Ushtria pastron rrugët. Ndërhyrja në akset drejt plazheve

476
Forcat e Armatosura, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, që nga data 7 korrik kanë angazhuar 454 efektivë në terren, 44 mjete transporti, si dhe një mjet agregat në pastrimin e akseve nacionale rrugore që lidhin zonat turistike të vendit.

Drejtimet kryesore ku do të përqendrohet aksioni i FA janë akset rrugore Shkodër-Hani i Hotit, Shkodër-Muriqan dhe Shkodër-Velipojë, Lezhë-Shëngjin-Tale, Ishëm-Durrës, Vlorë-Sarandë, Gjirokastër-Përmet, etj. 

Që nga nisja e aksionit e deri më tani, Forcat e Armatosura kanë pastruar 357 km rrugë duke mbledhur dhe transportuar në landfillet përkatëse mbi 518 metër kub mbeturina që kanë qenë të hedhura anës akseve rrugore. 

Ky aksion parashikohet të vazhdojë deri në datën 20 korrik, kur është planifikuar që të jenë pastruar të gjitha akset që lidhin zonat kryesore turistike, bregdetare, por jo vetëm dhe që kanë fluks vizitorësh gjatë sezonit veror. 

Ndërkohë, paralelisht me këtë aksion, Forcat e Armatosura kanë qenë të angazhuara me efektivë në terren, si dhe me mjete edhe në operacionet për fikjen e zjarreve në të gjithë vendin, si dhe në aksionin e përbashkët me Bashkinë e Tiranës për parandalimin e abuzimeve me ujin e pijshëm dhe përballimin e situatës për shkak të thatësirës.
Sigal