Urë- Vajgurore, shkarkohet kreu i Këshillit Bashkiak, për 2 vjet e bëri bashkinë rrëmujë

562
Sigal

Flasin për “Telegraf” këshilltarët Koli Bardhi, Tori Xhemali dhe zëdhënësi i bashkisë, Mihal Bardhi: Ja e vërteta

Këshilli Bashkiak i Urës-Vajgurore, me 12 vota pro dhe 2 kundra kanë shkarkuar nga detyra kryetarin, Ibrahim Sade. Në këtë post, Sade ishte zgjedhur para dy vjetësh, por për interesat politike dhe të unit të tij, i ka shkaktuar dëmtime të mëdha bashkisë dhe komunitetit të këtij qyteti. Lajmin e bënë të ditur për gazetën këshilltarët e Këshillit Bashkiak, Koli Bardhi dhe Tori Xhemali, të cilët janë shprehur se, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ibrahim Sade, prej dy vjetësh që ai është zgjedhur në këtë detyrë i ka krijuar probleme sociale bashkisë dhe qytetarëve. Kjo mbledhje u bë me kërkesën e një të tretave të këshilltarëve të bashkisë,- thanë ata. Sipas këshilltarëve bëhet e ditur se, Kryetari i Këshillit Bashkiak begeniste të merrte pjesë në mbledhjet e këshillit edhe pse ka detyrime ligjore. Ky këshill prej dy vjetësh nuk ka funksionuar rregullisht sipas ligjit. Kjo për arsye politike dhe vetjake të këtij kryetari, tashmë të hequr nga detyra. Sipas këshilltarëve mësohet se, ai mblidhte këshillin dhe nuk merrte vendime. Sipas zëdhënësit të Bashkisë Urë-Vajgurore, Mihal Bardhi bëhet e ditur se, ky kryetar këshilli prej dy vjetësh nuk mori një herë materialet e bashkisë për t’i shqyrtuar. Kreu i Këshillit Bashkiak me qëllim ka penguar kalimin e buxhetit të bashkisë, ku bashkia ka dy vjet që punon me një të dymbëdhjetën e buxhetit. Ai ka penguar miratimin e ndihmës ekonomike të familjeve në nevojë dhe për këtë arsye këto familje mbetën pa marrë ndihmën ekonomike për muaj me radhë. “Disa herë kryetari i bashkisë i kishte bërë thirrje që të mblidhte këshillin për të bërë miratimin e bursave për nxënësit, por ai nuk begenisi, madje, arriti deri atje sa i dogji”, tha zëdhënësi i bashkisë. Më tej Bardhi tha se, “në kundërshtim me interesat e banorëve, pa marrë miratimin e bashkisë, ka miratuar lejet e firmave së gurorëve dhe antenave, të cilat dëmtojnë shëndetin e banorëve të këtij qyteti. Po bëmat e këtij kryetari nuk mbarojnë këtu, ai ka qenë pengesë për miratimin e shumë projekteve të ka përgatitur bashkia, për thithjen e fondeve të donatorëve dhe të shtetit për investime, ku dihet se qyteti i Urës – Vajgurore ka nevoja emergjentë, si në ujësjellës, infrastrukturë etj.. Këshilltari i Këshillit Bashkiakë, Koli Bardhi pas shkarkimit të kryetarit të këshillit, u shpreh se pas largimit të këtij kryetari këshilli dhe bashkia do të marrë frymë lirisht, pasi ky person për interesat e partisë së tij, PD, kërkonte që të shkatërronte një këshill dhe një bashki që kishte marrë votën e një populli në këtë qytet.