Universitetin nuk e bëjnë godinat, por stafet e përkushtuar dhe cilësorë të pedagogëve

679
Esmeralda PIRRA
Interviste me zv/rektoren e Universitetit ‘Marin Barleti’, prof. Zamira Çavo
Profesoreshë, ju jeni cilësuar si universitet i ekselencës, si e keni ndërtuar ju projektin tuaj për këtë vit akademik? Cilat janë problemet me të cilat ballafaqoheni dhe si mendoni t’i kapërceni?
Po e filloj për të gjithë ata që filluan shkollën dhe ata studentë që janë në pritje të fillimit të vitit të ri akademik: Vit të mbarë e të suksesshëm! Arsimi është një armë e jashtëzakonshme për të transformuar botën. Por sigurisht kur ky arsim ekziston si i tillë. Një popull të arsimuar mund ta qeverisësh, por një popull analfabet mundet vetëm ta nënshtrosh. Ndaj mendoj se arsimimi cilësor në Shqipëri duhet të marrë tashmë rrugëtimin e gjatë të transformimit të vetë sistemit arsimor. Në këtë proces transformimi duhet të përfshihen dhe universitetet. Dhe ne në institucionin tonë për këtë vit akademik kemi zgjedhur sloganin: “Jemi më të mirët!” Kjo do të thotë se, pas akreditimit nga agjencia britanike, me notën maksimale (akreditim institucional për 6 vite) ne synojmë këtë vit të përmirësojmë standardet tona të vlerësimit të brendshëm. Kjo ka të bëjë me disa çështje. 

Së pari, kemi filluar një rishikim të përmbajtjes së programeve që ofrojmë, (rishikim i cili është drejt fundit) me qëllim ofrimin e sa më shumë kompetencave të studentit për profesionin dhe sidomos në nxitjen e e mendimit të tij krijues. 

Së dyti, ka të bëjë me vendosjen e disa standardeve të reja në punën e pedagogut, duke mbajtur parasysh një thënie të vjetër se “Të japësh dije nuk mjafton vetëm ti zotërosh ato”. 

Së treti, po punojmë për të reformuar punën kërkimore shkencore duke synuar përfshirjen e sam ë shumë studentëve në to.

Ju mendoni se me këto masa do keni rezultate edhe më të larta? Pra, gjykoni se pritshmëritë tuaja do arrihen me këto hapa që po ndiqni?
Ne synojmë të arrijmë një nivel më të mirë në produktin që nxjerrim, pra në një përgatitje më të qëndrueshme të studentëve që mbarojnë tek ne studimet dhe në një rezultat konkret gjerësisht përfshirës në problemet që ka vendi. Pritshmëritë tona janë të larta, nuk di të them, nëse do t’i arrijmë të gjitha. Por ne jemi të përgjegjshëm dhe të vetë motivuar për të bërë më të mirën. Por më duhet të them se ka dhe disa gjëra që nuk varen nga ne. Ligji i arsimit të lartë ka tashmë dy vjet që ka hyrë në fuqi, por akoma nuk ka mundur të imlpementohet, pasi ka shumë mangësi në aktet nën ligjore. Dhe këtë nuk e kemi ne në dorë. Duhen vendime të Këshillit të Ministrave dhe Urdhra të Ministrisë, të cilat do të vendosin standardet e tyre dhe do i hapin rrugë një reformimi më të shpejtë.

Po si ka mundësi që edhe pas dy vitesh, reforma në arsimin e lartë nuk mund të quhet e përfunduar?
Reformat kanë shtrirje kohore për t’u realizuar, por unë po them që, nëse dikush nga jashtë sistemit universitar kërkon zbatimin e Ligjit për arsimin e lartë, e ka pothuaj të pamundur të gjejë një aplikim tërësor të këtij ligji. Sipas Ligjit , p.sh lektorët duhet të jenë doktorë të shkencave, por ende në universitetet publikë nuk ka kuota për doktoratura. Ose, sipas këtij Ligji studimet në drejtësi duhet të jenë 5 vjeçare, por asnjë vendim nuk ka në lidhje me mënyrën se si do zhvillohet kurrikula etj. Të mos flasim pastaj për probleme të organizimit apo autonomisë universitare.

Cilat janë degët që ju ofroni dhe çfarë politikash ndiqni për pranimin e tyre në universitet?
Ne ofrojmë disa programe si; Drejtësi, Shkenca politike, Psikologji, Financë kontabilitet, Marketing, Menaxhim, IT, por edhe Arkitekturë e prej disa vitesh afrojmë edhe Sportin. Të gjitha programet tona janë të akredituara dhe ne po punojmë fort që të kemi tashmë dhe brendinë tonë në tregun universitar. Kjo do të thotë që një student që mbaron një degë te ne, të konsiderohet si i “pëlqyeshëm” për tregun e punës nga çdo punëdhënës publik ose privat. Për këtë keni ndërtuar një strategji me aktorët kryesorë që punëdhënës, të cilët ndjekin me kujdes ecurinë e studentëve që iu interesojnë sipas profileve që kërkohen. Në veçanti këtë vit akademik synojmë të forcojmë cilësinë në programet e masterit shkencor, duke iu afruar studentëve mundësi kërkimi dhe bashkëpunimi të gjerë me pedagogët. 

Studentët mbaruan raundin e parë të regjistrimeve dhe fillojnë tani raundin e dytë. Çfarë prisni ju në këtë raund?
Presim që studentët që synojnë dijen dhe profesionin të vijnë te ne. Por fatkeqësisht shqiptarët ende kërkojnë një karton, të cilin mendojnë se mund ta “blejnë” te privati. Ne nuk kemi bërë dhe as nuk do të bëjmë kompromis me këtë çështje. Nga ana tjetër mendoj se ky centralizim për regjistrimin në universitete nga Ministria e Arsimit, është jashtë çdo norme demokratike. Nuk di ndonjë vend që vendos barriera në akses, pra në hyrje, dhe nuk interesohet për filtrat e nxjerrjes së një produkti cilësor. Kam menduar se do kishte qenë më mirë që qeveria shqiptare të investonte në forcimin e instrumenteve për rritjen e cilësisë së universiteteve se sa në barriera të tilla. Gjithsesi shpresojmë që këto gjëra të vijnë duke u rregulluar. Ne në institucionin tonë po punojmë fort për këto filtra. Së fundmi, dua të them se mbi 80% e studentëve që mbarojnë te ne janë punësuar dhe një pjesë e mirë e tyre kanë bërë një karrierë, sa profesionale, po aq edhe politike. Ne jemi krenarë për këtë.
Sigal