Ushtarakët krijojnë “Federatën e Bashkuar”

640
Koha që ushtarakët shqiptarë të marrin në dorë “komandën’ e jetës dhe familjes së tyre
Rezolutë e shoqatave të ushtarakëve: “Federata e Bashkuar Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, domosdoshmëria e bashkimit të shoqatave në një organizëm të vetëm 
Të nderuar ushtarakë të Shqipërisë!
Në datën 23 shtator 2017 me nismën e kryetarëve të shoqatave me seli në Tiranë, që kryejnë veprimtarinë e tyre në Tiranë, në Shqipëri dhe përtej kufijve të saj (AKUSH, SHKURSH, shoqata e skënderbegasve, shoqata e ushtarakëve të bashkisë të Tiranës, shoqatat e xhenios, shoqata e historianëve ushtarakë, instituti i studimeve ushtarake, shoqata e luftëtarëve të lirisë, shoqata e flamurit kombëtar, shoqata e ushtarakëve të UÇK, shoqata e ushtarakëve në pension të parakohshëm, shoqata e grave ushtarake, shoqata lëvizja e ushtarakëve për drejtësi, shoqata e FDA të aviacionit, shoqata e aviacionit, shoqata e tankeve, shoqata e forcave detare, shoqata e ushtarakëve kundërajrorë etj.) u mblodhën në Tiranë dhe pasi diskutuan me ndjenjë të lartë përgjegjësie arritjet dhe mangësitë e punës të tyre, e vunë theksin kryesor tek domosdoshmëria e bashkimit të shoqatave të ushtarakëve në një organizëm të vetëm i cili të emërtohet: “Federata e Bashkuar Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”. Pasi u analizua dhe vlerësua situata e krijuar që po shkon drejt përkeqësimit të të drejtave ligjore të ushtarakëve, në kushtet kur Gjykata e Lartë cenon dhe shkel rëndë Kushtetutën, Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore pa pritur Vendimin e Gjykatës Kushtetuese kanë shumëfishuar ushtarakët debitorë si dhe në kushtet kur qeveria nuk ka mbajtur premtimet e saj për të drejtat e ushtarakëve, u konkludua se është detyrë emergjente që ushtarakët të bashkohen në një organizëm të vetëm drejtues dhe koordinues. Për të realizuar bashkimin e ushtarakëve, nuk ka asnjë pengesë ligjore, administrative apo organizative dhe duke u bazuar në faktin se të gjitha shoqatat kanë të njëjtin qëllim dhe mision, gjithçka i bashkon dhe asgjë nuk i ndan, mbledhja themeluese e grupit nismëtar të kryetarëve të shoqatave të ushtarakëve, vendosi në mënyrë unanime si më poshtë vijon: 

1. I bëjmë apel Qeverisë dhe Parlamentit t’i japё fund kaosit ligjor të krijuar në vite. Për këtë të ngrihet grupi i punës në Ministrinë e Mbrojtjes për riformatimin e Statusit të Ushtarakut të vitit 2004, për ta rikthyer atë në parametrat e standardet e NATO-s, duke shfuqizuar ligjet e viteve 2005, 2006, 2009 dhe Aktin Normativ që u kthye në ligj në vitin 2010. Të ngrihet grupi punës ndërministror për hartimin e ligjit të premtuar “Për Mbrojtjen dhe Sigurimin Shoqëror të Ushtarakëve”, i cili të garantojë zbatimin e Statusit të ri të Ushtarakut dhe të shfuqizojë të gjitha ligjet e mëparshme. Qeveria të marrë një vendim ku të urdhërohen Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore të pezullojnë mbajtjen e paligjshme të debive të ushtarakëve derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese në lidhje me Vendimin unifikues Nr.3, datë 16.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës të Lartë. 

2. Gjykatat Administrative të pezullojnë çështjet gjyqësore që Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim(në zbatim të vendimit unifikues Nr.3, datë 16.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës të Lartë), derisa të shprehet me vendim Gjykata Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit unifikues Nr.3,datë 16.11.2017. Gjithë kryetarët e shoqatave dhe ushtarakët kanë besim se Gjykata Kushtetuese do të zbatojë Kushtetutën dhe do t’u japë ushtarakëve të drejtat e mohuara dhe shkelura ndër vite.

3. Në datën 21 tetor, të organizohet dhe zhvillohet në Tiranë, Kuvendi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë. Objekti dhe produkti i punës të tij të jetë marrja e vendimit për bashkimin e ushtarakëve dhe themelimi i “ Federatës të Bashkuar Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë”.

4. Federata e Ushtarakëve për të realizuar misionin e saj, do të përfaqësojë, përfshijë, bashkëpunojë dhe koordinojë punën e saj me të gjitha shoqatat ekzistuese me objekt të njëjtë, duke respektuar integritetin, autonominë, statusin dhe institucionin juridik të tyre. Federata e Ushtarakëve do të përfaqësojë dhe përfshijë të gjithë ushtarakët brenda dhe jashtë vendit, anëtarë ose jo të shoqatave ekzistuese, pa dallim grade, funksioni/detyre, pa asnjë dallim bindjeje politike, fetare apo racore. 

5. Federata e Ushtarakëve do të ketë si mision kryesor: Mbrojtjen e interesave, të drejtave ligjore-financiare dhe lirive themelore të ushtarakëve në rezervë, në lirim, në pension, veteranë dhe aktivë si dhe familjeve të tyre, kudo që ndodhen brenda dhe jashtë vendit në përputhje të plotë me Kushtetutën, me Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe me Statusin e Ushtarakut, mbrojtjen e figurës, dinjitetit dhe personalitetit të ushtarakut, mbrojtjen e traditave patriotike dhe luftarake të popullit tonë, të Luftës Nacional Çlirimtare dhe të Ushtrisë Shqiptare ndër vite. 

6. Federata e Ushtarakëve do të jetë organi i vetëm që do të përfaqësojë dhe mbrojë të drejtat e ushtarakëve në të gjitha strukturat e pushtetit legjislativ, shtetëror dhe gjyqësor, brenda dhe jashtë vendit. Për këtë të rregullojë raportet juridike me parlamentin, qeverinë, partitë politike etj. Për të komunikuar dhe bashkërenduar punët me këto organe në përputhje me ligjet në fuqi dhe Statutin e Federatës. 

7. Për drejtimin e Federatës të Ushtarakëve të zbatohet parimi i rrotacionit në çdo 1-2 vjet, duke respektuar afatet dhe kriteret konkrete që do të përcaktohen në Statutin e Federatës për zgjedhjen e Bordit drejtues, Presidentit, Zëvendëspresidentëve, Drejtorit Ekzekutiv, Sekretarëve, departamenteve etj. Në organet drejtuese të saj të përfaqësohen të gjitha shoqatat dhe specialitetet, nëpërmjet kryetarëve të tyre të zgjedhur dhe ushtarakëve të tjerë specialistë që kanë reputacion, aftësi organizative dhe njohuri juridike, ekonomike, sociale etj. 

8. Grupi nismëtar ju bën thirrje të gjithë kryetarëve të shoqatave të ushtarakëve në qarqe dhe bashki, të marrin drejtimin dhe përgjegjësinë e procesit të bashkimit të ushtarakëve të tyre, të bëhen pjesë e këtij grupi nismëtar për bashkim dhe së bashku me të gjithë ushtarakët e vendit, të jemi pjesëtarë aktivë të këtij bashkimi, duke dhënë mendimeve dhe propozime për hartimin e programit, platformës të bashkimit, statutit dhe zhvillimin me sukses të Kuvendit Kombëtar për Bashkimin e Ushtarakëve.

9. Vendimi i dalë nga kjo mbledhja themeluese e bashkimit, u firmos nga të gjithë kryetarët e shoqatave dhe u vendos që të publikohet me transparencë dhe vërtetësi të plotë në medien e shkruar, jo vetëm për t’u njohur ushtarakët e gjithë vendit me me këtë vendim përbashkues, që ka vite që pritet, por dhe për t’i përcjellë një mesazh të qartë, qeverisë, parlamentit dhe gjykatave, se tashmë ushtarakët do të flasin me një zë të fuqishëm, janë në bllok dhe do të qëndrojnë si një trup i vetëm, para organeve shtetërore, parlamentit dhe gjykatave dhe nuk do tërhiqen në asnjë moment pa ju dhënë të drejtat ligjore që ju garanton Kushtetuta dhe ligji. 

Në mbyllje të kësaj rezolute, ju bëjmë dhe njëherë thirrje, të gjithë kryetarëve të shoqatave/degëve, të zgjedhurve dhe gjithë ushtarakëve e vendit, që të angazhohemi dhe punojmë të gjithë bashkërisht dhe pa kushte për të realizuar bashkimin dhe për të themeluar Federatën e Bashkuar Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë” si i vetmi organizëm që do të forcojë unitetin e ushtarakëve, do ta bëjë zërin tonë më të fuqishëm, do ta rigjallërojë shoqatën e ushtarakëve dhe do ta rikthejë atë në një faktor të fuqishëm që do të pyetet nga politika e të gjitha krahëve. Federata e Bashkuar e Ushtarakëve, do të ketë një organiko-gramë të re, efektive dhe fleksibël, më të përsosur dhe më solide. Organet drejtuese që do të zgjidhen nga Kuvendi Kombëtar dhe shoqatat që do të jenë pjesë e kësaj strukture të re organizative do të punojnë intensivisht për të bërë një prezantim të fuqishëm dhe të argumentuar ligjor do të bëjnë të gjitha përpjekjet dhe do të përdorin të gjitha rrugët demokratike, përfshi dhe protestat për të futur sa më shpejt në rrugën e zgjidhjes problemet dhe shqetësimet e ushtarakëve të akumuluara ndër vite. 
GRUPI NISMËTAR
Sigal