Urdhri i Haxhinastos për prishjen e 902 karburanteve, nga 1000 të tilla

668
Sigal

Monitorim dhe prishje selektive e karburanteve

Qindra familje zhyten në mjerim

 902 do të jetë numri i karburanteve që do të prishen, nga 1000 të tilla. Kjo është deklarata e fundit e ministrit të Transporteve, z. Edmond Haxhinasto. “Në 3700 km rrugë kombëtare ne kemi 1000 karburante dhe nga këto vetëm 98 prej tyre kanë leje hyrje-dalje në rrugë, pjesa tjetër nuk e kanë”, ka deklaruar Haxhinasto. Ndërsa pronarët e karburanteve, të inspektuar deri më tash nga ekipi i Haxhinastos, kanë shprehur dyshimet e  tyre në lidhje me “aksionin” që pritet të fillojë shumë shpejt. Ata të thonë se vendimet e prishjeve do të jenë selektive dhe do të qëndrojnë ata që do të kenë “dorën më të rëndë”. Përpos këtij fakti tronditës, ata shprehin dhe shqetësimin për pasojat ekonomike të familjeve të punonjësve të tyre, të cilët do të dalin të papunë. Nuk dihet nëse ky “aksion” do të jetë shou i radhës, për të frikësuar pronarët e karburanteve, që më pas të paraqiten vetë te “Mond Kukaleshi”, apo me të vërtetë do të shohim 902 karburante, rrafsh me tokën. Ky hap ndërmerret si rezultat i ndryshimit të Kodit Rrugor dhe ministri Haxhinasto ka bërë të ditur se, aktualisht, në vlerësim është segmenti mes Durrësit dhe Rrogozhinës. Standardi  sesi duhet të jenë pikat e servisit, janë përcaktuar në VKM-në “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të kodit Rrugor të republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, miratuar në 22 korrik 2014. Sipas këtij vendimi, i cili pritet të zbatohet shumë shpejt, të gjitha karburantet që nuk respektojnë kushtet dhe largësinë 10 metra nga rruga, si dhe 15 km në autostrada nga njëra-tjetra do të prishen. Sipas VKM-së, zonat e shërbimit nuk duhet të pengojnë qarkullimin dhe të kufizojnë fushëpamjen. Zonat e shërbimit duhet të jenë të vendosura në vende të përshtatshme, duke përfshirë hapësirën për mjetet në lëvizje dhe ato të ndalura, të pajisura me korsi për rritje dhe ulje shpejtësie në hyrje dhe dalje. Zonat e shërbimit nuk mund të vendosen në afërsi të kryqëzimeve, të vendqëndrimeve të mjeteve të shërbimit publik, apo në ato pjesë të rrugës me kthesë dhe me dukshmëri të dobët. Pranë daljeve, janë të ndaluara të mbjellat apo tabelat, që pengojnë pamjen e drejtuesve të mjeteve që duan të rifuten në rrugë.

Rregullat teknike të vendosjes së zonave të shërbimit në rrugë (Neni 24 i Kodit Rrugor)

Përzgjedhja dhe distancat:

 a) Subjektet që shfrytëzojnë zonat e shërbimit duhet të pajisen me lejet dhe autorizimet sipas legjislacionit në fuqi.

b) Zonat e shërbimit vendosen në rrjetin rrugor duke respektuar distancat e mëposhtme:

– Për autostradat, minimumi 15 (pesëmbëdhjetë) km dhe maksimumi 60 (gjashtëdhjetë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.

– Për rrugët interurbane kryesore, minimumi 10 (dhjetë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.

– Për rrugët interurbane dytësore, minimumi 6 (gjashtë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.

– Për rrugët urbane kryesore, jo më pak se 500 (pesëqind) m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme. Kjo distancë kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal.

– Për rrugët urbane dytësore dhe lokale, jo më pak se 250 (dyqind e pesëdhjetë) m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme. Kjo distancë kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal.

– Për autostradat dhe rrugët interurbane, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 10 (dhjetë) metra nga kufiri rrugor. Kufiri rrugor është fundi i pronësisë rrugore ose trupi i rrugës, referuar titujve të pronësisë dhe /ose brezave të shpronësimit sipas projektit të miratuar. Në mungesë të tyre, kufiri formohet nga vija e jashtme e hendekut të sigurimit të kanalit, kur ai ekziston, ose përkatësisht nga vija e sipërme dhe e poshtme e skarpatës, nëse rruga shtrihet në terren të pjerrët.

– Për rrugët urbane dhe komunale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 6 (gjashtë) metra nga kufiri i rrugës.

– Për rrugët lokale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 7 (shtatë) metra nga kufiri i rrugës.

 c) Zonat e shërbimit duhet të respektojnë një distance prej 30 m nga pompa e shpërndarjes së karburantit deri në çdo pikë të perimetrit të godinave publike, spitale, qendra mjekësore, objekte fetare, shkolla, kopshte, çerdhe, azile, institucione publike, stadiume, godina me vlera historike dhe godina të tjera ku mund të strehohen apo të qëndrojnë mbi 50 persona. Kjo distancë kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal midis pompës së karburantit dhe çdo pike të perimetrit të godinave të sipërpërmendura.

 ç) Zonat e shërbimit duhet të kenë distancë nga kryqëzimet rrugore minimumi 1 000 m, për rrugët interurbane kryesore, 300 m, për rrugët interurbane të tjera, dhe 30 m, për rrugët urbane.

Zonat ekzistuese të shërbimit në rrugët urbane mund të përjashtohen nga kushti i distancës minimale nga kryqëzimet. Ato shqyrtohen rast pas rasti në bazë të kushteve të pikës 4, të këtij neni.

d) Nuk lejohet vendosja e zonave të shërbimit në qendrat e banuara me qarkullim të kufizuar të mjeteve apo në rrugët me trafik këmbësorësh e biçikletash dhe rrugë me korsi të ngushta në të cilat pengohet trafiku prej hyrjes dhe daljes.a