Vangjush Dako: Plani i ri, mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit në të ardhmen

744
Sigal

Përfaqësues të studiove
projektuese kanë prezantuar në një panel të zgjeruar planin e përgjithshëm
vendor për rajonin Durrës-Shijak-Vorë. Urbanisti Luciano Aletta, përfaqësues i
firmave Dogma, Latitude platform, Milan Ingegneria dhe arkitekti Ermal Bleta i
Studios B&L kanë prezantuar, duke e ndarë në 13 sektorë dhe kapituj
zhvillimin e pritshëm të Durrësit, sipas ndarjes së re
administrativo-territoriale. Ky takim është konsultimi i katërt publik në
lidhje me këtë plan. Në këtë dëgjesë merrte pjesë kryetari i Bashkisë së
Durrësit Vangjush Dako, zyrtarë të lartë të administratës vendore e qendrore,
të gjithë projektuesit, studentët, firmat e ndërtimit, shoqatat, institucionet,
organizatat jofitimprurëse, grupet e interesit që operojnë në territorin e
Bashkisë Durrës si dhe qytetarët që ishin të interesuar në mundësitë e
zhvillimit të qytetit në vitet e ardhshme. Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij
deklaroi se ky është një plan mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit në
të ardhmen dhe se implementimi i tij mund të fillojë që në muajin nëntor. Po kështu
kryebashkiaku Dako i bëri thirrje grupeve të interesit por edhe qytetarëve që
të jenë sa më aktivë në vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me këtë pan në mënyrë
që zbatimi i këtij plani të jetë sa më shumë në përputhje me interesat e
qytetarëve të Durrësit. Në këtë dëgjesë publike është prezantuar faza e tretë e
këtij plani që është: ‘’Plani i Zhvillimit Territorial dhe Rregullorja Lokale’’
për Bashkinë Durrës.


Propozimet e arkitektëve dhe
urbanistëve italianë


Urbanisti italian Luciano Aletta
foli për zhvillimin e rajonit si e kanë menduar arkitektët e studiove që po
punojnë së bashku, për propozimet konkrete të zhvillimit sipas boshteve ideore
të tyre dhe ndërthurjen e elementëve të peizazheve të bukura kodrinore,
ruajtjen e bregdetit, sidomos në pjesën veriore, si dhe rikthimin e një
bujqësie të zhvilluar në zonat fushore. Në lidhje me sektorin e bujqësisë,
raportohet se ajo ka pësuar rënie të prodhimit me 70 % në 20 vitet e fundit dhe
potencialet për zhvillimin e saj janë shumë të mëdha. Ndërtimet e
pakontrolluara nuk duhet të vazhdojnë më, por propozohet konsolidimi i zonës
historike të qytetit të Durrësit në zonën e amfiteatrit dhe murit të kalasë. Po
kështu nuk sugjerohet shtrirja e mëtejshme e qytetit, por shtimi i dendësisë
aty ku ka mundësi. Arkitektët propozojnë ruajtjen e peizazhit kodrinor dhe
zhvillimin e një turizmi të butë. Gjithashtu, theks i veçantë i është dhënë
zonës portuale, e cila propozohet t’i rikthehet qytetit dhe qytetarëve, siç
duhet të jetë në çdo qytet bregdetar europian.

Modernizimi i portit të Durrësit


Kjo do të sjellë spostimin e
trajtimit të mallrave në portin e ri në veri të qytetit. Të pranishmit kanë
bërë pyetje që lidhen me këtë plan, i cili po kalon në fazën e tij të fundit të
konsultimit publik, ku më parë është konsultuar me banorët e çdo rajoni të
Durrësit e më pas janë zhvilluar edhe tre dëgjesa publike me grupet e interesit
dhe banorët e qytetit. Bashkia Durrës i është bashkuar nismës së hartimit të
Planit të Përgjithshëm Vendor për gjithë-përfshirjen e territorit në
administrim të saj. Në dëgjesën e parë publike është bërë prezantimi publik për
fazën e analizës së territorit, të bërë nga studiot. Në të dytën është bërë
konsultimi publik për fazën e strategjisë territoriale, me pjesëmarrjen e
grupeve të interesit dhe aktorëve të tjerë institucionalë të qytetit, në tretën
studio e projektimit të Planit të ri të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Durrës,
bëri prezantimin e fazës së 2-të: ‘’Strategjia Territoriale dhe Plani i
Veprimeve Strategjike/Prioritare, Investimet Kapitale dhe Projektet Pilot të
Zhvillimit për Bashkinë Durrës’’. Dëgjesa e datës 5 shtator ishte për fazën
përmbyllëse të këtij dokumenti kyç për zhvillimin përgjatë viteve të ardhshme
të qytetit të Durrësit, përpara se të fillojë faza e miratimeve nga
institucionet përkatëse dhe të marrë kështu formën përfundimtare për zbatim.