Veliaj: Brenda nëntorit çlirojmë qendrën e Tiranës nga trafiku, ekspertë të huaj për lëvizjen e nënstacionit elektrik

486

Gazeta Telegraf/



Bashkia e Tiranës dhe
OSHEE nisin punën për zhvendosjen e nënstacionit elektrik te Unaza e Vogël

 

Brenda nëntorit qendra
e Tiranës do të çlirohet nga trafiku i makinave. Bashkia e Tiranës dhe OSHEE-ja
kanë nisur punimet për zhvendosjen e nënstacionit elektrik, i cili i hap përfundimisht
rrugën zgjerimit dhe vënies në funksion të plotë të projektit të Unazës së
Vogël. Punimet, të cilat kanë nisur prej disa ditësh, u
inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u njoh
edhe me detajet e operacionit, u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit te
zhvendosjes së nënstacionit në një sipërfaqe të nëndheshme, e krijuar
posaçërisht për të. “Ka qenë një operacion i vështirë. Ju e dini fare mirë që
nënstacioni ka vite që është vendosur këtu dhe sa herë që bëhen zhvendosje të
tilla na duhet njohuri shumë e mirë teknike dhe ekspertë të huaj. Por, besoj se
disa gjëra i kemi bërë mirë dhe ia kemi dalë me sukses. Kemi bërë një
shpronësim në qendër të Tiranës, për t’i hapur rrugë projektit të Unazës Vogël,
tani po bëjmë edhe zhvendosjen e nënstacionit”, tha Veliaj. Kryebashkiaku
falenderoi edhe përfaqësuesit e OSHEE-së, të cilët kanë marrë të gjitha masat
që qendra e Tiranës mos mbetet pa drita. “Nuk kemi pasur asnjë minutë
ndërprerje të energjisë elektrike, është arritur me shumë efikasitet të bëhet
furnizimi me energji i qendrës së Tiranës, për të mos u impaktuar asnjë qytetar
asnjë orë të ditës nga procesi i lëvizjes së nënstacionit, i cili furnizon një
pjesë të mirë, në mos gjysmën e Tiranës, me energji elektrike”, tha ai. Veliaj
sqaroi se festat e nëntorit do ta gjejnë Tiranën të çliruar nga trafiku dhe
rrëmuja e punimeve, falë lirimit të hapësirës që ishte bërë pengesë prej disa
vitesh për të vënë në funksion Unazën e Vogël. “Me të mbaruar ky proces, që
besoj do zgjasë edhe disa ditë, do të vazhdojmë me përfundimin e rrugës për të
hapur Unazën e Vogël të Tiranës. Ajo që presim në këtë fazë të fundit është që,
kur të vijnë festat e Çlirimit dhe të Pavarësisë, të na gjejë të çliruar nga
trafiku dhe të pavarur nga rrëmuja e punimeve në qendër të Tiranës, për të
pasur një çlirim dhe pavarësi edhe të Tiranës në fund të nëntorit”, theksoi
kreu i bashkisë. Veliaj tha se me ritmet me të cilat ka ecur puna deri tani,
edhe sheshi “Skënderbej” pritet të marrë formën e tij të plotë para afateve të
përcaktuara në kontratë, duke i dhënë qendrës së Tiranës pamjen e merituar.
Kryebashkiaku ka kërkuar sërish mirëkuptimin e qytetarëve për pengesat e
krijuara gjatë kësaj kohe. “Me këto ritme, brenda verës së ardhshme do të
përfundojmë edhe sheshin “Skënderbej”. Dua t’ju kërkoj ndjesë qytetarëve; e di,
një shtëpi rregullohet, shiko sa rrëmujë bëhet, imagjino kur rregullojmë një
qytet të tërë, por janë punë shtëpiake që një ditë duhen bërë dhe më mirë që
t’i heqim të gjitha këto punë që në vitin e parë, pra Unazën e Vogël, sheshin
“Skënderbej”, Bulevardin e Ri, disa nga parkingjet nëntokësore, në mënyrë që pastaj
të kemi një shtëpi ku do kemi dëshirë të jetojmë të gjithë. Ndaj, shumë ndjesë
dhe shumë mirënjohje për durimin e qytetarëve. E di që është e pakëndshme
qëndrimi në trafik, megjithatë dua të falënderoj sidomos ata që kanë preferuar
të përdorin ose transport publik, ose të ecin në këmbë, ose biçikletën”, përfundoi
kryebashkiaku.

Edhe përfaqësuesi i
OSHEE-së sqaroi se është punuar në atë mënyrë që zhvendosja e nënstacionit të
mos sjellë probleme në furnizimin me energji elektrike. “OSHEE-ja ka marrë të
gjitha masat për furnizim me energji elektrike të banorëve të Tiranës. Për
momentin, po bëhet procesi i spostimit të nënstacionit. Momentalisht nuk ka
asnjë abonent pa drita. Të gjithë marrin furnizim nga linjat e tjera, në
rrjetin tonë unazor (rrjeti i Unazës së Vogël), që mbulon të gjithë zonën e
Tiranës. Zhvendosja e nënstacionit, sipas programit që kemi, rreth një muaj,
nga data e fillimit të punimeve dhe mendohet që brenda këtij afati të bëhet
komplet spostimi i nënstacionit të qendrës”, theksoi ai.

 

Sigal