Vazhdon betonizimi i bregdetit, ngushtohet sipërfaqja e plazhit

605
Sigal

DURRËS/Nga Ura e Dajlanit-Plepa janë ndërtuar shumë pallate e lokale pa projekt urbanistik, heshtin bashkia dhe institucionet

Vija bregdetare në Durrës, po betonizohet çdo ditë dhe kjo në sytë e zyrtarëve vendorë dhe drejtuesve të institucioneve. Ndoshta sezoni veror 2014 (ndryshe nga ai i kaluari) nuk do të rezervojë për mijëra pushuesit që mezi presin të vijnë në Durrës, hapësira rëre për të kryer shëtitjen e mëngjesit apo dhe darkës. Shëtitorja e ndërtuar përgjatë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Shkëmbin e Kavajës, po përjeton procesin më të pamëshirshëm të betonizimit të saj. Realisht kjo vijë bregdetare, ku shtrihet edhe shëtitorja  për pushuesit, po përjeton “sulmet” nga  betonieret  pasi edhe ajo pjesë e mbetur e rërës po mbushet me beton.  Betoni po mbulon gjithë hapësirën deri pranë  rërës, ndërsa Inspektorati Ndërtimor  ka zgjedhur të heshtë përballë masakrës së madhe. Shëtitoret janë copëzuar, ndërkohë qindra metra kub  rërë janë hedhur mënjanë në breg të detit për t’i lënë vend ndërtimit të objekteve disakatëshe dhe pallateve, hoteleve e restoranteve. Një burim nga bashkia tha se: “Prishja e tyre në disa vende është bërë, po ashtu disa pallate janë ndërtuar në brezin e parë të detit duke zvogëluar dukshëm sipërfaqen e rërës, ndërsa në gjatësinë e vijës bregdetare nga Ura Dajlanit deri në Plepa janë shumë zona që themelet janë hedhur në det duke zhdukur përfundimisht brezin e rërës”. Ndërtimet e para në rërë kanë nisur në vitet 1998 dhe që nga ajo kohë pallatet, hotelet, restorantet dhe ndërtimet e ndryshme kanë ardhur duke zvogëluar vit pas viti sipërfaqen e rërës. Protestat e banorëve dhe urbanistëve dhe ambientalistëve janë ndeshur në indiferentizmin e qytetarëve, të cilët  rrallë herë, vetëm kanë denoncuar ndërtimet në brezin e rërës. Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës mundi të justifikojë disa nga këto sipërfaqe të pushtuara me pretendimet se janë bërë në kuadër të kompensimit të pronave, ndërsa në pjesën tjetër pushteti lokal ka vendosur të heshtë. Pak vite më parë Bashkia e Durrësit vendosi të shpenzojë disa miliona lekë për të ndërtuar shëtitoren  bregdetare. Disa kantiere ndërtimi u rrethuan me rrjeta, mure e llamarina për të penguar pamjen, ndërsa lartësimi i objekteve në rërë ka shkaktuar reagime të forta tek qytetarët. Tashmë në Durrës dhe sidomos në plazh nuk gjenden më qytetarë, të cilët të thonë se çfarë realisht po ndodh në bregdet se ata janë ndeshur edhe me veprime të dhunshme. Pallatet e hotelet në  bregdet kanë bërë që pushuesit vendas dhe ata nga Kosova e Maqedonia të ikin nga bregdeti i Durrësit për t’u vendosur në bregdetin e Golemit, Vlorës dhe Sarandës. Për sezonin veror 2014, sipërfaqja e rërës për pushues do të jetë më e paktë se sa një vit më parë dhe disa herë më e vogël krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa plazhet publike kanë pushtuar rërën e mbetur. Plazhi duke qenë afër qytetit ka bërë që persona të ndryshëm të shfrytëzojnë këtë rast duke nxjerrë përfitime të mëdha, ndërkohë që nuk bëhet më fjalë për pushime në rërë. Edhe ajo pak sipërfaqe rërë e mbetur e pa betonuar është parcelizuar nga hotelet dhe lokalet në brezin e rërës. Rruga Ura Dajlanit-Plepa deri në brezin e rërës janë ndërtuar disa radhë pallatesh e lokale të ndryshme pa ndonjë projekt urbanistik, me leje të dhëna nga komuna e Rrashbullit apo edhe bashkia. Në këtë pjesë të bregdetit rrallë shikon lulishte apo  park lojërash.