Ushtarakët në rezervë në hullinë e nëpërkëmbjes totale

933
LETËR E HAPUR, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama

Po ju drejtohem Ju zoti Kryeministër, jo vetëm si kreu i qeverisë, por dhe prijës i shumicës në kuvend. Po ju drejtohem sepse keni ndërmarrë një mision, sa të vështirë, aq edhe fisnik; – të ndërtoni shtet në këtë skaj të Ballkanit Perëndimor. ( O zot, në do të mundesh!) Po ju drejtohem Ju zoti kryeministër, sepse keni marrë përsipër të vendosni drejtësi në këtë vend, pesë shekuj pas kanunit të Lekë Dukagjinit, ku nga shqiptari i parë deri tek i fundit do të jenë të barabartë para ligjit?! (blasfemi ) Po ju drejtohem Ju zoti Kryeministër, sepse para se te vinit në pushtet, premtuat se për 6 muaj do të vinit në vend nderin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur të ushtarakëve dhe kryesisht atyre në rezervë. (uf!) Po ju drejtohem Ju zoti Kryeministër, sepse kanë kaluar mbi katër vjet që jeni në pusht-et dhe, ne ushtarakët në rezervë vazhdojmë të nëpërkëmbemi nga të gjithë; – nga ju, nga kuvendi dhe së fundmi edhe nga gjykatat, e Lartë dhe Kushtetuese Rrënjët e këtij qëndrimi dhe tendenca për degradimin e ushtarakëve mendoj se kanë zënë fill menjëherë pas zgjedhjeve të para pluraliste. Atë kohë ata u akuzuan se së bashku me fshatarësinë kishin votuar për të mbajtur në pushtet komunistët. Për këtë ju siguroj se, ushtarakët ndoshta më mirë se shumëkush e kuptuan domosdoshmërinë e shndërrimeve demokratike, por qenë mjaft të matur dhe të ekuilibruar në qëndrimet e veprimet e tyre. Më pas qëndrimet denigruese dhe përjashtuese nga veprimtaria për ngritjen e shtetit të ri demokratik do të thelloheshin. Për të ardhur tek ngjarjet e rënda të vitit të mbrapshtë 1997 ≈1913, të cilat u përpoqën t’ua faturojnë kinse ushtarakëve, pavarësisht se një pjesë e tyre qëndruan dhe ranë heroikisht në mbrojtje të reparteve. Të gjithë këto qëndrime të lënë përshtypjen e një strategjie dashakeqe. Ju rikujtoj zoti Kryeministër se ushtarakët, pavarësisht bindjeve, nuk kanë qenë asnjëherë, as kundër reformave të domosdoshme për zhvillimin dhe përparimin e vendit, as kundër reformave për modernizimin e ushtrisë, për ngritjen e një strukture moderne dhe efikase të saj, në përputhje me potencialin ekonomik të vendit dhe me zhvillimet e kohës. Këtë e dëshmon sot edhe angazhimi i tyre në misionet paqeruajtëse, edhe angazhimi në rastet e emergjencave civile në vend. Po ju rikujtoj zoti Kryeministër se më 2004-ën është miratuar në kuvend ligji për statusin e ushtarakut. Për çudi, është votuar me unanimitet dhe po për çudi, nuk po zbatohet me unanimitet. Po ju rikujtoj zoti Kryeministër se për zbatimin e ligjit duhet të bëhemi të gjithë bashkë, të gjithë bllok kundër atyre që nuk e duan zbatimin e tij. Po ju rikujtoj zoti Kryeministër se ligjet i miraton kuvendi. Gjykatat janë përgjegjëse vetëm për interpretimin dhe zbatimin rigoroz të tyre. Por këtu ndodh çudia, që gjykatat u kundërvihen gjykatave, që Gjykata Kushtetuese njëherë na jep të drejtë dhe njëherë jo. Ndodhka që edhe ajo t’i kundërvihet ligjit!? Po ju rikujtoj zoti kryeministër se ushtarakët kudo në botë kanë një status të veçantë. Kam pasur rastin të takoj Kryetarin e Sindikatës së Gjermanisë, i cili ndër të tjera tha: – ministri i mbrojtjes nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim, nuk mund të hedhë asnjë hap, pa u konsultuar më parë me ne për gjithçka ka të bëjë me trajtimin e ushtarakëve dhe ushtrinë. Ndërsa ne, nuk kemi sindikatë, sepse e kemi të pamundur në kushtet kur jemi bërë kashtë e koqe, në kushtet e përçarjes, të inspiruar dhe realizuar mjeshtërisht nga politika. Kështu janë krijuar një mori shoqatash, ku ajo më kryesorja është atashuar pranë MM dhe e hedh hapin ashtu siç i dikton pushteti, ndërsa të tjerat rrahin ujë në havan. Po ju rikujtoj zoti kryeministër se ushtarakët në rezervë janë sot pjesa më e diskriminuar, më e diskredituar dhe më e varfër e popullsisë. Së fundmi po ju rikujtoj zoti Kryeministër, se akti normativ i ndërmarrë nga qeveria Berisha ishte një akt turpi, të cilin ju e shfuqizuat pjesërisht me VKM. Vepruat duke na rikthyer një sasi të parave të mbajtura. Ish-ministrja e mbrojtjes dhe ai i çështjeve sociale i bënë jehonë këtij vendimi nëpërmjet mediave-kazan (sipas jush), ku ndër të tjera theksohej se ushtarakëve po u kthehen borxhi dhe paratë e mbajtura padrejtësisht. Na rikthyet çikërrima për të na rimarrë shuma disa herë më të mëdha, nëpërmjet Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Duket se qëllimshëm i kini lënë fushë të lirë veprimi aktit normativ. E para, ligji nuk shfuqizohet me VKM dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri, e dyta, duke qenë shumicë mund ta shfuqizoni atë në kuvend, e treta, ushtarakët nuk lypin dhe ju keni nëpërkëmbur vetëm krenarinë e tyre me këto shuma. Ndaj jemi mjaft të dëshpëruar për çka ngjet në këtë vend. Ndihemi të fyer rëndë ditë pas dite për gjithçka bëhet kundër nesh. Nuk është fjala vetëm për anën financiare, por për zbatim të plotë të statusit dhe për gjithçka që shteti dhe shoqëria na detyrohet. Nuk kërkoj të më ktheni përgjigje, por të ndërmerrni veprimet konkrete për zbatimin e ligjit për statusin e ushtarakut. Dhe Ju, kam bindjen se po të keni dëshirën e mirë, nuk u mungon vullneti, kuraja dhe këmbëngulja për ta bërë realitet këtë ligj, moszbatimi i të cilit është bërë makth për ushtarakët. Me respekt për çka keni bërë mirë deri më tani për këtë vend dhe i rezervuar për çka do të bëni.

Mersin Kurti 
Ushtarak në rezervë
Sigal