Varrezat e ushtarëve grekë dhe tkurrja e truallit shqiptar

676
Harallamb Kota
Studiues
Shqiptarët dhe grekët janë dy popujt më të vjetër të Ballkanit që kanë ndarë bashkërisht vuajtjet e pushtimeve dhe të sundimtarëve të huaj; serbë, bullgarë dhe osmanë. Mirëpo, marrëveshjet e fshehta midis Portës së Lartë dhe Patrikanës së Kostandinopojës kundër Oksidentit dhe Vatikanit, synonin acarimin e bashkëjetesës midis popullit shqiptar dhe popullit grek. Nacionalistët grekë morën përsipër t’u kundërviheshin interesave të shqiptarëve, fqinjëve të tyre shekullorë, edhe pse shqiptarët udhëhoqën revolucionin grek dhe mbështetën krijimin e Greqisë. Sidoqoftë, krijimi i Greqisë zgjoi ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Mirëpo, platforma e Rilindësve shqiptarë për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane dhe për të krijuar shtetin e tyre, u kundërshtua nga Porta e Lartë, Patrikana e Kostandinopojës, nga kisha dhe qeveria greke. Takimet diplomatike të zhvilluara fillimisht nga Abdyl Frashëri e më pas nga Ismail Qemali, me përfaqësues të nacionalizmit grek dhe të qeverisë greke për krijimin e shtetit shqiptar nuk gjetën përkrahje dhe u kundërshtuan nga përfaqësuesit grekë. Qëndrimi antishqiptar i qeverive greke dhe i kishës greke, armiqësoi dy popujt fqinj dhe prodhoi fatkeqësi e lumenj gjaku. Nacionalizmi dhe priftërinjtë grekë, orkestruan vrasjen e patriotëve dhe priftërinjve shqiptarë, që jetonin paqësisht në trojet e tyre shekullore dhe kërkonin krijimin e shtetit të shqiptarëve dhe autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Në dy luftërat ballkanike dhe në dy luftërat botërore, grekët, ushtria greke dhe qeveria e Greqisë, janë përpjekur të realizojnë qëllimet e tyre aneksioniste ndaj trojeve shqiptare, duke lidhur aleanca ushtarake me armiqtë e Shqipërisë. Qëndrimi armiqësor i qeverisë greke, u shfaq gjatë luftërave ballkanike, ku me pretekstin e luftës kundër ushtrisë osmane, ushtria greke pushtoi me forcën e armëve territoret shqiptare të Epirit të Jugut dhe të Maqedonisë Veriore. Oreksi shovinist i qeverive greke, u shtua më tej pas Luftës së Parë Botërore, duke synuar gjysmën e Shqipërisë deri në Shkumbin, sipas marrëveshjes së lidhur midis Beogradit dhe Athinës, gjë e cila nuk u realizua, falë qëndrimit të mbajtur nga Presidenti Wilson në përkrahje të çështjes shqiptare. Lufta e Dytë Botërore, ngjalli përsëri orekset dhe pikësynimet e nacionalizmit grek. Qeveria greke, lidhi një marrëveshje të fshehtë me qeverinë fashiste italiane, e ngjashme me marrëveshjen Venizellos-Titoni, duke përkrahur pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Shqipëria e vetme, pa përkrahjen e shteteve evropiane dhe e rrethuar nga dy shtete armiqësore, Jugosllavia e Greqia, më 7 prill 1939, u pushtua nga ushtria fashiste italiane. Pas pushtimit të Shqipërisë, ushtria italiane sulmoi edhe Greqinë. Lufta italo-greke e zhvilluar brenda territorit të shtetit shqiptar pati shumë të vrarë. Bëhet pyetja: Ushtria greke erdhi në trojet shqiptare për të luftuar me ushtrinë italiane apo erdhi si pushtuese, siç kishte ardhur edhe në vitet 1911-1919, me pretekstin e çlirimit të Vorioepirit, duke pushtuar territoret shqiptare në vijën Korçë-Gjirokastër? 

Po t’i referohemi marrëveshjes italo-greke, e lidhur para pushtimit të Shqipërisë, nga ushtria fashiste italiane, ku palët ishin dakortësuar për aneksimin e territoreve shqiptare, atëherë pikëpyetjes së mësipërme duhet t’i shtojmë edhe disa pikëçuditëse (?!!!). Këto pikëpyetje dhe pikëçuditëse, kanë udhëhequr klasën politike shqiptare që qeverisi Shqipërinë në vitet 1912-1990, duke mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë në kufijtë e caktuar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913, kundër pretendimeve të shovinistëve grekë.

Mirëpo ky qëndrim i qeverive shqiptare të viteve 1912-1990, ndryshoi krejtësisht pas ndryshimit të sistemit politik, kur klasa politike që mori drejtimin e shtetit po karakterizohet nga një qëndrim liberal dhe jo dinjitoz lidhur me pretendimet e Greqisë ndaj Shqipërisë. Qeveritë shqiptare postkomuniste dhe klasa politike me ngjyrime të ndryshme partiake, në luftën e vazhdueshme për pushtet, në marrëveshje me qeveritë greke dhe partitë greke, po e “lëshojnë perin”, duke kënaqur kërkesat e tyre aneksioniste, për detin, varret e ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke etj…etj. dhe njëkohësisht duke anashkaluar e injoruar interesat kombëtare të shqiptarëve në Shqipëri dhe në Greqi. Bëhet pyetja: A janë të pranueshme kërkesat Greke lidhur me përcaktimin e kufirit detar dhe me ndërtimin në territorin shqiptar të varrezave të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke ? Sigurisht, që nuk janë dhe populli shqiptar duhet të shprehet masivisht dhe të kundërshtojë çdo marrëveshje që lidhet kundër interesave kombëtare. Takimet e Kretës dhe Korçës midis ministrave të jashtëm Bushati-Kotzias, për zgjidhjen e disa çështjeve që dëmtojnë marrëdhëniet greko-shqiptare, duhen përshëndetur, por njëkohësisht u duhet kërkuar zbardhja e marrëveshjes, pasi jemi të informuar vetëm me përqafimet e palëve dhe fillimin e gërmimeve në territorin shqiptar për gjetjen e ushtarëve grekë. Bëhet pyetja: A ka një marrëveshje midis ministrave Bushati-Kotzias lidhur me kufirin detar, ligjin e luftës dhe zgjidhjen e problemit të shqiptarëve çamë, për kthimin e tyre në Çamëri, dhënien e shtetësisë greke dhe kthimin e pronave të tyre shekullore. Shqetësimi i shqiptarëve që e duan vendin e tyre dhe miqësinë me popullin grek, qëndron në tymnajën e informacionit, mbajtjen sekret të marrëveshjes së lidhur midis dy ministrave dhe dhënia e lejes për fillimin e punimeve për zhvarrosjen e ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke dhe ndërtimin e disa varrezave me eshtrat e tyre në vijën e pretenduar nga ana greke si kufiri i Vorio-Epirit. Zbulimin e eshtrave të ushtarëve grekë në luftën italo-greke e përshëndesim. Por varrimin e tyre në tokën shqiptare dhe ndërtimin e varrezave në Shqipërinë e tkurrur në 28 mijë kilometra katrorë nuk e pranojmë. Ky është një veprim i gabuar i ministrit Bushati, dhe kryeministri Rama duhet ta anulojë. Marrëveshja e Kretës dhe e Korçës midis ministrave Bushati-Kotzias, duhet të merrte në baraspeshë zbulimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke dhe njëkohësisht heqjen e ligjit të luftës dhe zbulimin e eshtrave të shqiptarëve çamë të masakruar nga bandat e nacionalistëve grekë në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë luftës civile në Greqi, dhe rivarrimin e tyre në trojet e veta autoktone. Historia na mëson: “Sa do lëshime t’i bëhet Greqisë, duke shpresuar normalizimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, në rastin konkret përkrahjen e Greqisë që Shqipëria të pranohet në BE, nacionalizmi grekoman dhe qeveritë greke, do të gjejnë pretekste të tjera, … e të tjera…pambarim, deri në plotësimin e pretendimeve të tyre ndaj Shqipërisë dhe aneksimin e territoreve shqiptare të mbetura pas vitit 1913”. Në kushtet e zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes, është me interes publik kundërshtimi i ndërtimit të varrezave me eshtrat e ushtarëve grekë. Qeveria greke, duhet të marrë eshtrat e shtetasve të vet, të rënë në luftën italo-greke, t’ua dorëzojë familjarëve dhe t’i varrosë brenda territorit të shtetit Grek. Shqipëria, nuk mund ta tkurrë më tej territorin e saj me varreza ushtarësh të huaj. 
Sigal