Vdekja e babait të Haradinajt, Presidenti Meta: Patriot i madh i UÇK

589
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta iu është bashkuar mesazheve ngushëlluese për ndarjen nga jeta e babait të Ramush Haradinajt, Hilmi Haradinajt pas një sëmundje të rëndë.

Përmes një mesazhi, Meta e cilëson Hilmi Haradinajt patriotin e luftës çlirimtare të Kosovës. Kreu i Shtetit kujton se kulla e Haradinjave, u kthye në kështjellë të pamposhtur të qëndresës dhe luftës për liri kombëtare.

”Ai ishte një burrë i traditës, mikëpritjes dhe atdhedashurisë. Kam pasur fatin e madh ta njoh nga afër dhe të ndjej mikëpritjen bujare të këtij njeriu të madh”,-shkruan Presidenti Meta.

Mesazhi i Presidentit Ilir Meta

Me hidhërim të madh mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt, këtij patrioti të madh të luftës çlirimtare të Kosovës, babai i dy heronjve të UÇK-së, Luanit dhe Shkëlzenit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, i cili shtëpinë e familjen e tij e ktheu në kështjellë të pamposhtur të qëndresës dhe luftës për liri kombëtare. Ai ishte një burrë i traditës, mikëpritjes dhe atdhedashurisë. Kam pasur fatin e madh ta njoh nga afër dhe të ndjej mikëpritjen bujare të këtij njeriu të madh. Ngushëllime të thella Familjes Haradinaj, të afërmve dhe miqve të tij të panumërt. Shpirti i tij u Prehtë në paqe!