Ura-Vajgurore, Këshilli Bashkiak torturon familjet në nevojë

791
Sigal

Kryebashkiaku, Syrja Ormenaj: “Ne nuk do të lejojmë disa këshilltarë që për lojëra politike të krijojnë anomali në bashki”

Vazhdon sherri në Këshillin Bashkiak në Bashkinë e Urës-Vajgurore, ku këshilltarët kanë arritur deri aty sa të bllokojë edhe buxhetin e këtij viti. Madje, disa këshilltarë për interesat e tyre kanë bërë që të bllokohet edhe ndihma ekonomike duke torturuar kështu familjet që trajtohen me të. Këto familje kanë 4 muaj që nuk marrin lekët. Ky këshill fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011 dhe në vazhdim ka krijuar, jo pak probleme në këtë bashki, duke sjell dhe shqetësime serioze si për komunitetin ashtu dhe për vetë vijimin e punës në këtë bashki. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, zëdhënësi i bashkisë, Mihal Bardhi, i cili e ka cilësuar veprimet e këshilltarëve si të qëllimshme për të penguar punën në këtë institucion. Sipas Bardhit, këshilli përbëhet nga 17 këshilltarë, ku 8 këshilltarë i përkasin Partisë Socialiste dhe të tjerë partive të ndryshme, të cilat po krijojnë anomali në këtë bashki. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ibrahim Sade, i cili deri pak kohësh pa u bërë zgjedhjet parlamentare ishte në Partin Demokratike, më pas kaloi me LSI-në dhe së bashku me disa këshilltarë të tjerë kanë krijuar anomali në punën e bashkisë. “Kryetari i Bashkisë, Syrja Ormenaj është zgjedhur me shumicë votash nga populli dhe si i tillë ai ka legjitimitetin e tij dhe të popullit që i ka dhënë votën”, tha Bardhi. Populli nuk votoi kandidatin e Partisë Demokratike, pasi nuk e pa të arsyeshme, por votoi njeriun e mirë dhe të përgatitur, Syrja Ormenaj. “Kryetari i Këshillit Bashkiakë, Ibrahim Sade me disa këshilltarë ka sabotuar punën në këtë bashki. E para ka bllokuar buxhetin prej dy vjetësh, gjë e cila ka vështirësuar punën në këtë bashki, sepse një numër i madh familjesh nuk ka marrë përkrahjen sociale prej 4 muajsh dhe anëtarët e këshillit nuk kanë marrë shpërblimin prej 8 muajsh”, tha Mihali.

Veprimet e qëllimshme

Ky këshill ka penguar dhe studimin për rregullimin e territorit të bashkisë. Sipas të dhënave bëhet e ditur se, ka mbërritur edhe një firmë, e interesuar për rregullimin e territorit të bashkisë, por mos mbledhja e këshillit edhe pse është kërkuar me këmbëngulje nga kryetari i bashkisë nuk ka rezultuar me sukses. Por Kryebashkiaku edhe kur e ka mbledhur këshillin  nuk ka marrë asnjë vendim për ato pika që kanë qenë më kryesoret. Të ndodhur në këto rrethana tepër shqetësuese 12 këshilltarët e bashkisë pa dallim partiake janë mbledhur dhe kanë marrë një vendim për kalimin e buxhetit të bashkisë, por në këtë takim ndodhej dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Ibrahim Sade, i cili kur ka parë se këshilltarët kanë vendosur kalimin e buxhetit ka braktisur mbledhjen. Më pas vendimi është kaluar për miratim tek Prefekti i Beratit, i cili nuk e konfirmoi, por ja ka kaluar qeverisë. Se çfarë do të bëhet më tej asgjë nuk dihet. Kështu në një kohë që familjet janë pa bukë dhe presin ndihmën ekonomike, qeveritarët lozin me hallet e tyre për të mbrojtur ngjyrat partiake. Kreu i bashkisë, Syrja Ormenaj u shpreh: “Ne nuk do të torturojmë familjet për bukën e gojës, vetëm e vetëm për interesat personale që kanë disa këshilltarë, të cilët po kërkojnë të krijojnë anomali në bashki. Familjet në nevojë kërkojnë ndihmë dhe ne do t’ua japim, duanë apo s’duan një grup këshilltarësh, të cilët nga mendimet e tyre janë mjeran”, tha Ormenaj.

Këshilli ka bllokuar:

-buxhetin

-ndihmën ekonomike

-shpërblimet

– studimin për rregullimin e territorit të bashkisë

-dhe miratimin e disa projekteve