Vazhdojnë skandalet me “ushtarakët” e Mimi Kodhelit

668
Sikur të mos mjaftonin skandalet e shumta që po ndodhin në porte, aeroporte, ministri dhe dikastere të tjera qendrore dhe lokale, edhe ushtria shqiptare mbetet e prekur rëndë nga skandalet. Kjo për faktin e vetëm, sepse pothuajse çdo ministër që ka ardhur prej afro 2 dekadash e gjysmë në Ministrinë e Mbrojtjes, (duke mos qenë ushtarak) ose ka shitur pjesën e mbetur të mallit që kanë 50 vjet që rrinë në depot e ushtrisë, apo në pista dhe aerodrome, ose kanë “qethur” gjoja për reformë, specialistët e kësaj fushe duke i mbushur pikat e pakta ushtarake me të paaftë, të korruptuar dhe mbi të gjitha me të paarsimuar. Mbi 30 për qind e efektivave të veshur me petkun e “ushtarakut” në Komandën e Elbasanit janë të paarsimuar dhe kjo në një kohë kur NATO, kërkon nga ushtria shqiptare të ketë në radhët e saj edhe ushtarin me shkollë, dhe jo pastaj komandantin e tij. Burime tepër të besueshme nga Elbasani i thanë “Telegraf” se “pas skandalit me tunelet e Labinotit, duket se punësimi i dhjetëra personave dhe veshja e tyre me rrobën e ushtarakut, pa patur asnjë prej tyre shkollë ushtarake apo ndonjë “Akademi”, përbën një tjetër shkelje ligjore, një tjetër skandal, që denoncon Ministrinë e Mbrojtjes, duke nisur nga Komanda e Forcave Tokësore dhe Operative, nga komandantët e bazës dhe deri tek krerët e atij dikasteri”. Të njëjtat burime thanë se “asnjë nuk guxon të flasë për mangësitë në kryerjen e detyrës nga “ushtarakët” e rinj, që kapardisen me rroba lara-lara majë makinave , duke na urdhëruar ne ushtarakëve që kemi mbaruar studimet në këtë fushë, duke dhënë urdhra skandalozë, pa lidhje dhe në shkelje të ligjit, duke urdhëruar futjen në territoret e atyre që mund të quhen reparte ushtarake, të personave të dyshimtë, hapin dhe mbyllin tunelet tona, dhe përgjatë gjithë natës zoti e di çfarë bëjnë këta “ushtarakë” të Ministrisë Mbrojtjes, e cila ka marrë përsipër të paguajë në pozicionin e komandantit apo zv/komandatit njerëz të tillë inkompetentë”. 

“Ushtarakët” e rinj të pashkolluar kanë kapur kyçet e komandimit

Duket se skandalet e Ministrisë Mbrojtjes nuk kanë të sosur, kur mëson se “ushtarakët” e rinj të pashkolluar, jo vetëm kanë kapur kyçet e komandimit, por ata kanë kthyer në prona të tyre edhe objektet e ish-reparteve, bëjnë pazare dhe mbushin xhepat me para të pamerituara, nga pronat që nuk janë inventarizuar kurrë. Në Prokurorinë e Elbasanit pas disa shkrimeve të botuara në media, u ngrit një grup pune me hetues dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, lidhur me skandalet dhe denoncimet e disa ushtarakëve, por duket se ndërhyrjet nga lart, bënë që çështja të mbyllet akoma pa nisur rruga e hetimit. E vetmja gjë çudibërëse, ishte flakja në rrugë e 12 ushtarakëve me eksperiencë të gjatë pune. Një pjesë e mirë e ushtarakëve të Menglit, Labinotit, Mjeksit, Krastës, akuzojnë komandantët e tyre për shkatërrimin e atyre pak reparteve dhe shitjen e trojeve dhe objekteve ushtarake, ku nuk munguan edhe tunelet, që shkojnë deri në zemër të maleve. Por marrja nën armë e “ushtarakëve” të pashkolluar, mbetet një turp i madh, kur dihet se ushtria jonë aderon në NATO, dhe në mjaft struktura të tjera të huaja ushtarake, të cilat i kanë besuar asaj investime dhe projekte të rëndësishme, por edhe operacione dhe misione të shumta ushtarake në zonat ku ka konflikte. Ushtarakët e vërtetë dhe specialistët e mbetur të kësaj fushe, i bëjnë apel Ministrisë Mbrojtjes, komandave dhe eprorëve të tyre, “të mos e mbushin atë pak ushtri që kemi me militantë dhe persona që vetëm ushtarakë nuk kanë qenë, dhe nuk do të bëhen kurrë, për të mos nëpërkëmbur më tej nderin dhe dinjitetin e ushtarakut shqiptar”. 

Makim  Tufa
Sigal