:Urë- Vajgurore, Syrja Ormenaj padit në Prokurori firmat e gurores për ndotjen e qytetit

681
Sigal

Flet për “Telegraf”, Kryebashkiaku Syrja Ormenaj: “Pronarët e 23 minierave të gurit nuk përdorin hidrantët me ujë”

Bashkia e Urës-Vajgurore ka paditur në Prokurori pronarët e disa firmave të minierave të gurores. Këtë veprim bashkia e ka marrë për shkak të ndotjes së madhe që këto firma i kanë shkaktuar qytetit të mesit të urave prej 15 vjetësh. Madje, kjo bashki ka shqetësimin më të madhe, sepse firmat kanë shkatërruar dhe kurorën e pishave të qytetit, të cilat janë dhe mushkëria e kësaj zone që çdo ditë gëlltit helmin që çlirojnë këto miniera. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë së Urës- Vajgurore, Syrja Ormenaj, i cili tha: “Tashmë ne jemi përballë një situate krejt të rënduar si qytet, pasi që në orët e para të mëngjesit qyteti ngjan sikur është mbuluar nga një ciklon si pasojë e pluhurave që çlirohen nga minierat, si dhe bloza që krijohet nga fabrika e përpunimit të ziftit, të cilat në këtë qytet janë dy”.

Bllokimi i kërkesave të reja

Bashkia për të parandaluar hapjen e disa minierave të reja në Këshillin Bashkiak ka bllokuar dhe pesë kërkesa të reja për hapjen e minierave. Por bllokimi nuk ka vlejtur pasi minierat janë hapur dhe i janë bashkangjitur 23 minierave të tjera që prej vitesh vazhdojnë punën në malin e Urës-Vajgurore. “Të ndodhur përballë kësaj situate, ne, si bashki menjëherë kemi dërguara në minierat e gurores inspektorët e mjedisit si dhe policinë bashkiake për të ndaluar punimet e këtyre minierave, të cilat punojnë jashtë të gjitha kushteve higjieno – sanitare dhe kushteve teknike. Por ka qenë e kot, sepse pronarët e firmave i kanë nxjerr licencat që kanë marr nëpër ministrit përkatëse dhe drejtorinë e Mjedisit në Tiranë. Çka është shumë kritike se po dëmtohen kurora e pishave, të cilat janë mushkrit e qytetit”, tha Ormënaj.

Mungesa e hidrantëve me ujë

Në verë, kurorës i vihet zjarri dhe më pas justifikimi është se nuk dihet se kush i dogji këto pisha. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme, që po bëhet me jetën e banorëve të këtij qyteti,-thanë drejtuesit e bashkisë, pasi të prihen pishat është një krim, sepse ato pisha kanë rreth 50 vjet që janë mbjellë nga ish-ndërmarrja pyjore në kohën e komunizmit. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se në këtë qytet jetojnë 12 mijë banorë dhe fshatrat përreth. Madje, sipas të dhënave firmat nuk kanë përdorur asnjëherë hidrantët me ujë, të cilët në momentin e daljes së pluhurit nga mokrrat që bluajnë gurin, e lagin atë dhe pluhuri nuk del në ambiente, por e kundërta ndodh dhe pluhuri shpërndahet në të gjithë qytetin. Kreu i kësaj bashkie, Syrja Ormenaj është shprehur se, bashkia, tashmë ka bërë kallëzim penal për firmat e minierave të gurores dhe janë organet e drejtësisë ato që mund të ndërhyjnë për të bllokuar aktivitetet e këtyre minierave si dhe do të ndikojë edhe në shmangien e sëmundjeve të silikozës, tek banorët. Burime bëjnë të ditur se sot numërohen 100 persona të prekur nga silikoza.