VATRA i kërkon qeverisë shqiptare transparencë për kufirin detar dhe çështjen çame

722
Pas çështjes së debatueshme për 12 miljet e brigjeve shqiptare që u jepen Greqisë ka reaguar edhe shoqata “Vatra”. Në deklaratën e saj “Vatra” ka theksuar edhe një herë, se duhet transparence për sa i përket kësaj çështjeje. Një rast që nuk duhet të kalohet në heshtje
Deklaratë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i ka ndjekur me kujdes dhe interes të veçantë bisedimet e Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe atij të Greqisë Niko Kotzias, zhvilluar në Kretë dhe në Korçë, në dy raunde 3-ditore për zgjidhjen e problemeve të vjetra mes dy vendeve të mbartura që para 70 vitesh. Duke qenë se Qeveria shqiptare ende nuk ka dhënë detaje dhe informacionin e nevojshëm për shqiptarët rreth asaj që u quajt “Marrëveshje Historike” nga Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Bushati, Vatra ndjehet e shqetësuar për atë çfarë deklaroi Ministri i Jashtëm i Greqisë, Niko Kotzias se “Shqipëria ka rënë dakord që Greqia të zgjerojë kufirin detar në 12 milje.” Mospërballja e qeverisë shqiptare me këtë deklaratë, moskundërshtimi, e shton shqetësimin e “Vatra-s” dhe të vatranëve. “Vatra” që 105 vitet e jetës së saj ia ka kushtuar mbrojtjes së tërësisë së Shqipërisë, “Vatra” që mbrojti Korçën dhe Gjirokastrën në kohë të vështira, në Konferencën e Londrës dhe në atë të Parisit, i apelon qeverisë që të mos hyjë në pazare që cenojnë kufijtë shqiptarë dhe t’u japi detaje shqiptarëve për marrëveshjen, që pritet të nënshkruhet në Tiranë gjatë vizitës së Kryeministrit Aleksis Tsipras në Tiranë në muajin prill. Vatra sjell në kujtesë të shqiptarëve edhe lëshimin që ka bërë qeveria shqiptare për lejimin e ndërtimit të varrezave greke në territorin shqiptar. Do të mjaftonte një Memorial në kujtim të viktimave të asaj lufte që nuk e bënë shqiptarët, por italianët dhe grekët.

Po ashtu “Vatra” sjell në kujtesë edhe çështjen e pazgjidhur Çame, për të cilën Ministri i Jashtëm Grek deklaroi, në kundërshtim me atë çfarë deklaroi Ministri ynë, se nuk është shtruar fare në tryezën e bisedimeve. Deklarata e fundit e Presidentit Grek Prokopis Pavlopulos, i cili e konsideron Çështjen Çame të pakuptimtë, e kyç problemin përfundimisht në “Kalendrat Greke”. Kërcënimi i presidenti Pavlopulos, se Greqia do të bllokojë çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, nëse shtrohet Çështja Çame, nuk përcjell frymën Evropiane të një vendi anëtar i BE, siç është fqinji ynë jugor. “Vatra” është e interesuar që marrëdhëniet me fqinjin jugor të jenë të mira dhe problemet e mbartura të gjejnë zgjidhjen e duhur, por jo duke “dhuruar” hapësira detare, apo pasuri të shqiptarëve. Shqipëria nuk mund ta “blejë” votën e Greqisë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE duke dhuruar pasuritë Kombëtare apo duke braktisur Çështjen Çame.
Sigal