Vajza që do të thyejë standardet e bukurisë

652
Shumë njerëz mendojnë se të kesh një lëkurë me akne je duke bërë diçka të gabuar me fytyrën tënde, për këtë arsye, shpesh, personat me akne në fytyrë paragjykohen shumë, madje u jepen këshilla se si të mbulohen ato.
Mirëpo të kundërtën e kësaj dëshiron ta bëjë Elona Beqiraj, e cila ka shprehur dëshirën që të realizojë një ekspozitë fotografike e cila ka për qëllim identifikimin e njerëzve të cilët ballafaqohen me këto probleme të lëkurës.
Elona tregon se këtë ekspozitë e ka menduar edhe më parë, mirëpo mbështetja nga të tjerët e ka shtyrë që të marrë këtë iniciativë.
“Prej se u shpërnda fotoja ime natyrale, në të cilën dukej lëkura ime e ‘ndjeshme’ nëpër rrjete sociale më kanë ardhur me qindra mesazhe se qysh janë frymëzuar njerëzit që “mos të fshehen më nga vetëvetja” dhe gjithashtu sa të shokuar ishin disa njerëz të tjerë. E gjithë kjo vëmendje që kishte marrë një foto aq e thjeshtë (që per mua skishte aq shumë kuptim në fillim) më tregoi mua që standardet e bukurisë ende bëjnë presion të madh ndaj njerëzve dhe që është koha t’i thyejmë ato!”, është shprehur ajo.
Sa i përket paragjykimeve të shumta të cilat ekzistojnë për njerëzit me akne, Elona ka thënë se :
“Njerëzit me akne në fytyrë paragjykohen, e sidomos vajzat sepse janë në presion të madh të jenë ‘të bukura” “perfekte” në dukje, dhe mos të kenë asnjë  ‘gabim’.  Besoj qe çdo vajzë të paktën njëherë e ka dëgjuar dikënd duke i thënë se “Femrat duhet me e mbajtë veten”. Aknet shumë njerëz në shoqërinë tonë i lidhin me papastërti, pa shikuar më thellë e pa kuptuar se aknet tek shumica e njerëzve shkaktohen nga hormonet, bakteriet në gjak dhe nga alergjia, probleme të cilat kryesisht mund të trajtohen vetëm me hapa të cilët rrezikojnë shëndetin e organeve tjera”.
Elona ekspozitën e saj e ka menduar ta realizojë në mes të vitit 2017, ndërsa fotografitë mendon t’i realizojë gjatë kësaj kohe.
Ajo është shprehur se qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është që njerëzit ta pranojnë veten ashtu siç janë, pa pasur frikë se po gjykohen nga të tjerët.
“Me gjithë këtë ekspozitë e kam vetëm një qëllim; t’i thyejmë standardet e bukurisë së bashku, e ta pranojmë veten ashtu si jemi”, ka përfunduar ajo.
Sigal