Vazhdon dëbora në jug, Saranda nuk ka borëpastruese

458
Sigal

Bora që ka vazhduar të
bjerë gjatë natës në jug të vendit e ka shtruar Sarandën me një trashësi prej
10 centimetrash, por ky qytet bregdetar nuk ka një shërbim borëpastrues.
Autobotët e bashkisë janë pëprpjekur të pastrojnë rrugët me ujë deti.

Sipas Shtabit të
Emergjencave në Sarandë, edhe rrugët e brendshme gjatë mëngjesit ishin të
kalueshme vetëm me zinxhirë. 

Në akset nacionale, për shkak të borës, Qafa e Muzinës kalohet me vështirësi.
Situata është e ngjashme në Gjirokastër, ku qarkullimi me mjete në lagjet e
sipërme është i pamundur dhe shumë makina kanë rrëshqitur.

Zona e Zagorisë dhe Pogonit janë aktualisht të izoluara. Po  ashtu, edhe
Kurveleshi. 

Edhe Tepelena është mbuluar nga bora. Rrugët e brendshme janë pothuajse të
pakalueshme për mjetet.     
                   
Gjithashtu, janë izoluar disa njësi administrative të Memaliajt. Edhe aksi
nacional Përmet-Ersekë është i bllokuar dhe nuk funksionon dogana e pikës
kufitare të 3 urave, ku bora ka bllokuar rrugën. 11 fshatra të njësisë Frashër
janë izoluar dhe trashësia e borës arrin në 70 cm.  

Reshje të dendura dëbore kanë nisur gjatë mëngjesit edhe në juglindje. Në
Korçë, policia bën thirre që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Në Skrapar,
trashësia arrin deri 70 cm në disa fshatra, ndërsa në Berat temperaturat e
ulëta kanë dëmtuar rrjetin ujësjelllës.  

Ngricat kanë pushtuar ujërat kudo nëpër Shqipëri dhe nuk mungojnë as raste si
ky në Prrenjas, ku akulli është kthyer në element argëtimi.
 
Ajri i ftohtë polar po vazhdon aktivitetin e tij dhe temperaturat vazhdojnë të
jenë të ulëta, ku sërish sot vlera më e ulët është regjistruar -17 gradë
Celcius në  qytetin verilindor të Peshkopisë.