në këtë kuotë ku jemi dhe do të ruajë një pjesë të madhe si hapësirë e gjelbër për bulevardin e ri”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku njoftoi edhe ndërtimin e një parkimi tjetër publik në këtë zonë dhe që do t’i shërbejë si banorëve të zonës, ashtu edhe atyre që do të kenë aktivitetet e tyre në zonën e Bulevardit të Ri.
“Jemi të vendosur që të ecim me po të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit 2016. Ambicia jonë është që brenda këtij viti, ne të kemi filluar punimet e parkingut nëntokësor për 400 makina, në zonën ku Unaza dhe ish-stacioni i Trenit puqet me Bulevardin e Ri. Kemi vendosur për një hapësirë për trenin që do të mbërrijë në Tiranë, si një stacion terminal, por jo si një parking vagonash”, theksoi Veliaj.
“Sa i përket projektit, ai ka ecur me ritmet e kërkuara dhe deri më tani është konturuar plotësisht kilometri i parë. Në ditët në vijim, mbetet ende për t’u zgjidhur çështja e shpronësimit të disa familjeve në 200 metërshin e parë të Bulevardit, ndërsa shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i rrjetit sekondar i drenazhimit për mbledhjen e ujërave të bardha në qendër të bulevardit. Më pas, projekti do të vijojë me shtresat e rifiniturës, asfaltin, bordurat e gurit, trotuaret dhe gjelbërimin.”- bën të ditur Bashkia e Tiranës.
Sigal