Universitetet, kalendari i aplikimit online sipas rretheve

1434
Agjencia Kombëtare e Provimeve publikuar datat në dispozicion të maturantëve dhe ndarjen sipas drejtorive arsimore
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar kalendarin e aplikimeve për raundin e parë të procesit të pranimit në shkollat e larta. Plani kalendar i aplikimit online me formularin e pranimit në institucionet e arsimit të lartë parashikon të gjitha datat në bazë të drejtorive arsimore, të ndara për rrethet përkatëse. Gjithçka do të nisë nga data 20 korrik për të përfunduar më 27 korrik, ndërsa datat 28 dhe 29 korrik janë lënë rezervë.

Dje ka qenë data e fundit e mundshme, që Qendra e Shërbimeve Arsimore kishte në dispozicion për t’iu përcjellë shkollave të mesme përllogaritjen e notës mesatare sipas vendimit të qeverisë. Maturantët duhet të dorëzojnë në shkollën ku kanë kryer plotësimin e formularit A1/A1Z mandatin e pagesës së kryer. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave hedhin në Portalin e Maturës Shtetërore online notën mesatare të llogaritur nga QSHA, në zbatim të VKM-së. 

Aplikimet do të nisin nesër për ata që duan të ndjekin shkollat e larta. Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, të gjithë maturantët/kandidatët për ndjekjen e studimeve në institucionet e arsimit të lartë, publike dhe jopublike, në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në Portalin Matura Shtetërore online. Maturantët, përpara aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2 mijë lekë në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, sipas faturës së publikuar. 

Sipas udhëzimit, në periudhën 20-29 korrik 2017 të gjithë maturantët/kandidatët që duan të ndjekin studimet në IAL, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në Portalin e Maturës Shtetërore online, nëpërmjet formularit të aplikimit. Aplikimi kryhet për çdo DAR/ZA. Aplikimi kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti, sipas procedurave përkatëse. Maturantët/kandidatët aksesohen në portal me kredencialet e tyre: ID e kandidatit, emri, atësia, mbiemri, karta e identitetit, email i kandidatit, etj. “Kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit, që ofrohen nga IAL-të publike/jopublike, për vitin akademik 2017-2018”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë.

Portali i Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga maturantët/kandidatët, të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me VKM për programet e ciklit të parë të studimeve dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë. 
Sigal