Universitetet, si veprohet me kuotat bosh dhe kush rrezikon çregjistrim

770
Regjistrimet mbyllen sot. Udhëzimi i ministres Nikolla përcakton se si veprohet me vendet e paplotësuara dhe njohjen e diplomave të huaja 
Mbyllen sot regjistrimet në universitete dhe e shtuna mbetet mundësia e fundit për aplikantët fitues. Pas një procesi të gjatë, të nisur prej fundit të gushtit, aplikantët do të kenë në dispozicion edhe orët e fundit për të shënuar emrin në një nga shkollat e larta. Periudha 1-14 tetor ishte e ndarë në 7 faza 48-orëshe. Secili aplikant duhet të ndiqte ecurinë e procesit të shpalljes fitues të tij në njërin apo disa programe studimi nga ato që ka përzgjedhur në formularin e aplikimit. Kur aplikanti ishte shpallur fitues, duhet të paraqitej pranë institucionit të arsimit të lartë dëshironte të regjistrohej, brenda afatit 48-orësh. Nëse aplikanti nuk regjistrohej brenda afatit 48-orësh, ai humbiste të drejtën e regjistrimit, në ato programe studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë. Për programet e studimit të ofruara nga universitetet private, të cilat nuk parashikojnë kritere shtesë, nuk aplikohej ndarja në faza 48-orëshe. Sipas përcaktimeve ligjore, në rast se pas çdo faze konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fitues të rinj të asaj faze. Këta fitues të rinj mund të regjistroheshin vetëm në fazën pasardhëse. Këto faza vijojnë deri në në plotësimin e kuotave dhe përfundojnë ditën e sotme. Për programet e studimit me kuota të paplotësuara që nuk ka aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues në fazat paraardhëse, të cilët nuk rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi. Nëpërmjet një udhëzimi, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë përcaktoi se rikthimi në garë kryhet sipas listës së renditjes të aplikantëve për raundin e dytë. “Regjistrimi i kandidatit, i cili paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij kryhet pranë sekretarive mësimore nga data 10 tetor 2017 deri në datën 14 tetor 2017, sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e aplikimit. Kuotat e paplotësuara plotësohen me kandidatët e renditur sipas pikëve të fituara mbas vijës së kuqe, brenda datës 24 tetor 2017”, theksohet në udhëzim.

Në vendimin e ministres Nikolla përcaktohet se shkollat e larta, brenda datës 27 tetor 2017, dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar, në formë shkresore dhe elektronike në format Excel, me qëllim pajisjen me numër matrikullimi, sipas programit të studimit dhe tipologjisë së kandidatit. Për të gjithë emrat e studentëve të dërguar pas kësaj date nuk do të procedohet me dhënien e numrave të matrikullimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore do të kërkojë nga universiteti përkatës çregjistrimin e tyre.

Njohja e diplomave
Udhëzimi i ministres Nikolla ka ndryshuar edhe përcaktimet për të gjithë kandidatët shtetas të huaj, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet në programet e studimeve të ciklit të parë, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017- 2018, dhe që kanë aplikuar pranë institucioneve të arsimit të lartë (IAL), nga data 16-19 gusht 2017, në programet e studimit ku janë parashikuar kuotat përkatëse nga IAL. “Njohja e dokumentacionit të kandidatëve fitues, të pajisur me diploma të huaja, në programet e përbashkëta të studimit, kryhet gjatë zhvillimit të semestrit të parë. Regjistrimi si student i kandidatëve fitues bëhet me rezervë, deri në përfundim të procedurës së njohjes së dokumentacionit shkollor të tyre. Pas përfundimit të njohjes, QSHA-ja kryen regjistrimin e tyre përfundimtar me statusin e studentit dhe brenda datës 26 janar 2018 ia komunikon IAL-së”, thekson udhëzimi. Ndërkohë, universitetet brenda datës 27 tetor, 2017 duhet dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar, në formë shkresore dhe elektronike në format Excel, me qëllim pajisjen me numër matrikullimi. Për të gjithë emrat e studentëve të dërguar pas kësaj date nuk do të procedohet me dhënien e numrave të matrikullimit dhe QSHA-ja të kërkojë nga IAL-ja çregjistrimin e tyre.

Më 16 tetor nis viti i ri akademik
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka firmosur urdhrin që përcakton datat e fillimit dhe mbarimit të vitit akademik 2017- 2018, për institucionet e arsimit të lartë. Në urdhrin e ministres thuhet se viti akademik fillon më 16 tetor 2017 dhe mbaron në 30 shtator 2018. Në urdhër, përcaktohen edhe pushimet e dimrit, që do jenë gjatë periudhës 25 dhjetor 2017 deri 5 janar 2018.
Sigal