Ushtarakët nuk lypin

636
Mersin Kurti

Përdora termin ushtarakët, jo vetëm si gjithëpërfshirës, por sepse, një gjeneral në rezervë, jo i pa punë, na vlerëson si të tillë, në rezervë dhe jo në pension të parakohshëm apo lirim. Ndoshta do t’u duhemi një ditë dhe mund të na përdorin sërish. 

Dikur në fëmijëri luanim një lojë të quajtur, -“e ka kush e ka”. Vraponim të preknim shokun dhe ai të ndiqte të tjerët për t’i lënë stafetën e ndjekjes. Kështu po ndodh edhe në zbatimin e ligjit për statusin e ushtarakëve. Qeveritë i lënë stafetën njëra -tjetrës dhe kalvari i moszbatimit të tij vazhdon prej 13 vitesh. Përse të jetë kështu dhe përse një ligj i miratuar me unanimitet, si rrallë ligje në parlamentin tonë, nuk zbatohet, por stisen e shpiken lloj-lloj mënyrash e mjetesh për të kundërtën? Rrënjët e këtij qëndrimi dhe tendenca për degradimin e ushtarakëve mendoj se kanë zënë fill menjëherë pas zgjedhjeve të para pluraliste. Atë kohë ata u akuzuan se së bashku me fshatarësinë kishin votuar për të mbajtur në pushtet komunistët. Që fshatarësia mund të ishte pak e vonuar në perceptimin e ngjarjeve të kohës, edhe është, edhe s’është e vërtetë. Ndoshta për këtë do të duhet një analizë e thellë e ngjarjeve me mendje të ftohtë, por që ushtarakët të kenë mbajtur qëndrim jo koherent nuk është aspak e vërtetë. Ata në përgjithësi, ndoshta më mirë se shumëkush e kuptuan domosdoshmërinë e shndërrimeve demokratike, por qenë mjaft të matur dhe të ekuilibruar në qëndrimet e veprimet e tyre. Më pas qëndrimet denigruese dhe përjashtuese nga veprimtaria për ngritjen e shtetit të ri demokratik do të thelloheshin. Për të ardhur tek ngjarjet e rënda të vitit të mbrapshtë 1997, (që të kujtojë si emërtim vitin 1913 për të cilin shkruan Kadareja) të cilat u përpoqën t’ua faturojnë kinse ushtarakëve, pavarësisht se një pjesë e tyre qëndruan dhe ranë heroikisht në mbrojtje të reparteve. U rikujtoj politikanëve se ushtarakët, pavarësisht bindjeve nuk kanë qenë asnjëherë, as kundër reformave të domosdoshme për zhvillimin dhe përparimin e vendit, as kundër reformave për modernizimin e ushtrisë, për ngritjen e një strukture moderne dhe efikase të saj, në përputhje me potencialin ekonomik të vendit dhe me zhvillimet e kohës. Por edhe në zbatimin reformës në ushtri, u ndërmorën dhe u kamufluan veprime të padrejta në emër të saj. Ushtarakët u hodhën në rrugë dhe u keqtrajtuan. Ndaj tyre u veprua në mënyrë selektive, jo mbi bazë të aftësive dhe rezultateve në punë, por mbi bazë bindjesh partiake. U hap rrugë e gjerë veprimi për servilët dhe puthadorët, që filluan të përparojnë në karrierë dhe të vënë si dikur në monizëm partinë mbi të gjitha. Të gjithë këto qëndrime të lënë përshtypjen e një strategjie dashakeqe. Kuptohet që ushtria dhe ushtarakët si pjesë përbërëse e shoqërisë nuk do të bënin përjashtim nga zhvillimet e mbrapshta të 25 viteve që lamë pas, të një gjendjeje thuajse kaotike, herë-herë në anarki të plotë, (1997-1998). Një pjesë e tyre do të përfshiheshin edhe në veprimtari antiligjore deri vëllavrasëse në ngjarjet e vitit 1997, do të përfshiheshin në veprimtari antiligjore dhe korruptive, të cilat do të çonin në ngjarje të rënda si ajo e Gërdecit. Por pavarësisht dukurive negative, në një farë mënyre edhe të pashmangshme, pjesa dërrmuese iu përveshën punës me përkushtim të lartë. Kështu përmes peripecish të panumërta dhe mjaft vështirësive ushtria dalëngadalë doli nga amullia dhe filloi të konsolidohej dhe të merrte formë si një strukturë në përshtatje me kushtet e vendit, kërkesat e kohës dhe të aleatëve tanë. Falë edhe arsimimit të brezit të ri në shkollat perëndimore ajo erdhi dhe u shndërrua në një strukturë efikase e moderne dhe, përpos detyrave në mbrojtje të vendit dhe emergjencat, nisi misionet e saj paqeruajtëse në çdo vatër të nxehtë të globit Edhe për hartimin e statusit në prag të anëtarësimit në NATO u dhanë mendime, u studiuan ligjet përkatëse të ushtrive aleate dhe u punua që gjithçka të ishte gati në kohën e duhur. Ligji për statusin dihet që u miratua më 2004, në prag të anëtarësimit në NATO dhe kuptohet qartë përse; u përmirësua dhe u përfshinë në të të gjithë strukturat nën uniformë më 2009 dhe për çudi, nuk u zbatua asnjëherë. Qeveritë nisën lojën,-“ e ka kush e ka”. Për zbatimin e tij veçanërisht të nenit për të ardhurat financiare u ndërmorën nisma dhe veprimtari, qoftë individuale, qoftë nëpërmjet shoqatave. Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese në dy raste na dha të drejtë ne ushtarakëve, por edhe vendimet e saj nuk u zbatuan asnjëherë. Atëherë në masë iu drejtuam gjykatave dhe dolëm të fituar. Duke parë se situata po i dilte jashtë kontrollit qeveria përgatiti dhe miratoi një akt normativ. Ky akt jo vetëm binte në kundërshtim të plotë me ligjin për statusin por përgjysmoi edhe shumën e parave që merrnim deri në atë kohë. Sipas aktit normativ, rillogaritja u bë mbi bazë të pagës neto dhe përqindja për mbi 15 vjet vjetërsi shërbimi nga 2% u ul në 1%. (Konceptet “pagë neto dhe pagë bruto” nuk janë, as koncepte ekonomike e as juridike. Ka thjesht pagë, mbi të cilën llogariten pensionet mbi bazë të kontributeve të kujtdo qytetari dhe jo vetëm në Shqipëri). Kundër këtij ligji denigrues u ribë ankimimi i radhës në Gjykatën Kushtetuese, e cila në kundërshtim me dy herët e para e la në fuqi, me argumentin se shuma monetare ishte një barrë e rëndë për shtetin. O tempora, o mores! Në një vend ku janë vjedhur e shpërdoruar miliarda euro në këto 25 vjet, pensionet e ushtarakëve në rezervë dëmtojnë rëndë financat e shtetit!? Korrupsioni i pafre nuk e dëmton ekonominë e vendit, koncesionet e pafund jo, vjedhja e bankave jo, rrogat marramendëse të Fullanit jo, pensionet e ushtarakëve po!? Dhe, meqenëse këto pensione janë kthyer në shqetësimin më të madh ekonomik të vendit, përpjekjeve për të mos e zbatuar ligjin për to i shtohet edhe vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë. Një vendim i mbrapshtë, i pa mbështetur ne ligjin për statusin, i cili shfuqizon edhe vendime të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë. Tashmë janë vënë të gjithë kundër ushtarakëve dhe kundër ligjit për statusin e tyre. Përse kështu zotërinj? Kur do të ndërtojmë ndonjëherë shtetin ligjor? Apo talleni me popullin, talleni dhe me ushtarakët, pjesën më vitale dhe atdhedashëse të këtij vendi. Por kur flasim për statusin nuk e kemi fjalën veç për zbatimin e nenit për pensionet e parakohshme, pavarësisht se moszbatimi i këtij neni na dhemb më shumë, sepse pjesa më e madhe e ushtarakëve sot i përkasin shtresës së varfër të shoqërisë. Dhe kjo, nuk ndodh as në vendet e pazhvilluara të Afrikës. Statusi parashikon edhe trajtimin shëndetësor. Sot e gjithë masa e qytetarëve nën uniformë janë lënë pa një qendër spitalore, ku të trajtohen për problemet e tyre shëndetësore. Kjo për vetë karakterin e detyrave të veçanta e mjaft impenjative, të angazhimit 24 në 24 orë në shumë ditë të vitit dhe të vështirësisë të punës që kryejnë. Për këto arsye ata e kanë kohën të kufizuar dhe nuk mund të vijnë rrotull në spitalet publike, ndërkohë që, me gjithë përmirësimet e viteve të fundit, gjendja e tyre është ende e mjerueshme. Statusi gjithashtu përfshin edhe kujdesin familjar, edhe vlerësimin e ushtarakëve në rezervë dhe në pension në ceremonitë e ndryshme përkujtimore dhe festive. Ndërkohë që politika dhe qeveritë tona mund të kishin gjetur edhe zgjidhje të tjera për ushtarakët në rezervë, një zgjidhje më të pranueshme edhe nga ana sociale, por edhe për të mbajtur lart dinjitetin e tyre. Shumë prej tyre, e veçanërisht ata të dalë në lirim pas viteve 2000, mund t’i përfshinte dhe t’i integronte në administratën publike. Të arsimuar edhe jashtë vendit, të kompletuar me njohuri bashkëkohore, zotërues të një apo më shumë gjuhëve të huaja, jam i bindur se ata do të përmirësonin ndjeshëm punën e saj. Para do kohësh në shkrimin e një prej kryetarëve të shoqatave, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, autori dukej më tepër sikur i lutej qeverisë, që të përfshinte aksh ligj dhe aksh nen në votimin në parlament të një ligji tjetër anti-status. Dhe qeveria veproi nëpërmjet një VKM-je, e cila shfuqizoi pjesërisht ligjin (aktin normativ) dhe na riktheu një pjesë të parave që sipas qeverisë aktuale ishin mbajtur padrejtësisht. E para ligji nuk shfuqizohet me VKM; kjo ndodh vetëm në Shqipëri; e dyta vendimi i marrë dhe shuma qesharake që na kthehet duket si një arnim tjetër në uniformën tonë, që tashmë i përngjet asaj të arlekinit. Problemi ynë nuk zgjidhet me lutje, ushtarakët nuk luten dhe nuk lypin. Ushtarakët kërkojnë të drejtat në përputhje të plotë me ligjin për statusin e tyre, kërkojnë shfuqizimin e aktit normativ. Vetëm duke realizuar këtë detyrim qeveria aktuale do të përmbushë edhe premtimin e bërë para se të vinte në pushtet më 2013. Në qoftë se nuk e shfuqizon këtë akt të turpshëm, atëherë ai do të mbetet një premtim-mashtrim elektoral, që mund t’i kushtojë në të ardhmen. Sipas këtij vendimi-arnë që u bë i ditur nga ish-ministri Klosi dhe që iu bë një farë jehone në shtyp, ushtarakëve do t’u falen edhe borxhet. Çfarë borxhesh, kujt i kemi borxh, kur dhe pse?! Dhe lëmosha e premtuar nga qeveria erdhi. Ajo na riktheu ndalesat e bëra këto vitet e fundit, të vlerësuara si të padrejta dhe sipas saj ushtarakëve në rezervë iu rikthehen 3000 ose 4000 lekë në muaj. Kjo është përsëri fyerje dhe tallje. Asnjëherë nuk kemi kërkuar lëmoshë, asnjëherë nuk kemi lypur, sepse nuk na e lejon, jo vetëm krenaria e të qenit shqiptar, por edhe respekti e nderimi i thellë për uniformën dhe punën që kemi kryer. Edhe diçka në lidhje me angazhimin e ushtarakëve në rezervë, ideuar siç duket nga gjenerali i sipër cituar. Nuk jemi kundër çdo angazhimi të mundshëm në shërbim të popullit dhe vendit, por së pari, përmbushni detyrimin ndaj nesh, zbatoni ligjin për statusin e ushtarakut. Vetëm zgjidhja e drejtë në bazë të ligjit që e keni miratuar me unanimitet, zgjidh gjithçka. Zgjidhja e shqetësimit tonë arrihet edhe me protesta, por për fatin e keq një gjë e tillë deri më tani ka qenë e pamundur, në kushtet e përçarjes, në kushtet kur të gjithë kërkojmë të jemi kryetarë të një shoqate. Arrihet edhe nëpërmjet një qeverie vullnetmirë, e cila ashtu siç përmbushi detyrimet ndaj të persekutuarve, mund të gjejë një zgjidhje progresive dhe me afate edhe për ushtarakët në rezervë. Së fundmi u pa dhe një zhvillim pozitiv, një përpjekje për të bërë bashkë shoqatat, për të krijuar një sipërmarrje të përbashkët dhe për t’i dhënë zgjidhje këtij kalvari të gjatë rropatjesh e diskreditimi. Uroj që të mos mbetet në letër, por të jetë një bashkim për veprim. Gjithashtu të shpresojmë që loja, “e ka, kush e ka” të përfundojë me krijimin dhe angazhimin e qeverisë së re, ose në fund të fundit, problemi ynë do të mbetet për në kalendat greke. Dhe druaj, se kështu ka për të ndodhur.
Sigal