Vangjush Dako: Nderim të rënëve dhe dëshmorëve të atdheut

608
Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi, prefekti Roland Xhelilaj, deputetja Klodiana Spahiu, kreu i organizatës së veteranëve të LANÇ-it për rrethin e Durrësit Xhemal Kaçani, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas e ka marrë fjalën kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili deklaroi se do të kujtojmë gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën qytetin aq shumë sa sakrifikuan edhe jetën e tyre për të. 
Fjala e kryebashkiakut
Midis të tjerash kryebashkiaku Dako u shpreh: “Të nderuar veteranë të luftës, të afërm të familjeve te dëshmorëve, përfaqësues të organeve të pushtetit qendror. Ju falenderoj të gjithëve për praninë këtu, ku si çdo vit, mblidhemi në përkujtim të ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar e kanë dhënë jetën dhjetra patriotë, luftëtarë të lirisë, të rinj e të reja. Me lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin dhe vetëmohimin e të gjithë këtyre heronjve që në emër të lirisë nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e madhe dhe të lavdishme të 14 Nentorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë. Durrësi, u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse pikërisht në këtë qytet, më 7 prill, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Durrësi u bë në këtë mënyrë një ndër qytetet më të rëndësishëm të kësaj lëvizjeje. Me kalimin e viteve edhe nën thundrën e okupimit nazist, qyteti nuk e ndali luftën për çlirim, por përkundrazi e shtoi atë edhe më shumë, duke zgjeruar bazat e luftës dhe shtuar rradhët e luftëtarëve të lirisë. As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës ndaj nazifashizmit”. 
Nderim për popullin e Durrësit
Më poshtë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako tha se “sot, pas 71 vjetësh ne jemi krenarë të përkujtojmë ditën historike të 14 nëntorit dhe të shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit. Kjo ditë, teksa na fton te gjithëve si qytetarë të shprehim këtë respekt e mirënjohje, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, që drejtojmë sot këtë qytet na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqiperi të lirë dhe europiane. Durrësi, qyteti ynë, po ecën me ritme të shpejta në rrugën e tij të pandalshme drejt zhvillimit. Të gjithë së bashku na duhet të punojmë palodhur për të patur një qytet sa më të begatë, me të pastër, më të lulëzuar, me ekonomi më të zhvilluar e me mirëqenie më të lartë sepse vetëm në këtë mënyrë përmbushim jo vetëm amanetin e të rënëve, por dhe aspiratën e qytetarëve tanë”. 
Përshëndetje dhe veprimtari të tjera
Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe nga dita e çlirimit të Durrësit. Po kështu me rastin e kësaj dite Bashkia e Durrësit kishte organizuar edhe çeljen e një ekspozite retrospektivë në Glerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” ku janë ekspozuar relike të luftës për çlirim si dhe piktura me këtë tematikë të autorëve të njohur shqiptarë ndërkohë që më pas të pranishmit kanë ndjekur edhe një concert me motive patriotike në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”.
Sigal