Vdes ish Ministri i Brendshëm shqiptar, bie nga kati i 7

528
Sigal

Një ngjarje e rëndë është shënuar rreth mesditës së sotme në Durrës. Ish-Ministri i Rendit Publik në vitet ‘91-’92, Lavdim Hysi ka gjetur vdekjen pasi është rrëzuar aksidentalisht nga kati i shtatë i një pallati. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të mesditës së sotme në lagjen Nr.13, tek Shkëmbi i Kavajës. Sipas të dhënave të policisë, 65-vjeçari me banim në Tiranë ka qenë në banesën e motrës së tij. Policia thotë se Hysi ka hipur në një shkallë në ballkonin e apartamentit për të prerë degët e pemevë dekorative të mbjella në vazo, nga ku ka rrëshqitur dhe është rrëzuar në tokë. Si pasojë e rënies nga kati i 7-të, mësohet se viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim, si ngjarje aksidentale. Lavdim Hysi ka qenë Ministri i Parë i Rendit Publik pas rënies së komunizmit, ku ka qëndruar vetëm një vit në këtë post.