Vazhdojnë zjarret në Shqipëri, kjo është situata në 24 orët e fundit

602
Emergjencat Civile kanë bërë me dije situatën në 24 orët e fundit në të gjithë vendin, ku mësohet se janë shënuar 5 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Korçë, Vlorë e Gjirokastër.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 50 punonjës zjarrfikës, 7 automjete zjarrfikëse, 60 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, 48 punonjës të Pyjores dhe të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU VLORË
Janë ende aktive vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq dhe Delvinë. Situata ka qenë problematike në fshatrat Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo, bashkia Delvinë.
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse, punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës, është angazhuar dhe një helikopteri duke shuar të gjitha vatrat e zjarrit.
QARKU TIRANË
Vijon aktive vatra e zjarrit në fshatin Sinaballaj të bashkisë Rrogozhinë. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të mbështetura edhe nga një helikopter po punojnë për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit.
QARKU GJIROKASTËR
Kanë vazhduar të jenë të ndezura disa vatra zjarrit në Jorgucat të bashkisë Dropull dhe në fshatrat Kardhiq dhe Dhoksat të bashkisë Gjirokastër. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake kanë punuar duke shuar plotësisht zjarret në Dhoksat, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e vatrave të fshehura në fshatin Jorgucat dhe Kardhiq.
QARKU KORÇË
Është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha në fshatin Panarit, bashkia Korçë. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të mbështetura nga forca ushtarake, por kërkohet ndërhyrje nga ajri, për shkak të vështirësive të terrenit.
Sigal