Vazhdojnë provokimet dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi

521
Sigal

Esad Gjonbalaj

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se si policia malaziase arreston shqiptarët për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar. Politika malaziase dividi et imperá (përçaj e sundo) ka arritur kulmin e vet, sepse sot shqiptarët në Mal të Zi po ndalohen në rrugë, në Festën e Flamurit iu dhunohet privatësia e, dje, madje policia malaziase kishte shkuar edhe më larg dhe kishte hyrë edhe në oborrin e shtëpisë së re të Emin Begoviqit që po e ndërtonte në trojet stërgjyshore në fshatin Milesh të Malësisë, duke ia hequr Flamurin Kombëtar nga kulmi i shtëpisë. A është ky provokim, a është kjo diktaturë, a është cenim flagrant i të drejtave elementare qytetare të shqiptarëve autoktonë? Gjithsesi se është. E ne heshtim, heshtim e “këqyrim seiri” sepse jemi të përçarë në 11 parti politike, ndërkaq populli i katandisur është në amulli që është pasojë e krizës ekonomike dhe e papunësisë dhe të mungesës së perspektivës, dhe me halle të shumta është plotësisht i dezorientuar. Po t’i kishin ndodhur këto provokime çfarëdo grupi tjetër etnik pos shqiptarëve, do të protestohej fillimisht nga shtetet amë, nga banorët në rrugë e deri në instancat më të larta të Evropës.

Shqiptarët nuk kanë kërkuar me referendum që të hyjnë nën Malin e Zi, por këto toka shqiptare që aktualisht janë nën Mal të Zi janë toka të okupuara, jo pse Mali i Zi është dhe ishte ndonjëherë forcë reale ushtarake, por për shkak të faktit, se në kohërat e okupimit Mali i Zi ishte përkrahur fuqishëm nga Rusia Cariste dhe e kishte bekimin e vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit.

Sot, kur janë mbushur 140 vite pas këtij Kongresi famëkeq (të mbajtur prej 13 qershor deri më 13 korrik 1878), përsëriten sërish të njëjtat tema dhe dilema dhe cenohen e shkelën të drejtat elementare njerëzore të popullatës shqiptare. Në kohën kur jetojmë, kinse në një shtet evropian qysh pretendon të jetë Mali i Zi, hyrja e policisë malaziase me dhunë nëpër shtëpi të shqiptarëve dhe heqja e Flamurit është akt kriminal, i cili meriton një përgjigje të ashpër, sepse po na cenohet dhe preket pragu i shtëpisë, po na cenohet dinjiteti kombëtar dhe se simboli më i shenjtë kombëtar- Flamuri i vendosur po përulet dhunshëm e së bashku me të edhe ne shqiptarët si individë, por edhe si shoqëri.

Kurrë nuk duhet harruar se Flamuri që u largua nga kulmi nuk është vetëm i asaj familjeje qe është provokuar. Është i tërë kombit shqiptar dhe si të tillë duhet te jemi unik ta ruajmë, ta mbrojmë dhe mos të lejojmë që Cërna Gora të na e përulë dinjitetin tonë, me gjak të fituar, kombëtar.