Universitetet pajisin pedagogët me tituj fallco

2410
Ministria e Arsimit, në ndjekje të denoncimeve të shumta, të dërguara në “postën” e saj, ka “vërsulur” një ekip kontrolli në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, me objekt hetimin e gjithë procedurave dhe dosjeve të pedagogëve të rinj e të vjetër, të pranuar në këtë universitet me e pa konkurs, me kontratë të përkohshme e të përhershme, me “CV” karriere reale e me letra fallco, me lidhje nepotike e interesash, me blerje vendi pune tek drejtuesit e universitetit, me urdhra e pazare “jep e merr” me shtetarët. Ekipi i Ministrisë së Arsimit, sipas informacioneve dhe “dosjes speciale” që ka investiguar e disponon edhe gazeta “Telegraf”, do të ketë “volum pune” të madh e të shumëllojshëm lidhur me abuzimet që janë bërë në këtë universitet, deri tek blerjet e kovave e fshesave dhe “CV” e punësimit të pastrueseve. “Sita” e kontrollit të ministrisë do të përqendrohet së pari, në verifikimin e titujve e gradave shkencore, të akorduara nga ky universitet për pedagogët që kanë qenë e janë pjesë të trupës mësimore universitare, por edhe për të tjerë që kanë ardhur në “rrugë” të ndryshme nga jashtë këtij universiteti e janë graduar.

 Po kështu, pjesë kryesore e hetimit do të jenë pozicionet drejtuese të çdo pedagogu për çdo nivel drejtimi të këtij universiteti, ballafaquar ky hetim në raport me ligjin për gradat e titujt shkencor, qoftë të siguruar edhe me konkurrim, por në shelje të procedurave ligjore të futjes në konkurrim! Hetimi mbi “letrat” e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit , përbën startin i një procesi që do të përfshijë të gjithë universitetet shtetërore në Shqipëri, deri edhe filialet e tyre në rrethe. Skandali i denoncuar në Ministrinë e Arsimit në Universitetin e Elbasanit, ka lidhje me faktin abuziv që 7 pedagogë të Fakultetit Ekonomik të këtij universiteti, kanë “fituar” gradën “Profesor i Asociuar” vetëm 2 muaj përpara se të shpalleshin zgjedhjet për postin e Rektorit në këtë universitet. Është rastësi rutinore, apo skenar i qëllimshëm, për të kapur atë post, ose poste dekani? Sipas verifikimeve të bëra, pedagogët e graduar “Profesor i Asociuar” janë Marsida Ranxha, Enada Krypa, Altin Idrizi, Shpëtim Çerri, Arbër Gjeta, Rezarta Tahiraj dhe Imelda Sejdini, të gjithë pedagogë të Fakultetit Ekonomik. Ky gradim “në grup”, në fakt është bërë vetëm për një person, por është inskenuar në grup, për të maskuar qëllimin se përse është bërë realisht dhe për cilin nga pedagogët është bërë.

 Sipas letrës që është dërguar tek Ministrja Lindita Nikolla dhe një kopje si denoncim në prokurorinë lokale, ky gradim “kolektiv” është bërë enkas për të futur në lojën e kandidimit për Dekane të fakultetit Ekonomik të Universitetit të Elbasanit, pedagogen Imelda Sejdini, vajzën e kryebashkiakut të Elbasanit. Kjo pedagoge, “nën përkujdesjen e plotë proceduriale” të rektorit aktual të këtij universiteti, do të kandidoj dhe ka kohë që “po punon” të fitoj postin “Dekane e Fakultetit Ekonomik” në Universitetin e Elbasanit. Edhe nxitimi për t’u graduar “profesore e Asociaur” vetëm 2 muaj përpara shpalljes së garës së posteve drejtuese në universitet, dëshmon qartë për këtë “punë” që “profesore” Imelda Q. Sejdini ka nisur e po bën intensivisht dhe me skenar të paramenduar imtësisht e shkresërisht, për ta fituar postin e e lakmuar të Dekanes. Se me çfarë cilësish aftësie është futur si pedagoge në universitet “profesorja” Imelda Sejdini, kjo mund të verifikohet nga dosja pranuese. Ajo që stonon dhe quhet abuzim i rëndë i drejtuesve të lartë të universitetit Elbasanit në rastin e gradimit të 7 pedagogëve me titullin “Profesor i Asociuar”, ka lidhje me skenarin për të katapultuar në garën dhe fitoren për postin “dekane Ekonomiku” vetëm të shtatën e listës.

 Gazeta “Telegraf”, sipas një bisede që zhvilloi me drejtues të Arsimit të Lartë të Ministrisë së Arsimit, konfirmoi shkeljen e rëndë që është bërë në rastin konkret të këtij “gradimi kolektiv”, mbasi sipas ligjit për dhënien e titujve e gradave shkencore dhe të kompetencave e të drejtave që kanë universitetet në Shqipëri, rezulton se Universiteti i Elbasanit nuk ka “tagër” as ligjor e as si rregullore të brendshme që të jap tituj “Profesor i Asociuar” në Ekonomi, mbasi në universitetin e Elbasanit nuk ka strukturë për trajtime, trajnime e gradime doktorale në Ekonomi. Kjo mungesë strukture, ndalon kategorikisht me ligj çdo strukturë drejtuese sipërore të emëruar e të zgjedhur të Universitetit të Elbasanit, që të lejoj e pranoj procedura për këto gradime e të jap titull “Profesor i Asociuar” për pedagogë të Fakultetit Ekonomik. Mirëpo ja që prej drejtuesve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Elbasanit dhe prej vetë drejtuesve të këtij universiteti ëshët bërë hapur kjo shkelje e rëndë e ligjit për dhënien e titujve e gardave shkencore. Ky fakultet dhe ky universitet, si të ishte biznes privat (siç trajtohet prej vitesh në provime e punësime), ka shkelur ligjin duke i dhënë titullin “profesor i Asociuar” vajzës së kryebashkiakut të Elbasanit, maskuar me gradimit e qëllimtë të 7 pedagogëve të Fakultetit Ekonomik të këtij universiteti, tituj këta që ligjërisht janë të pavlefshshëm, paçka se kartonët janë futur në “xhepa” e janë pasqyruar nëpër “CV” e tyre për karrierë dhe pagesa të larta në bordero. Ligji për titujt dhe gradat shkencore, parashikon që aplikimi për titullin “Profesor i Asociuar” bëhet me dosje të detajuar e të plotë deri në marrjen e titullit. Sipas ligjit, titulli “Profesor i Asociuar” lëshohet nga fakulteti ku bën pjesë pedagogu në rast se e ka këtë të drejtë ligjore si institucion dhe firmoset nga Rektori. Në rastin konkret, titullin “profesore” për Imelda Sejdinin e ka lëshuar Fakulteti Ekonomik, të cilit ia ndalon ligji ta jap këtë titull, mbasi Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Elbasanit nuk ka strukturë për doktoraturë ekonomike. Ndërsa po sipas ligjit, këtë titull e ka firmosur Rektori i Universitetit të Elbasanit, zoti Varroshi, i cili për vajzën e kryebashkiakut të Elbasanit ka guxuar e ka shkelur ligjin duke “e nxjerr të vdekurin nga varri” dhe ka firmosur titullin “Profesore e Asiocuar”, megjithëse e di mirë që këtë dhënie titulli nga fakulteti Ekonomik në Elbasan e ndalon ligji, sipas të cilit ky fakultet as nuk mund të pranojë e jo më të jap tituj të tillë e për më tepër që edhe vet rektori nuk ka të drejtë të firmos tituj “copa kartoni” që nuk kanë as vlerën e abonesë së autobusit që lëshon bashkia e Elbasanit. Kjo shkelje ligjore ka detyruar Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve të bllokojë dhe të mos shpallë legalizimin e 7 titujve shkencorë, të mos i miratojë ato e të nis drejt Universitetit të Elbasanit, një ekip kontrolli pavarësisht se dje, u shpall zyrtarisht edhe dita e parë e fushatës zgjedhore universitare në Elbasan. 
Pedagogët e shpërfillur të Elbasanit kanë zbuluar skenarin “Sejdini” dhe kërkojnë anulimin e këtyre titujve antiligjor e fallco
Mësohet, se indinjata dhe denoncimi i dhjetëra pedagogëve, që edhe pse kanë vite që kanë mbushur me kualifikime e punime reale dosjet e tyre, edhe pse kanë vite eksperience në detyrë, sërish po vazhdojnë të persekutohen dhe nuk po u jepet grada shkencore! Pedagogët që denoncojnë gradimin e 7 kolegëve të tyre, kërkojnë nga MAS rikthimin e procesit të përshpejtuar, pasi ka plotësisht prapavijë politike dhe denigron shumicën e cila ka merita të padiskutueshme. Pedagogët denoncues kërkojnë nga MAS të ndalet në nxjerrjen e përgjegjësive për cilindo që ka miratuar, firmosur dhe vulosur në kundërshtim me ligjin për “Arsimin e Lartë”, gradimin e 7 kolegëve të tyre si Prof. As. Kjo pasi ka prej tyre që nuk kanë as kontribute, as vjetërsinë në punë, as rezultate në asnjë kërkim shkencor, as notat universitare, dhe më e rëndësishme është fakti se ata janë pjesë e fushatave të Rilindjes, ç’ka i implikon ata politikisht. Marrja e pamerituar e gradave të tilla sikurse është Prof. As, ka përfitimet e veta, duke nisur nga marrja e posteve të pamerituara në fakultete dhe Rektorat, e duke përfituar tek rritja goxha e rrogës mujore. Vetëm në vitin e fundit, nga Universiteti i Elbasanit u dhanë 3 herë më shumë grada shkencore mbi normën e përcaktuar nga MAS, duke bërë profesorë e doktorë motra, vëllezër, fis, nipër, mbesa, dajo, xhallarë, teze, halal, krushq, kunata e ortakë biznesesh. Duket si një garë e cila fillimisht nuk dihej sepse bëhej, por shumë shpejt u zbuluan edhe lidhjet familjare, farefisnore, miqësore e klienteliste, të cilat janë “kriter” kryesore në këtë garë, natyrisht duke shkelur ligjin. Pedagogët e shpërfillur të Elbasanit kanë zbuluar skenarin “Sejdini” dhe kërkojnë anulimin e këtyre titujve antiligjor e fallco.
Ja kriteret dhe procedurat për titulli “Profesor i Asociuar” 
Titulli “Profesor i Asociuar” (Prof.Asoc.) u jepet anëtarëve të personelit akademik, të cilët kanë fituar gradën shkencore “Doktor”
Kanë, së paku, tre vjet përvojë në mësimdhënie (së paku, pesë vjet për lektorët e ftuar) dhe gëzojnë aftësi të mirë mësimdhënëse. Titulli “Docent” nuk është parakusht për kërkimin e titullit “Prof.Asoc.”; 
Kanë realizuar, pas doktoratës, së paku, 8 referime të shkurtra ose paraqitje (postera) në konferenca dhe kongrese shkencore, nga të cilat, së paku, pesë duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), ku punimet janë pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe janë botuar në “Proceedings”; 
Një monografi shkencore, e botuar si autor i parë, në gjuhë të huaj, që mban numër ISBN-je, vlerësohet e barabartë me deri 6 artikuj shkencorë. Një monografi shkencore, e botuar si autor i parë, në gjuhën shqipe që mban numër ISBN-je, vlerësohet e barabartë me deri 4 artikuj shkencorë, të botuar brenda vendit. 
Komisioni vlerësues harton një raport përfundimtar vlerësues për veprimtarinë botuese dhe aftësitë pedagogjike të kandidatit/es, të cilin ia paraqet KPsë, së bashku me rekomandimin për dhënien ose jo të titullit; 
Dekani i fakultetit organizon një leksion të hapur përurues, ku i dorëzohet kandidatit/es diploma “Prof.Asoc.”. “Diploma “Prof. Asoc.” nënshkruhet nga dekani e rektori, vuloset me vulë të thatë, pasi është regjistruar në regjistrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të universitetit.”.
Sigal