Ushtarakët, krenari e kombit dhe jo shpërfillje e qeverive

566
Tri katër ditë para zgjedhjeve lokale, dy shoqatat e bashkuara të ushtarakëve apeluan për më shumë vëmendje nga qeveria për kërkesat e tyre të drejta. Edhe kohë më parë ata kanë ripërsëritur këto kërkesa që në thelb janë: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për statusin e ushtarakut, anullimin e një vendimi denigrues dhe diskreditues të Qeverisë së mëparshme, heqjen e debisë poshtëruese të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për një pjesë të tyre, si dhe kërkesa të tjera që gëzojnë forcat e armatosura në vendet europiane apo edhe më gjerë. 
Ushtarakët të të gjitha llojet e armëve në vendin tonë, ashtu si shumica e popullsisë shqiptare, përkrahu proceset e reja demokratike si dhe mbështeti të gjitha përpjekjet për përfshirjen e ushtrisë së reformuar në Aleancën e madhe Euroatlantike, megjithatë ajo u përball me një shpërfillje të pamerituar nga të gjitha qeveritë e pas nëntëdhjetës.
Ndoshta nuk është vendi për të përmendur se si është sjellë Partia Demokratike në mandatet e saj qeverisëse apo Partia Socialiste ndaj ushtarakëve, sepse fat të ngjashëm me këtë shtresë që duhet thënë se është krenari e kombit, kanë pasur edhe shtresat e tjera të popullsisë, përfshi shkrimtarët që iu mor e vetmja ndërtesë e Lidhjes së Shkrimtarëve, artistët e natyrave të tjera që u gjendën pa institucionet e tyre dhe mbetën gjithashtu në udhëkryq dhe pa kurrfarë mbështetje. Për ushtarakët shqiptarë 25 vjet më parë kishte edhe status të veçantë, edhe një Spital Ushtarak, edhe disa shtëpi pushimi, edhe një Shtëpi Qëndrore në Tiranë dhe në mjaft qytete të tjera, të cilat më pak se komuniste apo totalitare, ishte një respekt i shoqërisë dhe kombit për këtë shtresë që ka vështirësi më shumë dhe që ka përgjegjësi më të larta se të tjerët. Natyrisht që në kushtet e reja ato mund të rikonceptoheshin pa cenuar të drejtat legjitime të tyre dhe jo të shkonin në duar shtetarësh, mafiozësh dhe derdimenësh që i ka pasur me shumicë politika majtas apo djathtas qofshin. 
Ushtarakët shqiptarë janë treguar të matur, të duruar, megjithëse ndaj tyre janë sjellur si vandalë të gjitha qeveritë, por ky kapitull s’mund të vazhdojë më sepse në fund të fundit turpëron gjithë shoqërinë shqiptare. Atyre u duhet krhyer sa më parë të drejtat bazë të pagesës dhe shpërblimit, të kenë një status dinjitoz si homolgët e tyre të NATO-s, të kenë mjediset e tyre të argëtimit, shlodhjes dhe pushimit, të kenë një spital drejtpërdrejt në shërbim të tyre. Të gjithë ne shqiptarët e të gjitha gjeneratave duhet t’i jemi mirënjohëse kësaj shtrese fisnike që punoi dhe u stërvit më mbrojtjen e interesave kombëtare dhe që s’ka në veprimtarinë e saj asnjë rast pushtimi apo sulmimi ndaj vendeve të tjera. Ushtria, ushtarakët aktivë dhe ata në rezervë dhe lirim, janë përparësi e përparësive për çdo shtet dhe qeveri serioze dhe koha nuk pret më për zgjidhjet e të gjitha kërkesave që ata kanë.
Sigal