Universitetet, sot dita e çregjistrimeve

130
Çfarë do të ndodhë në fazën e dytë, mundësia e largimit dhe si duhet të veprojnë aplikantët
Është mbyllur dje raundi i parë i regjistrimit të studentëve në shkollat e larta. Raundi i parë i pranimit të institucionet e arsimit të lartë zgjati 14 ditë dhe kishte 7 minifaza 48-orëshe. Nga data 29 gusht deri më dje, aplikantët, të cilët kanë rezultuar fitues, duhet të kryenin procesin e regjistrimit. Sipas udhëzimit, nëse shpalleshin fitues në një nga programet e studimit që kanë renditur, aplikantët duhet të regjistroheshin brenda 48 orëve. Në të kundërt humbnin të drejtën për të vijuar programin e studimit. Megjithatë, ky afat u kritikua disa herë nga drejtuesit e fakulteteve. Ata kërkuan që të kishin mundësi të vendosin se si do të veprohej pas mbylljes së dy minifazave të para. 

Megjithatë ky është viti i parë që Ministria e Arsimit ka menduar t’u japë një shans të dytë atyre që nxitohen për t’u regjistruar. Kështu, të gjithë ata që vetëm në përfundim të fazës së parë të regjistrimeve konkludojnë se kanë ende shanse për të qenë fitues në një degë më të preferuar apo thjesht ndërrojnë mendje, mund të çregjistrohen. Për ta është lënë një datë në dispozicion, 12 shtatori, fill pas përfundimit të raundit të parë. Mjafton një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës për të qenë “i lirë” në vijimin e garës në raundin pasues.

Ndërsa raundi i dytë i regjistrimeve fillon më 15 shtator, kur maturanti mund të riaplikojë, duke zgjedhur edhe programe të tjera të ndryshme nga raundi i parë. Në këtë raund mund të aplikojnë ata që kanë marrë provimet e maturës në vjeshtë, apo ata të cilët kanë mbaruar maturën në një vend jashtë Shqipërisë dhe nga data 1 tetor deri më 14 të gjithë maturantët që janë shpallur fitues mund të regjistrohen. Këtë radhë viza e kuqe e fituesve do të zhvendoset në kohë reale sapo të lirohet vendi bosh. I gjithë procesi i pranimit në shkollat e larta parashikohet të zgjasë rreth dy muaj, një periudhë e gjatë dhe e vështirë për mijëra maturantë dhe familjet e tyre. Ata duhet të presin fazat e ndryshme të seleksionimit në kandidatëve, që do të mbyllen vetëm në muajin tetor me regjistrimin final të fituesve në një universitet publik apo privat.