Vasil Shanto, hero i Popullit

17
Në 74 vjetorin e rënies
Kur ndodhesh pranë bustit të Heroit të Popullit Vasil Shanto, në Vrakë të Malësisë së Madhe, ndjen një emocion të veçantë, por dhe një krenari të ligjshme. Kjo sepse ne gjendemi pranë bustit të njërit prej militantëve më të shquar komunistë, njërit prej udhëheqësit më të lavdishëm të Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Busti i Vasil Shantos, dallohet nga të gjithë bustet e Heronjve të tjerë për dy detaje të veçanta: Për vështrimin e heroit, vështrim e shikim i cili shkon tej horizontit, dhe së dyti: për armën në pozicion luftimi që ai ka të fiksuar në dorë. Skulptori me patjetër e ka ditur mirë historinë e jetës dhe veprës së Vasil Shantos. Vasil Shanto ishte një komunist vizionar, veti kjo që i buronte nga shpirti proletar dhe mendja intelektuale. Nga ana tjetër, automatiku në dorë nuk personifikon vetëm aktin e tij të fundit, kur heroi ra duke luftuar, por një fakt më përgjithësues, më domethënës se sa një akt i vetëm, qoftë edhe final. Automatiku në duart e Vasil Shantos personifikon Luftëtarin e Lirisë, Njeriun e Aksionit, Komunistin dhe Revolucionarin Profesionist. Politikanët e sotëm borgjezë të vendit tonë, mendojnë se Ylli Komunist i Vasil Shantos është shuar, se idealet komuniste kanë vdekur, se nuk mund të ketë më kauzë të revolucionit e as “Diell alegorik” të Migjenit, por vetëm natë të zezë sterrë si shpirti e morali i politikano-pushtetarëve tanë, që janë kthyer në bejlerë e skllavoprobnarë për të rjepur punëtorin, fshatarin, intelektualin dhe shtresat e varfëra të qytetit e të fshatit. Por gabohen! Gjaku i Dëshmorëve dhe i heronjve si Vasil Shanto me shokë nuk mund të humbasë. Vepra dhe akti i tyre heroik do të mbajë ndezur në zemrat e shqiptarëve idealet komuniste e partizane, idealet e vërteta që në 29 Nëntor të vitit 1944 na patën sjellë Lirinë e Pavarësinë e vërtetë, të cilat shqiptarët i përjetuan e gëzuan për gjysëm shekulli të periudhës socialiste. Ne komunistët e sotëm, nën shembullin e komunistëve që projektuan e realizuan dy epokat madhështore të popullit tonë, LANÇ dhe Ndërtimin e shoqërisë Socialiste, nuk do të mungojmë në asnjë moment të jemi në ballë të Luftës sonë të përbashkët për një Shqipëri vërtet të lirë, të pavarur e të begatë, ashtu siç e ëndërronin Rilindasit tanë të mëdhenj, ashtu siç e realizuan Heronjtë e Dëshmorët e Atdheut, si Vasil Shanto me shokë, ashtu siç e patëm për gjysëm shekulli nën drejtimin e Shqiptarit të Madh Enver Hoxha.
LAVDI NË SHEKUJ HEROIT TË POPULLIT VASIL SHANTO!

Gjon BRUÇI