Uzina e Përpunimit të Naftës në Kuçovë, fuçi baruti për banorët

654
Sigal

Kryebashkiaku Gjyzeli: Kërkohen fonde për rehabilitimin e mjediseve të ndotura nga helmet, por s’kemi!

Degradimi i godinave Uzinës së Përpunimit të Naftës, dikur një nga veprat e njohura e produktive në vend, për shkak të kontaminimit të tokës e mjediseve dhe mungesë së rehabilitimit të tyre nga helmet, vazhdon të mbetet një kërcënim serioz për jetën e banorëve të qytetit të Kuçovës e rrethinave. Këtë e pohon për gazetën “Telegraf” Bardhyl Gjyzeli, Kryetar i Bashkisë së Kuçovës. “Gjendja në zonën industriale të naftës, është e rënduar. Ne si bashki arritëm të krijonin një bashkëpunim me çekët për rehabilitimin e kësaj zone të banuar, neutralizimin e mbetjeve dhe pyllëzimin e zonës. Por ka kaluar kohë dhe nuk kemi asnjë dritë jeshile deri tani me ‘ta. Po përpiqemi të gjejmë një donator tjetër, në mënyrë që të përmirësohet situata”,- pohoi Gjyzeli.

HISTORIA

Ndërtimi i Uzinës së Përpunimit të Naftës dekada më parë në Kuçovë, në një nga zonat më të pasura naftëmbajtëse, bëri që në ‘të të punësohen 560 punëtorë dhe specialistë. Njëkohësisht, nënproduktet nga përpunimi i naftës si vajguri, nafta, vajrat speciale, bitumi, etj., ishin burim i rëndësishëm për plotësimin e nevojave në vend dhe sigurimin  të ardhurave për ekonominë e vendit. Madje, për kontrollin e këtyre nënprodukte u ndërtua dhe laboratori me parametra bashkëkohore, i cili shërbente për të kryer të gjitha analizat, e në veçanti, vajgurit, që përdorej për avionët luftarakë. Specialistët shprehen se, kjo ishte një nga uzinat më moderne,jo vetëm në vend, por dhe në Ballkan. Por shpejt do të mbaronin dhe ditët e mira për këtë uzinë. Pas vitit 1990, filloi ndërprerja e prodhimit dhe shkurtimi i fuqisë punëtore. Në trazirat e vitit 1997, filluan shkatërrimet dhe grabitjet e pasurisë së saj. U arrit deri atje sa të shembeshin muret e objekteve dhe të merreshin tullat.

HELMET

Si pasojë e shkatërrimit, kjo uzinë u kthye në një zonë shumë e rrezikshme për jetën e njerëzve. Të gjitha helmet që përdoreshin, në laboratorë apo në industrinë e përpunimit të naftës, mbeten në sipërfaqe. Një pjesë të tyre depërtuan në tokë, një pjesë tjetër mbeti në formën e pellgjeve në sipërfaqe. Tashmë, tubacionet me përmasa të mëdha që shërbenin për transportimin e helmeve janë të shkatërruara dhe kimikatet interferojnë në tokë, mjedise dhe prurjet e lumit. Situata më e vështirë paraqitet për shumë familje të ardhura nga zonat rurale, të cilat i kanë ngritur banesat e tyre apo ushtrojnë aktivitetin në sipërfaqe me mbeturina e të pa rehabilituara. “Kjo zonë, është kthyer në një fuçi baruti. Kërkohet sensibilizim i banorëve dhe investime për rehabilitim”,- pohon 63-vjeçari V. Gegaj. Ndërsa Kryebashkiaku pohon se, kanë projekte për rehabilitimin e zonës së mësipërme, por mungon financimi i tyre. Ai shton se krahas kërkimit të donatorëve të huaj, ka kërkuar dhe nga qeveria fondet e nevojshme për realizimin e këtij projekti.