Universitetet, mes 4 institucioneve më të korruptuara

574
Korrupsioni në universitete dhe roli i pedagogëve

Këshilli Rinor i ambasadës së SHBA në Tiranë investigon gjendjen e arsimit të lartë 
Raporti i Këshillit Rinor të ambasadës amerikane ka renditur disa gjetje lidhur me gjendjen e arsimit të lartë dhe korrupsionin në universitete. Në përmbledhje ky raport interpreton me anë të sondazhit këto gjetje:
1 – Pjesa dërrmuese e studentëve të Universitetit të Tiranës mendojnë se kemi të bëjmë me një rast aspak të përshtatshëm dhe aspak të justifikuar kur “pedagogu pranon dhuratë a ryshfet nga studenti” (mbi 90% e tyre shprehen se një situatë e tillë nuk është aspak e përshtatshme). Përkrah kësaj dhe në ngjashmëri, rreth 84% e të anketuarve shprehen se nuk janë aspak dakord me pohimin “është e përshtatshme që studenti të japë dhuratë apo para pedagogut”. Në këtë mënyrë, me një dallim fare të vogël, studentët e Universitetit të Tiranës “dënojnë” ashpër si marrësin (pedagogun) ashtu edhe dhënësin (studentin) në një situatë korruptive.

2 – Të dhënat e sondazhit tregojnë se studentët me mesatare të ulët (nën notën 7) janë të prirur të “tolerojnë” më shumë se shokët e tyre rastet që paraqesin situata korruptive.

3 – Rreth 18% e studentëve të Universitetit të Tiranës janë plotësisht dakord me të paktën njërën nga situatat abuzive që janë parashtruar. I njëjti tregues ose njohur ndryshe si Indikatori i ndërgjegjësimit të korrupsionit merr vlerën më të madhe në rastin e Fakultetit të Histori-Filologjisë (28%) dhe më pas vjen Fakulteti i Shkencave Sociale (20%), ndërkohë Fakulteti Juridik dhe ai i Gjuhëve të Huaja arrijnë nivel të njëjtë në masën 14%. Studentët e Fakultetit të Ekonomisë arrijnë në 18%.
4 – Pjesa më e madhe (71%) e studentëve të Universitetit të Tiranës deklarojnë se do të përpiqeshin në maksimum (pa ndërhyrje të tjera) për të marrë provimin edhe pse mund të mos e kalojnë atë.

5 – Gati një në dy studentë zotohet se do e raportonte nëse do të përballej me një veprim korruptiv, madje një numër i vogël prej 3% shprehen se e kanë raportuar në të kaluarën. Nga ana tjetër, rreth 13% e të anketuarve shprehen se nuk do të raportonin nëse do të përballeshin me një veprim të tillë. Pjesa më e madhe e atyre që shprehin rezerva në raportimin e një rasti korruptiv (42%) thonë se raportimi i një rasti të tillë në fakultet nuk do të ishte efektiv, pra do të ishte pa rezultat. Ndërkohë rreth 1 në 3 studentë (33%) deklarojnë se “kanë frikë nga raportimi pasi ndihen se nuk do të mbroheshin nga askush”. Vihet re se studentët që shkollën e mesme e kanë përfunduar në qarqe të tjera (jo Tiranë) janë më të shumtë (35%) që reflektojnë frikë nga raportimi sesa ata që kanë një diplomë të shkollës së mesme e cila gjendet në Tiranë (29%).

6 – Nga gjetjet e anketës rezulton se mazhoranca e studentëve (59%) pajtohen plotësisht me pohimin sipas të cilit në Shqipëri është përgjithësisht e pranueshme se “të rinjtë në Shqipëri mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe të promovojnë integritetin dhe ndershmërinë aty ku jetojnë”. Sa i takon pohimit se “ryshfeti, nepotizmi, favoritizmi, klientelizmi janë shumë të rrënjosura në Shqipëri ndaj dhe të rinjtë nuk mund ta ndryshojnë këtë”, gati gjysma (47%) e studentëve e kundërshtojnë si shprehje përgjithësisht të pranueshme në Shqipëri. 
7 – Tre në katër studentë të anketuar shprehen plotësisht dakord me pohimin se korrupsioni është një problem i madh për vendin tonë, Shqipërinë. Më shumë se gjysma e studentëve të Universitetit të Tiranës e shohin korrupsionin si një problem të madh dhe pengues për rininë në Shqipëri dhe familjet e tyre (përkatësisht, 62% dhe 52%). 

8 – Pjesa dërrmuese e tyre (85%) rendisin sistemin arsimor në tërësi si faktorin më të rëndësishëm në këtë kontekst për të luftuar korrupsion në shoqërinë shqiptare. Studentët e Universitetit të Tiranës i japin rol dhe njëherësh përgjegjësi të madhe sistemit arsimor në tërësi, medias dhe udhëheqësve politikë në luftën kundër korrupsionit në shoqërinë shqiptare. Ata besojnë se këta aktorë janë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

9 – Për 43% e të anketuarve në fakultetin e tyre ekziston korrupsioni. Forma më e përmendur e ndërhyrjes në mënyrë abuzive nga studentët është ajo përmes të tretëve, qofshin familjarë apo të afërm dhe më pas është forma e ryshfetit.
10 – Mbi përvojën personale të studentëve, pjesa më e madhe e rasteve abuzive në fakultet kanë të bëjnë me favorizimin lidhur me vlerësimin për lëndën (64%). Në rend të dytë vjen marrje e lëndës pa frekuentim.

11 – Forma më e përmendur e presionit të përdorur nga pedagogët gjatë periudhës së sezonit është ajo e “presionit psikologjik”, nga ku studentët marrin shumë ankth dhe pasiguri.
12 – Me një diferencë fare të pandjeshme, studentët perceptojnë si më të korruptuarin sistemin gjyqësor, qeverinë dhe opozitën (87 dhe 86 pikë) së bashku me sistemin e shëndetësisë (84 pikë). Më tej me 76 pikë renditet sistemi i arsimit në tërësi, me një diferencë nga sistemi gjyqësor prej 11 pikëve më pak. Indikatori i korrupsionit thekson se me përjashtim të vetes së tyre, studentët e Universitetit të Tiranës perceptojnë një nivel të lartë korrupsioni për të gjithë dimensionet dhe personalitet e paraqitur, ku çdo vlerësim kapërcen mesin e shkallës së indikatorit.
13 – Krijimi i një portali apo aplikacioni ku studentët apo kushdo tjetër mund të raportojë fakte lidhur me rastet abuzive është mënyra më e përmendur nga studentët (53%) kur shtrohet çështja e zgjidhjes së problemit të korrupsionit në fakultetin ku studiojnë.
14 – Në përgjithësi gati tre në katër studentë (75%) ose kanë pak ose aspak informacion për kuadrin ligjor shqiptar dhe detyrimet ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit.
15 – Gati 13% e studentëve të Universitetit të Tiranës deklarojnë se Kodi i Etikës nuk respektohet në fakultetin e tyre, për më shumë rreth 5% e studentëve thonë që Kodi i Etikës jo vetëm që nuk respektohet por ai nuk ekziston në fakultetin e tyre. Pjesa tjetër shprehet se kodi i etikës ose respektohet me raste (58%) ose që respektohet plotësisht (24%). Në këtë kontekst, studentët e nivelit bachelor janë më të shumtë që mendojnë se Kodi i Etikës respektohet plotësisht krahasuar me studentët e nivelit master.
16 – Rreth gjysma e studentëve të Universitetit të Tiranës deklarojnë se nuk kanë informacion, nëse ka një zyrë përkatëse në fakultet ku mund të drejtohen kur vërejnë një sjellje korruptive. Megjithatë, më shpesh studentët përmendin “përgjegjësin e departamentit ku ndodh shkelja” (37%) si vendin ku do të trokisnin për herë të parë kur duan të raportojnë një sjellje korruptive.
Synimi i raportit
Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane në Shqipëri prezantoi raportin e Projektit ”Lufta Kundër Korrupsionit në Arsimin e Lartë në Shqipëri”. Ky projekt u realizua në bashkëpunim me Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare me mbështetjen financiare nga Programi për Grante të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Për më shumë se një vit në kuadër të këtij projekti u realizuan aktiviteteve me studentët e 5 Fakulteteve pilot, të cilët u bënë pjesë e këtij studimi. Qëllimi i këtij studimi është të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në universitete dhe ka këto objektiva: Të bëjë një përshkrim të situatës së korrupsionit në Universitetin e Tiranës; të bëjë dallimin dhe të qartësojë kuptimin e korrupsionit nga studentët; të raportojë indeksin e ndërgjegjësimit dhe atë të perceptimit korrupsionit në universitete duke u mbështetur te opinioni i studentëve; të nxjerrë në pah dallimet që kanë faktorët të ndryshëm mbi perceptimin e korrupsionit; të nxis debatin mbi korrupsionin në universitet dhe të ndihmojë në politikat kundër korrupsionit në universitet. Në këtë raport prezantohen shkurtimisht gjetjet kryesore të studimit. Më pas trajtohet qasja metodike e këtij studimi, ku shpjegohen në hollësi aspekte të rëndësishme mbi mbledhjen e të dhënave dhe të pyetësorit. Analiza dhe interpretimi i gjetjeve është seksioni ku raportohen dhe interpretohen gjetjet e këtij studimi duke u mbështetur tek të dhënat e mbledhura dhe duke zbatuar qasjen e shpjeguar te vështrimi metodik i punimit. Ky seksion finalizohet me një vështrim përmbyllës të studimit. Materiali ka edhe një shtojcë ku prezantohemi shkurtimisht me diskutime dhe analiza të zhvilluara nga studiues të ndryshëm për fenomenin e korrupsionit në universitete dhe prezanton gjetjet kryesore të tyre.
Sigal