USAID dhe TAP, projekte për Bashkinë e Beratit

167
Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të USAID dhe të Kompanisë së gazsjellësit TAP në Shqipëri. Objekti i diskutimit në këtë takim ishte financimi i disa projekteve në Bashkinë e Beratit. Në fillim të vitit 2018 gazsjellësi TAP do të financojë ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare të Uznovës, kopshtit të ri të Dyshnikut, si dhe rikonstruksionin e plotë të shkollës së Veterikut. Për dy objektet që ndërtohen nga e para do të financohet edhe kompletimi i tyre me bazën e nevojshme mësimore-didaktike. 
Ndërkohë, USAID është duke përgatitur projektzbatimin e ndërtimit të sistemit të vaditjes së Mbreshtanit, i cili ndjek gjurmën e sistemit të vjetër të vaditjes dhe që pritet të fillojë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Ky investim me vlerë 360 mijë euro financohet nga TAP dhe pritet të zgjidhë problemin e ujitjes së një sipërfaqeje prej 500 hektarësh tokë në fshatrat Palikësht, Velabisht, Starovë, Remanicë dhe Gjeroven. 
Projekt tjetër që pritet të përfundojë brenda janarit është edhe mobilimi i brendshëm i Bibliotekës Publike, bashkëfinancim i TAP me një fond prej 100 mijë euro dhe Bashkisë së Beratit me një vlerë prej 20 milion lekësh të vjetra. Në takim u diskutua edhe rreth mbështetjes së USAID për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sektorit të biznesit në Bashkinë e Beratit.