Universiteti “gropë” e zezë me zullume shefash e profesorësh, që duhen hetuar

704
Përditë vijën denoncime e informacione, madje edhe qëndrime për abuzimet që vazhdojnë të bëhen në universitetet publike shqiptare. Të drejtën, fuqinë dhe lirinë për të abuzuar e për të sunduar privatisht e si klan në universitete, “klikave” të këtyre institucioneve ua jep e ua garanton Ligji Nr. 80/2015, datë 22.7.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, sipas të cilit në universitete mund të vetë-zgjidhen drejtuesit. Mund të emërojnë cilët të duan në çdo post e pozicion pune! Mund të krijojnë stafe akademike e administrata edhe familjare. Mund të largojnë nga universiteti cilët të duan drejtuesit e klaneve dhe klanet. Mund të japin tituj shkencor për cilët të duan dhe kur të duan. Mund të vendosin tarifa regjistrimi universitar e tarifa shërbimesh sipas qejfit. Mund të bëjnë tendera në vlera sa të duan e për çfarëdo objekti që duan. Mund të bëjnë udhëtime brenda e jashtë Shqipërisë sa herë të duan e me çfarë pagesa dietash të duan. Mund të shesin librat me çfarë çmimesh të duan e me presion për nota në provime! Këto ua njeh ligji, sipas të cilit ata kanë autonomi të “shijnë” pa asnjë kontroll shtetëror e ligjor, por vetëm me kontrollin e caktuar pre tyre… me anëtarë auditi pjesë e klanit të tyre! 
Klientelizëm e ryshfet për pagesën e tarifës
DENONCIM: Keni regjistrimet e studenteve ne provimet e sezonit te fundit. Me ligj asnjë student nuk duhet te futet në provime pa bërë pagesën e tarifës vjetore te shkollës. Ndërkohë vetëm këtë vit akademik në Fakultetin e Historisë në UT, janë pa bërë pagesën vjetore te shkollës 70% e studentëve. Por në provimet e sezonit të fundit, janë pezulluar nga provimet, vetëm ata studentë që nuk kishin bërë pagesën e tarifës dhe qe nuk kishin miq dhe që nuk i kanë dhënë pedagogeve lekë nën dorë. Madje, për ta sqaruar më qartë këtë situatë, vlen të sqarohet veprimtaria e sekretares së fakultetit. Sekretaria e fakultetit, përpara çdo provimi dërgon tek pedagogët përkatës që japin provimin, listën e plotë të studenteve që nuk kanë bërë pagesën dhe që nuk duhet të lejohen të japin provimin. Por në këtë listë, sekretaria ne mënyrë të jashtëligjshme bën edhe sqarime konkrete, ku përcakton qartë për çdo studentë të kësaj liste, arsyet nëse studentet që nuk kane bërë pagesën vjetore, do hyjnë nëpër provime apo jo. Kjo liste bëhet nga sekretaria me citime poshtë emrit të çdo studenti që nuk ka paguar tarifën vjetore të shkollës, ku në citim shkruhet qartë, se nuk ka bere pagesën por do futet në provim, sepse për këtë student ka ndërhyrë “x” pedagog, apo shef, për ta futur në provim. Me këtë mënyrë, sekretaria i kujton pedagogut qe po jep provimin e radhës, se duhen futur ne provim vetëm ata studentë që kane bërë pagesën, si edhe ata studentë që nuk kanë bërë pagesën, por që kanë ndërhyrjet e pedagogëve të tjerë. Pra, këtu del sheshit, se kemi te bëjmë me pazare të ligjëruar në UT. Doni tjetër? Keni studentë, qe bëjnë pagesën e masterit të dytë, me tarifa të njëjta me tarifat e masterit të parë, kur dihet që ligji shprehet qartë, se studentët që bëjnë një master të dytë, duhet të paguajnë tarife dyfish.
—————————
Një pyetje që do përsëritet deri sa të zbardhet nga drejtësia
Ku përfundojnë 109 milionë euro që jep shteti e që u zhvaten studentëve?
Sipas letrave, rezulton se universiteti shtetëror përfiton çdo vit 50 milionë euro nga buxheti i shtetit. Po kështu “korr” e grumbullon edhe mbi 56 milionë euro në vit, të ardhura nga pagesat e detyrueshme që bëjnë studentët sipas tarifë-vendimit të kupolës së universitetit për regjistrim në shkollën e lartë e për pagesë masteri, apo shpenzime të tjera shërbimesh që studentët i bëjnë me pagesë në llogarinë e universitetit! Si shpenzohet kjo shumë? Thuhet së shpenzohet për shërbime ndaj studentëve. Që këto miliona të përdoren për shërbime ndaj studentëve, kjo nuk ndodh. Pse? Sepse, për të marrë një vërtetim, duhet të paguash një tarifë me vlerë 200, 300 e 500 lekë! Që të marrësh librezën e notave duhet të paguash. Që të marrësh kartonin e diplomës, duhet të paguash? Që të regjistrohesh në master, duhet të paguash afërsisht aq sa ka pagën ministrja e Arsimit! Që të shkosh në një ekspeditë, përsëri duhet të futësh lekë “nga xhepi” për ushqim e fjetje, aq sa edhe dietat “thërrime” nuk u jepen? Që të blesh libra, leksione e dispensa, madje edhe që të marrësh kalendarin e printuar të datave të provimeve, duhet të paguash në sekretari! Studentët, detyrohen t’i blejnë librat dhe shtojcat e tyre, leksionet e vërtetimet, diplomat dhe librezat e notave! Ndoshta libri mund të shitet, por vetëm me 5 e 10% të çmimit e jo me atë çmim që e kanë vendosur autorët, të cilët janë profesorët dhe shitësit e këtyre librave! 
Sigal