Veliaj: Do të ndërtojmë teatrin e ri pa kullë

587
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka sqaruar se bashkia do të ndërtojë së bashku me qeverinë godinën e re të Teatrit Kombëtar, dhe se në të nuk do të ketë asnjë kullë siç është aluduar. Teksa mori pjesë në rehabilitimin e lulishtes së Akademisë së Arteve, bashkë me këngëtaren Elvana Gjata, dhe aktorin e shumë roleve në skenë dhe ekran, Kastriot Çaushi, kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi që nga aktorët të ketë bashkëpunim dhe jo histeri, siç ai u shpreh. “Do të bëjmë një propozim shumë të guximshëm për Teatrin Kombëtar, një teatër pa kullë, në gjurmën ku është sot, ekskluziv vetëm për teatrin. Por, që të bëjmë gjëra të bukura, duhet bashkëpunim, jo histeri. Na duhet të komunikojmë me njëri-tjetrin, të gjejmë mënyrën më të mirë dhe të ecim përpara”, theksoi Veliaj. Referuar rehabilitmit të Lulishtes së Akademisë dhe pjesëmarrjes të personazheve të njohur, Veliaj u shpreh: “I jam shumë mirënjohës Elvanës që për ditëlindjen e saj bashkëpunoi me ne, që t’i jepnim qytetit një qoshe e cila mbi të gjitha do të shfrytëzohet nga të gjithë studentët e arteve dhe sa bukur kur secili lë një gjurmë në vendin ku është rritur, ku është bërë e talentuar dhe pastaj ka shpërthyer si një histori suksesi”. Duke falënderuar kryebashkiakun Veliaj, artisti i njohur Kastriot Çaushi kërkoi që krahas ndërtimit të Teatrit, të nisë puna edhe për një sërë projektesh të tjera. “Ke dhënë fjalën, përveç se thua për Teatrin, edhe për hapësirat e tjera këtu, atë përballë, atje mbrapa, vërtet kemi nevojë. Unë e di, me mua të paktën i ke mbajtur të gjitha premtimet. Ndaj në emrin tim, por edhe stafit, gjithë studentëve, pedagogëve, ju falënderoj, në mënyrë të veçantë Elvanën, por edhe ju z. Kryetar për të gjithë bonsensin që keni treguar”, tha Çaushi.
Sigal