Universiteti i Korçës ka përfunduar në duart e dy “kuzhinierëve” të korrupsionit, Gjergj Mero e Ali (Kadi) Jashari

1693
Universiteti “F. S. Noli”, i cili ëshët futur në “kthetrat” e abuzatorëve të cilët e kanë kthyer në “çiflig” privat është “gangrena” më e “qelbur”, e shëmtuar dhe më e dhimbshme në Arsimin e Lartë shqiptar, që ka hedhur, fuqizuar e zgjatur metastazat në qytetin që vazhdojmë ta quajmë “djep të arsimit shqip”. Virusi vdekjeprurës në këtë universitet është “mbjellë” nga dora e politikës dhe klanet e (push)shtetit të çdo kohe e ngjyre. Mafia e këtij universiteti nuk është anonime, si rëndom flitet përditë në shtypin e shkruar, me terma në përgjithësi për mafien si fenomen. Në universitetin e Korçë mafia ka emra konkretë, që opinioni korçar ka frikë të llahtarshme t’i artikulojë, mbasi organizmi i mafies ka kontrolluar e drejtuar si shtojcë besnike të saj edhe prokurorinë e rrethit, sa që i shtyn punonjësit e sektorit të anti-krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë të qarkut, të shprehen: “Ne e bëjmë punën, por prokuroria…”.
Universiteti Korçës, në “thonjtë e pisët” të dy drejtuesve uzurpatorë
Dy janë eksponentët që dominojnë me dorë të hekurt Universitetin e Korçës, që e kanë futur në thonjtë e tyre të pisët dhe e kanë vënë atë “nën këmbë”, duke e baltosur si imazh institucioni e përmbajtje. I pari është Gjergji Mero, aktualisht prej dy mandateve rektor universiteti e që kandidon përsëri pa rival, për postin e dekanit. I dyti që vardiset dhe vepron “pas bishtit” të tij është Ali Jashari, aktualisht dekan dhe që kandidon për rektor në vend të “padishahut” të tij Gjergj Mero. Të dy së bashku, përbëjnë aliazhin që ka qelbur institucionin që drejtojnë. Por në këtë rrëfim tronditës, le ta nisim nga Aliu ose siç quhet “Likja i kërçelëve” që po lëviz çdo gur, që mund të lëvizet me ndihmën e rektorit, i cili sheh tek Ali Jashari, njeriun e duhur për të mbuluar vjedhjet e tij disa miliona euro në universitet dhe duke i kthyer zgjedhjet në këtë universitet, jo në një zhvillim ku duhet të fitojë personaliteti, organizatori dhe kualitetit profesional me aftësitë më të spikatura në fushën e shkencës dhe të drejtimit, por në një luftë të pisët, ku duhet të fitojë patjetër njeriu që mund të fshehë grabitjet dhe pisllëqet e pafundme të kryera aty. Natyrisht, që qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të ndërhyjmë në procesin e zgjedhjeve për të goditur dikë me qëllimin që të fitoje dikush tjetër, por po e publikojmë si dosje, me qëllimin e mirë që të ndikojmë, që këta dy persona të dorëhiqen nga ky proces për poste drejtuese që i shkëmbejnë me njeri-tjetrin, si vazhdim pazari interesash dhe me ta, të nis e të merret drejtësia. pra, ata nuk e kanë vendin si drejtues në universitet, por si kontigjente të drejtësisë. Në vend të tyre, le të konkurrojnë njerëz me vlera, që munden realisht të ndryshojnë gjendjen e vështirë, në të cilën e kanë zhytur prej vitesh institucionin. Në të mirë të këtij universiteti të shkallmuar prej Mero-Jashari, do të ishte që në këto zgjedhje, këta dy shkatërrues e abuzatorë të përjashtoheshin nga e drejta për të kandiduar e bashkë me ta, të përjashtohej nga e drejta për të votuar “ushtria” e të gjithë pedagogëve jeniçerë të tyre, që janë rekrutuar aty nga rektori aktual në kundërshtim me rregulloret dhe statutin e universitetit të Korçës dhe që nuk plotësojnë kushtin e notës mesatare (8.5), por edhe që shumica e tyre janë aktualisht me mesatare nën 6 e nën 7. Këta pedagogë, duke votuar për Meron e Jasharin, votojnë njëkohësisht kundër frikës së tyre për humbjen e vendit të punës dhe njëkohësisht, votojnë për një të ardhme të përçudnuar të perspektivës e drejtimit shkencor të universitetit. Ky universitet është tejmbushur me pedagogë, që dinë vetëm t’u lexojnë librin studentëve gjatë leksioneve dhe nuk dinë të japin përgjigje, për ato që “recitojnë” si papagall. Situata i ka kaluar me kohë kufijtë e groteskut. Pedagogët e aftë aty, tashmë janë prej disa vitesh minoranca e këtij universiteti dhe drejt spastrimit total nga universitetit. Çfarë ndodh? Zgjedhjet dhe rezultati i pritur nga ky proces, për analogji me veprën e Markezit, mund të quhen “zgjedhje në kohën e kolerës”. Por le të njihemi veçmas, me “regjisorin dhe kompozitorin” e maskaradës së zgjedhjeve në Universitetin e Korçës, sepse dihet, se producent dhe “sponsor gjeneral” i kësaj gjendjeje është politika e Tiranës (jo vetëm e tashmja). po cilët janë këta dy sundimtarë që ndërrojnë postet në çdo 8 vjet, siç po tentojnë të bëjnë edhe në këto zgjedhje-vjedhje të lira postesh universitare? Cilët janë dy “agallarët” e mirënjohur të këtij universiteti?
“Pashai” Ali Jashari (Kërçeli)
Dekan i Fakultetit të Filologjisë me titull doktor, profesor dhe që doktoraturën e mbrojti me librin e tij të famshëm “frazeologjizmat në veprat e shokut Enver Hoxha” dhe me anë të tij, nga mësues fshati erdhi në Korçë, ku i përgatiste fjalimet shokut Rudi… Me stilin e kërmillit që ngjitet drejt majës së shkëmbit, duke lënë jargë nga pas dhe duke i shërbyer politikës së çdo krahu u bë drejtues në Universitetin “F. Noli”. Për të treguar “profesionalizmin” e tij të “ndritur”, ka botuar një seri librash, të cilat nuk kanë asnjë prurje të re shkencore dhe që nga momenti që është njohur me Prof. dr. Dhimitër Bellon, në këmbim të aferave që i bën Dhimitrit, merr nga ai firmën e çmuar të recensentit për serinë e “veprave të tij shkencore”. Dhe Bellua është pajtuar si recensenti personal i dekanit Ali Jashari. Së fundi, “Likja i kërçepëve”, për merita të shquara të recensentit të tij, ka punësuar kushëririn e Bellos, zotin Ilia Bello si pedagog në fakultetin ku Likja është dekan-pasha. Por kulmin e tij, prof. dr Ali Jashari (Kërçeli) e ka arritur duke punësuar të bijën e vet, Alda Jashari-Cicko, si pedagoge në fakultetin ku drejton vetë, ku babi Aliu apo alias Ali Bab Kërçeli është dekan. Si për të treguar se është i pamposhtur dhe s’tutet nga ligji e rregullorja e shkollës, Ali Baba Kërçeli, duke qenë në postin e dekanit, sekretares së tij i jep dy rroga. Dhe duke qenë se ajo vazhdonte masterin për Gjuhë-Letërsi, i çuditi shoqet e saj një ditë, kur ishte në vit të parë master, ngrihet nga tavolina ku rrinte si studente dhe filloi të japë leksione si… pedagoge!!! “Qershia mbi tortën e Aliut është bërë publike në një emision televiziv, ku deklaroi në “kofidencë” me kameran (pasi gazetari e pyeti për një student që e kishin përjashtuar përjetësisht me motivacionin si “antikombëtar” dhe që “hedh poshtë gjuhën shqipe”, sepse kishte botuar ca studime rreth gjuhës), dekani Ali Jashari i përgjigjet me kompetencë, se: “Universiteti ynë nuk merret me shkencë dhe këtu kemi shkollë për hallexhinj që ulin kokën e duan një copë pesë, që të marrin një copë diplomë e të zënë një copë punë gjëkundi. Ai student që përjashtuam, kërkonte shkencë! Ai është budalla”!
Ky dekan i “mbjellë” nga politika, i ka shërbyer me devotshmëri gjithë ngjyrave të politikës shqiptare dhe mbijetesa e tij i dedikohet asaj. Ata që kanë qenë për një kohë të gjatë në universitetin e Korçës, tregojnë se prof. dr. Ali Jashari i shtynte me bërryla të tjerët për të dalë në ekran gjatë vizitave në universitet të politikanëve të lartë, madje këtë bëri së fundi në Universitetin Publik të Korçës, në promovimin e librit “Kandidati” të B. Blushit, kur ë fjalën e tij Aliu e cilësoi autorin Blushi, si “shkrimtar europian i përmasave botërore”! Nuk mundemi, të bëjmë gjithë ekspozenë e “vlerave” të prof. dr. Ali Jasharit, sepse në vendin tonë sa më shumë vese të kesh, aq më shumë të rriten shanset për t’u bërë “Pasha”. 
“Efendikoi” i universitetit Gjergji Mero
Përse njihet në këtë universitet e në të gjithë Korçën?

Mund të shprehemi pa u gabuar, se hirësia e tij z. Gjergji Mero është top-modeli i mafies në qarkun e Korçës. Vitin e kaluar ai kandidoi për postin e kryebashkiakut të Korçës, megjithë insistimin e shtypit të shkruar, që e nxirrte vazhdimisht në top-listat e kandidatëve të inkriminuar. Por krimi nuk ndalet me shkrime gazetash për sa kohë ai kontrollon dhe segmente të rëndësishme të drejtësisë dhe për shumë kohë në qytetin më të madh juglindor ndjehej se prokuroria ishte nën kontrollin e rreptë të Meros. Për çështjet që paditej rektorati apo “UK”, prokuroria caktonte vazhdimisht për hetime një prokurore, e cila ishte dhe pedagoge e rekrutuar në universitet nga vetë rektori Mero dhe rezultati i hetimeve e nxirrte gjithmonë fatlum Gjergj Meron.
Mafia ngjitet shpejtë në pushtet me mjetet e krimit. Me ndihmën e pa kursyer të ish-ministrit të arsimit G. Pollo dhe me urdhër të posaçëm të tij, nuk njihet balotazhi me ish-dekanin e Fakultetit të Mësuesisë, Bashkim Jahollari në zgjedhjet e vitit 2008 dhe Pollo urdhëron që të përsëriten zgjedhjet vetëm në Fakultetin e Bujqësisë (ku Mero ishte pedagog ) dhe rezultati në këtë fakultet vendos Meron… rektor?! I ardhur në krye të universitetit në mënyrë të dyshimtë Merua, me ato çka bëri në dy mandate, tregoi se është një nga krerët më të spikatur të mafies dhe i pamposhtur për një kohë të gjatë. Mbushja e universitetit me pedagogë të rekrutuar prej tij dhe që me mesataret që kanë nuk mund t’i vije as roje në bazën eksperimentale të universitetit, është një nga dëmet më të shëmtuara që i ka bërë këtij institucioni, që vërtetohet me thënien e dekanit A. Jashari, kur thotë se “shkolla jonë është për hallexhinj”. Në këmbim të çfarë e ka shkelur rregulloren e pranimit të stafit të pedagogëve, mund ta tregojë vet ky rektor, që ka firmosur rekrutimin e tyre, ndërsa ne mund të themi se njerëz të aftë me mesatare te dhjeta gjenden të pa punë dhe as që shihen si kandidatë, për arsye se ata posedojnë integritet profesional e moral dhe janë rrezik për përmbysjen e mediokritetit shkencor dhe të nepotizmit të pa anë, që mbizotëron në “UK”. Interesant ishte rasti i një pedagogu të ri, që u mor vesh se kishte paguar 5000 euro për t’u punësuar dhe një emision investigativ, duke u mbështetur në këtë të dhënë gjeti se pedagogu T. N. kishte njëzetenjë pesa në listën e notave dhe mesatarja e tij nuk e kapte gjashtën. Por lista e atyre pedagogëve që nuk plotësojnë mesataren dhe që janë të punësuar në “UK” është tepër e gjatë dhe nuk mund të themi se si, sa dhe ku kanë paguar për të siguruar atë vend pune, për të cilin shumë të tjerë kanë derdhur mund me vite të tëra përkushtimi në studimet e tyre, por mund të themi me bindje se firmën për pranimin e tyre e ka vënë i nderuari Gjergji Mero. Ajo çka të habit me rektorin Mero është se edhe kur vjedhjet e tij dalin hapur, megjithëse ai figuron si i djathtë, ka mbrojtjen e pushtetit të majtë të sotëm! Mbase ky është treguesi më i qartë, se mafia mund të kontrollojë çdo lloj pushteti dhe se është vet ajo që kontrollon politikën. Kështu Merua shkuli gjithë sistemin e ujitjes prej tubash të çelikta në një sipërfaqe prej 330 dynymësh në bazën eksperimentale të “UK” dhe me një vlerë të llogaritur për skrap rreth 1.4 milionë euro pa llogaritur se, nëse Merua i shiti për ndonjë ujësjellës, vlera e tyre mund ta ketë kaluar shifrën e 5 milionë eurove. Përpara se t’i shkulte, Merua i hoqi nga inventari dhe megjithëse doli nëntë herë i akuzuar drejtpërdrejtë në një emision investigativ televiziv, ai e “bindi” drejtorin e auditit të MAS-it, Skënder Jakun të shkruajë në konkluzionet e tij, se “Nuk kishte tuba në inventar”! 
———————————–
Ja 9 pyetje për drejtuesin Mero, që kanë bërë të 99-at në Universitetin e Korçës
1. I kujt ishte mjeti “WARINSK”, që punoi rreth gjashtë muaj në parcelën e “UK”? 
2. Të kujt ishin ustallarët që i prisnin tubat me oksigjen dhe kush i paguante ata? 
3. Nga ku dilnin lekët që paguheshin të punësuarit e jashtëm për shkuljen e tubave? 
4. Të kujt ishin maunat që ngarkoheshin në bazën eksperimentale të “UK”, ku shkarkoheshin ato dhe kush i arkëtoi paratë nga shitja e tyre? 
5. Sa kushtoi heshtja e Ministrisë së Arsimit dhe e Prokurorisë së Korçës? 
6. Cilët janë emrat e anëtarëve të komisionit, që i hoqën tubat nga inventari dhe pse ke deklaruar se “s’kemi tuba në inventar”? 
7. Shkulja e tubave nëpër Devoll dhe rreth e rrotull Korçës, pse ngjan aq shumë me shkuljen (prerjen me oksigjen) në Bazën Eksperimentale të “UK”? 
8. A rrezikohet kancelaria e “UK” nga ndonjë shkëndijë elektrike përpara se të zgjidhet rektori i ri?
9. A do konkurroni z. Mero, përveç për dekan edhe për çmimin “hajduti brilant” dhe a do t’ju bëni ndonjë dedikim mbrojtësve tuaj, që ju kanë mbështetur, nëse e fitoni çmimin?
——————————————–
Skandali/ Në niversitetin me emrin e Fan. S. Nolit, i jepet titulli “Honoris Causa”… Janullatosit!
Në këto rrethana e në këtë atmosferë, po zhvillohet fushata e zgjedhjeve në Universitetin “F. S. Noli”, që ka këtë emër të madh, i cili u dënua me vdekje nga Kisha dhe Shtet Grek dhe ende nuk i është hequr dënimi edhe pas vdekjes. E vetmja lëvdatë që mund t’i bëjmë rektorit Mero është, se ai me një përpjekje fine, arriti që të parin “honoris causa” të universitetit, të bëjë Hirësinë e Tij, Kryepeshkopin e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë A. Janullatosin. E le të shpresojmë, se me këtë akt Noli do jetë më i qetë! Binomi i prishjes së “UK” A. Jashari & Gj. Mero, ku njëri është dekan e tjetri rektor kanë vendosur të bëjnë stilin 69 dhe të bëhet dekani rektor dhe rektori dekan, dhe kjo bëhet në sytë e MAS-it, që ka dijeni të plotë për këto çështje dhe të dy personazhet vazhdojnë të jenë në gjyq për akuzën mesjetare të inkuizicionit dhe shkeljes së të drejtës për arsimim nga studenti, që e përjashtuan përjetësisht dhe që i ka fituar të gjitha gjyqet kundër tyre. Turpi në Universitetin Publik të Korçës nuk ka limite dhe ka fytyrën e këtyre dy agallarëve të korrupsionit. 



Sigal

Nikollaq BOBOSHTICA