Vazhdon situate kritike. Banorët: Shteti na la në mëshirën e fatit

485
Sigal

Shtetarët që ikin e vijnë duke shoqëruar nga një makinë me ndihma. Vetëm ushtarët përpiqen të bëjnë diçka. Situatë më kritike në Fier

Me përmirësimin e situatës nga dita e djeshme, po vijon të dalin në pah dëme të konsiderueshme nga përmbytja e një jave më parë. Ndërkohë që banorët e përmbytur vazhdojnë të kenë vështirësi, lufta politike vazhdon të njëjtin ritual, përbaltjen e njëra-tjetrës. Ndërkohë, nuk kanë munguar dhe incidentet mes banorëve të revoltuar për mefshtësinë shtetërore në përballimin e situatës dhe funksionarëve të lartë që kanë qenë dje mes tyre. Reshjet e djeshme, dhe ato të pritshmet në orët në vazhdim, kanë krijuar shqetësime dhe në digat e rezervuarve në veri të vendit. Ndërkohë, banorët e dëmtuar në banesa, gjënë e gjallë e pasurinë tjetër pohojnë për ‘Telegraf’ se ndjehen të harruar nga shteti.

SITUATA NGA PËRMBYTJET

Situata e përmbytjeve në jug të Shqipërisë, sipas vlerësimit paraprak të Shtabit të Emergjencave, vijon të jetë si më poshtë: Janë 602 banesa të cilat janë prekur nga vërshimi i ujërave, ndërsa 5600 hektarë toke është përmbytur nga ujërat, kurse 3500 hektarë ndodhen ende nën ujë. Sipas Shtabit të Emergjencave janë evakuuar 110 familje, ndërsa 95 familje pas normalizimit të situatës u kthyen në banesat e tyre. Ndërsa, ajo që është konsideruar tashmë si faza e dytë, janë shpërndarja e ndihmave nga Forcat e Armatosura për familjet e përmbytura. Kështu, në zonat e përmbytura në qarkun e Fierit, po shpërndahen ndihma dhe baze ushqimore për bagëtitë. Aktualisht ndihmat e dhëna nga biznese, deputetë të qarkut por edhe qytetarë po administrohen nga kryetarët e komunave.

KRITIKE GJENDJA E BAGËTIVE

Pavarësisht ndihmave, për fermerët baza ushqimore konsiderohet si e pamjaftueshme, problem ky që po ngrihet në disa fshatra është se nuk ka shkuar askush për t’i ndihmuar. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpërndarë rreth 25 ton bazë ushqimore për bagëtitë në fshatin Pojan dhe Darëzezë. Kanë qenë deputetët e LSI-së së Qarkut të Fierit, Petrit Vasili dhe Robert Bitri, të ndihmuar edhe prej fermerëve lushnjarë të komunave Tërbuf dhe Krutje, ata që kanë shpërndarë bazën ushqimore për banorët e fshatarëve të përmbytura… Ndërsa për kryekomunarin e Dërmenasit, Viktor Fasko, është e vështirë për të përcaktuar faturën e dëmeve në një kohë që uji nuk është larguar plotësisht. Ndihmat për familjet e përmbytura në qarkun e Fierit do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Në ndihmë të grupeve të emergjencës, prej disa ditësh ka ardhur edhe një grup i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky grup specialistësh të FSK-s po mbikëqyr sasinë e ujit që hyn në rezervuar dhe atij që del dhe ka sjellë edhe një pompë të fuqishme për shkarkimin e ujit të tepërt. Pas disa ditësh përpjekje, është arritur të zhbllokohet ujëlëshuesi i rezervuarit të Maskurisë, bllokimi i të cilit nuk mundësonte mbajtjen e nivelit të ujit në parametra normale.

SITUATË PROBLEMATIKE NË FIER

Me gjithë përpjekjet, situata në Fier vazhdon të jetë kritike.
Sipas të dhënave të Shtabit të Emergjencës të ngritur pranë prefekturës Fier, aktualisht janë shtatë banesa nën ujë, ndërsa në 60 të tjera ka prezencë uji. Ndërkohë aktualisht ka prezence uji në 4500 hektarë tokë. nga 7530 hektarë tokë që ishin ditë më parë. Sipas informacioneve për ‘Telegraf’ mësohet se deri mesditën e djeshme janë shpërndarë 3200 pako ushqimore, 243 çadra, 1800 batanije. Në këtë rreth janë shpërndare 40 ton misër, 35 ton hime dhe 14000 dengje me bar të thatë.
SHQETËSIMI I BANORËVE

Teksa strukturat shtetërore japin shifra dhe pohojnë se situata është nën kontroll e drejt përmirësimit, në terren përballesh me një gjendje kritike. Shumë banorë të zonave të përmbytura, të strehuar me shumicë tek të afërmit, pohojnë se u është shkatërruar plotësisht banesa e pasuria që kishin, e nuk po u japin shpresë për kompensim. ‘Nuk mjaftojnë 3 kg miell, një kg vaj e dy kg sheqer, mua e shumë të tjerëve na kanë ngordhur bagëtitë, shtëpitë i kemi pothuaj të shkatërruara… Çfarë do bëhet me ne…’- pohuan banorë të dëmtuar.

Dorentina HOXHAJ