Ushtarakët në mes të katër rrugëve!

541
Sigal

Nga Tonin Jaku, ushtarak në rezervë

Gjykata e Lartë kundër Gjykatës Kushtetuese

Që kishim gjykatë të lartë, e dinim, por që ishte dhe na doli gjykatë krimi, korrupsioni këtë nuk e dinim. Në vend që të na jepte drejtësi, na ka dhënë padrejtësi, në vend që të luftonte korrupsionin, e lulëzoi atë në mënyrë galopante në të gjitha shkallët e gjyqësorit, në vend që të luftonte krimin e të gjitha ngjyrave e përkrahën atë duke i dhënë pafajësinë.

Çdo të thotë vendim unifikues? Vendim unifikues do të thotë: Mësim tregues-përdoret në forcat e armatosura, polici, gardë etj. Mësim i hapur përdoret në arsim. Trajnim përdoret ne të gjitha institucionet. Reformë përdoret në të gjitha institucionet. Të gjithë këta vendosin detyra për të ardhmen duke kritikuar të metat deri në momentin e zhvillimit dhe nuk vënë detyra prapa vepruese, sepse po të kishin detyra prapa vepruese do të shkonte çdo gjë në zero.

Cili është vendimi unifikues?

7 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme me vendimin Nr. 3 datë 24.11.2016 e famshmja gjykatë nxjerr një vendim unifikues. Mbas 8 deri 10 viteve të zhvillimit të gjyqeve nga ana e ushtarakëve, të fituara në shkallën e parë dhe apelin administrativ anulon ato dhe urdhëron të kthehet nga e para . Pra të filloj çdo gjë nga zero. Po ku ishte më parë kjo gjykatë? Përse i la gjykatat vartëse të bëjnë gabime? Në një gjyq të zhvilluar nën urdhrin “Unifikues” të një ish- ushtaraku, gjykata pasi dëgjoi oficerin ( ai kishte fituar gjyqin në shkallë të parë dhe në shkallë të dytë) përpara se të jepte vendimin u shpreh: ‘‘Ligjërisht, parimisht, moralisht, njerëzisht, jemi me ty, por s’ kemi çfarë ti bëjmë gjykatës së lartë dhe jemi të detyruar të zbatojmë urdhrat e saj’’. Dhe për këtë mori vendim që paratë e marra pas vendimit të formë së prerë t’i kthej ato. Pra gjykata e lartë nuk pyet për gjykatë kushtetuese, nuk pyet për ligjet 9210 dhe 9481, por merr si bazë ligjin 8087 dhe ligjin famëkeq 10 142.

Përse ky vendim parazgjedhor

Qëllimi i këtij unifikimi ishte të kundërvinte këtë shtresë të varfër po shumë të pastër kundër qeverisë dhe në zgjedhjet e përgjithshme të humbiste thellë dhe të mos bëhej reforma në drejtësi sepse do të dilnin të palarat por ushtarakët, janë të zgjuar dhe nuk ranë në kurthin e katër gjyqtarëve të shkarkuar si të korruptuar dhe katër gjyqtarëve që i dhanë dorëheqjen për të fshehur pasuritë nga vetingu. Këto gjyqe janë politike. Po të ishte gjallë Hitleri do ta kishte zili. Ashtu si veproi ai kundër Hebrenjve, ashtu edhe gjykata e larë vepron kundër ushtarakëve.

Gjykatës i ka mbetur ora në vitin 1996

Vendimi ka për zemër Ligjin Nr.8087 datë 11.03.1996. i cili shprehet se pensioni i parakohshëm llogaritet sipas skemës:

  1. 50 % e pagës referuese mbi të cilin është derdhur kontributi
  2. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm pra mbi 15- vjet shtohet 2% por jo më shumë se masa e pensionit maksimal në shkallë vendi.

Pra kjo është gozhda që mbahet. Sipas gjykatës 1+1= 7. Po mirë moj shoqja gjykatë a e di ti se më datë 23.03.2004 ka dalë ligji Nr.9210 që e ka shfuqizuar ligjin 8087. Ky ligj në nenin 35 parashikon të njëjtën skemë për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ligji i mëparshëm 8087 i ndryshuar, me ndryshimin se nuk parashikon më kufizim ligjor të masës së pensionit të parakohshëm. Konkretisht kufizimi ‘‘ jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi’’, të parashikuar në germën B, të Nenit 11 të mëparshëm Nr.8087 të ndryshuar. Madje në nenin 49 të këtij ligji ç’fuqizohet shprehja ‘‘jo më shumë se masa e pensionit maksimal në shkallë vendi’’. Pra ky ligj hoqi tavanin e pensionit. Më pas u miratua ligji 9418 datë 20.05.2005 ku vendosi prapë tavan. Konkretisht sipas nenit 14 të ligjit, masa e pensionit nuk mund të jetë më e lartë se 4-fishi i pensionit bazë. Më pas u miratua ligji 9481 datë 16.02.2006 ku përcakton se gjeneralin merrte 6 pensione çdo datë 1 Janar, 5 pensione për kolonelët, 4 pensione për nënkolonelët dhe 3 pensione për të tjerët. Të gjitha vendimit e gjykatave janë dhënë mbi bazën e ligjit 9210/2004, por gjykatës së lartë i ka ngelur ora.

Vendimet e gjykatës kushtetuese

Në vendimin 33 datë 24.06.2010 në faqen 19 thuhet: ‘‘Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë në dyshim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe askujt nuk i lejohet të vërë në diskutim njohjen dhe vlerën e vendimit a po ta refuzoj zbatimin e tyre pasi ata kanë marrë formën e prerë ’’. (Vendim i Gjykatës Kushtetuese Nr. 20 datë 09.07.2009 , Nr. 9 datë 01.05.2009, Nr. 6 datë 06.03.2009 , Nr. 1 datë 19.01.2009, Nr. 6, datë 31.03.2006, Nr. 11 datë 27.05.2004).

Vendimi Nr.81 datë 18.12.2017

‘‘ Gjykata ka theksuar se parimi i shtetit të së drejtës, i sanksionuar në nenin 4 të kushtetutës është një nga parimet themelore në shtetin e së drejtës. Jurisprudenca kushtetuese konceptin e sigurisë juridike, të të drejtave të fituara dhe të pritshmërive të ligjshme i referon te parimi i shtetit të së drejtës. Siguria juridike nënkupton, ndërmjet të tjerash, garantimin e besueshmërisë së individit te shteti, institucionet e tij dhe tek aktet që ato nxjerrin. Ndërsa, në rastin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, siguria juridike nënkupton që kur gjykata ka vendosur përfundimisht për një çështje vendimi i saj nuk duhet të vihet në dyshim. Kur vendimi ka marrë formë të prerë ai është i detyrueshëm për palët’’. Asnjë gjykatë nuk mund të gjykojë sërish të njëjtën padi kundrejt të njëjtave palë. Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se parimi në bazë të cilit një vendim përfundimtar i formës së prerë është gjë e gjykuar dhe zgjidh mosmarrëveshjen midis palëve me një efekt përfundimtar , është një element themelor i gjykimit të drejtë, që garantohet nga neni 6 i konventës për çështjet civile. Ju bëjmë thirrje të gjithë gjyqtarëve të ndershëm të mos bien në batakun ku ju ka futur gjykata e lartë por të jenë në lartësinë e detyrës, sepse ne nuk kemi çfarë humbasim më. Të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri i kemi kaluar. Do t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, se si individualisht duke i dërguar të gjitha vendimet e secilit dhe do të kërkojmë anulimin e vendimit. Do të kërkojmë dhe dëmshpërblim moral. Të gjitha këto do të kërkojmë të na i paguajnë të gjithë anëtarët e gjykatës së lartë që kanë firmosur plus gjyqtarët që do të bien në rrjetën e zezë të vendimit të zi.