Ushtarakët nisin marshimin drejt Strasburgut

616
Ushtarakët, Konduri: Qeveria dhe gjykatat kundër nesh, do t’i drejtohemi Strasburgut
Fati i rreth 1000 ish-ushtarakëve në pension, tashmë rrotullohet në dyert e gjykatave. Një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, “mollë sherri” 
Prej rreth një viti, fati i rreth 1000 ushtarakëve në rezerve është mbuluar nga një mjegull, e cila e ka burimin në faqet e një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë. Beteja mes ushtarakëve-Gjykatës së Lartë dhe Sigurimeve Shoqërore, tashmë pritet të marrë zgjidhje ose jo në instancën më të lartë të drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese. Në të kundërt, shoqata e ish-ushtarakëve paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Presidenti i kësaj shoqate Thoma Konduri nuk i ka hequr shpresat nga drejtësia, për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur të ushtarakëve. Më 6 shtator Gjykata Kushtetuese duhej të ishte shprehur për kalimin ose jo të padisë në seancë gjyqësore. Por deri sot, ushtarakët nuk janë informuar për asgjë. Ata shprehen të indinjuar për mbylljen e dyerve të gjykatave në këtë rast. Ndërkohë që e gjithë zanafilla e vuajtjeve të tyre nis në 16 nëntor të vitit të kaluar, pikërisht kur Gjykata e Lartë me një vendim unifikues të saj urdhëroi të gjithë gjykatat e niveleve më të ulëta të mos jepnin asnjë vendim në favor të ish-ushtarakëve. Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në rezervë, Thoma Konduri tha për gazetën “Telegraf” se nuk do të heq dorë asnjëherë nga e drejta për të cilën thotë se, e kanë të garantuar me ligj. 

Cili është thelbi i padisë që keni depozituar në Gjykatën Kushtetuese?
Dy vendimet e para të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë favorizuese, na është dhënë e drejta e ankesës sonë. Qeveritë nuk i kanë marrë parasysh këto dhe i kanë përkeqësuar ligjet, kjo është arsyeja që ne kemi vajtur gjyq pas gjyqi. Ne si shoqatë presim drejtësi, shpresën tek drejtësia nuk e kemi humbur. Paradoksi është se kemi dhe qeverinë kundër nesh. Miratojnë ligjet në parlament dhe po këto ligje i shkelin vetë. Detyrojnë Sigurimet Shoqërore të hedhin në gjyq ushtarakët. Ky kalvar ka filluar që në 2004 kur u miratua statusi i ushtarakut, për më tepër për pensionet e parakohshme në 1999. Me urdhër verbal të Sigurimeve Shoqërore këto pensione u përgjysmuan. Urdhri dua të them hapur se ishte i ish drejtorit të sigurimeve shoqërore në atë kohë Ilir Beqja. Ai na e ka thënë në sy. “nuk mund të merrni lekë duke qëndruar në shtëpi”. Ne shpresojmë të korrigjohet në Kushtetuese megjithëse kanë ndodhur veprime skandaloze prapë nga kjo gjykatë me vendimin e tretë të saj. Kur një grup ushtarakësh apeluan aktin normativ, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të paarsyeshëm duke detyruar dhe gjykatat e tjera të marrin vendime në kundërshtim me realitetin. Gjykonte që ulja e pensioneve që u bë me aktin normativ gjykohej mbi gjendjen ekonomike, vështirësitë që kishte shteti në një kohë kur pensionet e tjera ngriheshin, rrogat ngriheshin dhe asnjë pension tjetër nuk u cenua përveçse i ushtarakëve.

Mendoni se kjo do të jetë beteja e fundit me drejtësinë?
Shpresat nuk i kemi humbur gjithsesi. Ka edhe gjykata më të specializuara se Gjykata Kushtetuese. Është Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Megjithatë me gjykatat tona kjo është ndeshja e fundit që bëjmë ne ushtarakët përkundrejt veprimeve të padrejta qoftë të qeverisë, qoftë gjykatave të Shqipërisë lidhur me të drejtat ekonomike të ushtarakëve. Përballjen e kemi me Gjykatën e Lartë. 

Ku cenohen konkretisht ushtarakët nga vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë?
Në nëntor të 2016 ka marrë një vendim tepër absurd me anë të cilit u heq të drejtën të gjithë ushtarakëve të kërkojnë të drejtat e tyre të shkelura. Janë mijëra ushtarakë që kanë fituar të drejtën e tyre dhe kanë marrë shpërblimin që u takon. Tani ngrihet Gjykata e Lartë pas 10 vjetësh që ne kemi kërkuar një vendim unifikues që ushtarakët të mos shkojnë më gjyqeve, merr një vendim të kundërt me realitetin, duke shtrembëruar nenet si nga ana gramatikore ashtu dhe juridike. Detyron gjykatat e niveleve më të ulëta që ta interpretojnë ligjin ashtu sikurse thotë kjo gjykatë. Gjykoj se është politike pasi janë po këta gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që kanë firmosur këtë vendim unifikues alogjik që kanë dhënë me qindra vendime pro ushtarakëve.

Me çfarë argumentesh i jeni drejtuar Kushtetueses?
Amoraliteti i këtij vendimi që detyron të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë të gjykojë siç gjykon Gjykata e Lartë. Kërkojmë të bjerë kjo, gjykatat do të gjykojnë siç është ligji. Për më tepër merr një vendim për një ligj që është shfuqizuar me kohë, nuk ka efekte prapavepruese. Kanë dalë të tjera ligje. Ushtarakët kërkojnë shkeljet e ligjit që i janë bërë nga viti 1999-2010. Me vendimin që mori Gjykata e Lartë, u heq të drejtat ushtarakëve të kërkojnë të drejtat e shkelura në këtë periudhë. Pra që nga viti 1999 deri 2010 ushtarakët në pension nuk merrnin atë që u ka dhënë ligji. Në vitin 2004 filluan gjyqet dhe të gjithë ushtarakët fituan të drejtën për të marrë pensionin sipas parashikimeve në ligj. Pra në këtë vit u sanksionua që një ushtarak duhej të paguhej me 50 % të pagës referuese plus 2 % për çdo vit mbi 15 vjet vjetërsi. Por edhe pse kjo u sanksionua me ligj, Sigurimet Shoqërore asnjëherë nuk e zbatuan. Ilir Beqja vendosi të mos i paguante rregullisht ushtarakët duke vënë një tarifë fikse. Në këtë periudhë të gjithë iu drejtuan gjykatave. Dhe ajo që u bë që prej vitit 2004 ishte e rregullt. Gjykatat dhanë vendime në favor të ushtarakëve. E paratë nuk merreshin me bordero por përmes përmbarimit. Janë me mijëra ushtarakë që e kanë fituar gjyqin dhe kanë marrë paratë. Por vendimi i vitit të kaluar i Gjykatës së Lartë mund të prish gjithçka. Në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendos pro këtij vendimi, atëherë Sigurimet Shoqërore mund të padisin ushtarakët dhe gjykatat t’i detyrojnë të kthejnë lekët e mara në dhjetë vite mbrapsht. Unë mendoj se e gjithë kjo katrahurë bëhet nga qeveria, e cila i ka hedhur ushtarakët në rrugë dhe nuk kujdeset për ta. Sigurimet shoqërore nuk duan të japin paratë, edhe pse ligji e ka të shprehur në mënyrë taksative. 

Në Gjykatën e Lartë ka edhe një paradoks. Pas shpalljes së vendimit Unifikues, është kjo gjykatë e cila ka dhënë të paktën 1000 vendime kundër ushtarakëve. Pra jemi në një situatë tepër të ngatërruar dhe e gjithë kjo e ka një çmim. Qeveria nuk interesohet për kategorinë e ushtarakëve në pension. 
Sigal