Urë-Vajgurore, vendi ku pluhuri i bardhë, shndërrohet në virus kanceroz!

721
Sigal

SPECIALE/ Qyteti është shndërruar në kantier ndërtimi. Flet mjeku, Ibrahim Sade dhe Kryebashkiaku, Syrja Ormenaj

Prej shumë vitesh në qytetin e vogël të Urës- Vajgurore, kanë nisur të punojnë të ashtuquajturat “miniera guri”, numri i të cilave shkon në 30 të tilla. Ky qytet që quhet i vogël, por që numëron jo pak, por plot 12 mijë banorë, vazhdon të rënkojë nën tymin e pluhurit që përveçse ngroh xhepat e bizneseve, ngop me viruse e sëmundje të disa llojeve mushkëritë e këtyre banorëve që me zor sigurojnë bukën e gojës. Nëse do të bindesh për këtë hapësirë të mbushur nga smogu i përditshëm, mjafton që të kalosh qoftë edhe si kalimtar i zakonshëm dhe do të vësh re një mjegull të dendur tymi që i qëndron këtij qyteti mbi kokë sikur të ishte një shami e bardhë me përmasa gjigande. Në të vërtetë kur flasim për ngjyrë të bardhë, duket se jemi kontradiktor në mendimet tona, por në fakt kjo që po ndodh me qytezën e vogël dhe më të varfrën në Qarkun e Beratit, është një bardhësi që vret. Një bardhësi që edhe të josh, edhe të vret! Sipas statistikave më të fundit, rezulton se nga ky pluhur i bardhë që del nga “mokrat” e makinerive që bluajnë gurin, sot janë ulur këmbëkryq sëmundje mjaft të rrezikshme siç janë silikoza, ekzema, e së fundi sëmundje me origjinë kanceroze, për pasojë të së cilave vetëm kohët e fundit kanë humbur jetën plot tre vetë. E ndërsa shtëllungat e reve të mbarsura nga pluhuri i bardhë shtohen, paralelisht me të shtohen edhe sëmundjet që po rrezikojnë seriozisht jetën e mijëra banorëve që përveçse janë të detyruar të punojnë në këto miniera, nuk mund të shmangin efektet negative për shkak të afërsisë që këto “furra guri” kanë me banesat e tyre. E ndërsa pronarët e këtyre “mullinjve gjigandë” të bluarjes së gurit, vazhdojnë të kenë përfitime kolosale e të punojnë pa asnjë masë profilaktike e sigurie, polemikat kanë nisur të zbulojnë gjëra që duhen vënë në shina ligjore, në të kundërtën pasojat mund të jenë katastrofike. E para që ka dhënë alarmin për këtë rrezik eventual, ka qenë dhe është Bashkia e qytetit, e cila ka kërkuar nga instancat përkatëse ndërhyrje për normalizimin e situatës. Bashkia është mbështetur nga Qendra Shëndetësore e këtij qyteti, ku specialistët kanë dhënë shifra dhe fakte tronditëse. Gjithsesi, pavarësisht alarmeve e projekteve, qyteza me emrin Ura -Vajgurore ( dikur Guri i Bardhë, lagje e këtij qyteti quhej me emrin “Qelbësirë”), vazhdon të përjetojë një situatë amullie, ku ajri nuk është më ajër e jeta nuk është më jetë.

Fakte tronditëse

Nuk bëhet fjalë për shifra e fakte, pasi ato i gjen jo vetëm në zyrat statistikore, por mund t’i dëgjosh edhe nga goja e një banori të zakonshëm. “Shih dhe shkruaj e pastaj më pyet mua. Kjo që po ndodh me ne është një maskaradë që duhet të marrë fund sa më parë. Nuk na shijon asgjë, as buka që hamë. Ato pak pemë që kemi mbjellë bien era gur e janë mbështjellë gjatë gjithë kohës me pluhur të bardhë, i cili në ditë shiu merr ngjyrë ndryshku. Të gjitha këto i kemi bërë kabull, por këto sëmundjet na kanë tronditur me themel. Pak jemi të varfër, tani edhe kanceri na duhet…”. Kështu flet me trishtim e dhimbje një nga banorët që banon në lagjen më të ekspozuar nga pluhuri që quhet Guri i Bardhë. Situata është e mbingarkuar saqë vështirë se mund të matet niveli i ndotjes, për faktin se ende nuk besohet se mund të gjendet një aparat që mund të mat këtë dendësi pluhuri.

Mjeku Ibrahim Sade

“Përditë konstatojmë sëmundje të mushkërive dhe të lëkurës si silikozën, 100 raste, ekzemën 25 raste, kanceroze 3 raste dhe shumë të tjerë me bronkopneumoni e astmë. Tre raste të vdekjeve nga sëmundjet kanceroze, sipas studimeve tona janë të stimuluara nga silikoza e shkaktuar nga smogu e tymi që është prezent gjatë gjithë kohës në mjediset urbane dhe ato familjare. Zgjidhja për ne qëndron në pajisjen e minierave të gurit me aspiratorë të fuqishëm dhe vendosjen e rregullave të sigurimit teknik sipas ligjeve në fuqi.”

Kryebashkiaku, Syrja Ormenaj

“Bashkia është impenjuar maksimalisht për situatën e rënduar me shumë probleme shëndetësore për banorët. Kemi bërë disa shkresa në adresë të pushtetit vendor dhe Qeverisë, ku kemi kërkuar disiplinimin ligjor të aktivitetit të firmave, të cilat vazhdojnë të punojnë jashtë kushteve ligjore. Shpërthimet e përditshme nga minat janë bërë një gangrenë që nuk durohen më. Tani kanë dalë në plan të parë sëmundjet e rrezikshme që duhen vlerësuar maksimalisht. Për ne situata duhet të disiplinohet me ligj prandaj nuk do të rreshtim së kërkuari.”