Universitetet, afati 48-orësh “bllokon” aplikantët

647
Ende numër i ulët regjistrimesh nga aplikantët fitues, të cilët presin degët e preferuara. Flasin Dhori Kule dhe Arben Malaj
Prej dy ditësh vijojnë regjistrimet në sekretaritë e universiteteve, qofshin këto publike apo private. Gjatë dy ditëve është vënë re se numri i maturantëve fitues që kanë shkuar për t’u regjistruar ka qenë i ulët, kjo për arsye pasi shumë maturantë ende presin të fitojnë degën e preferuar. Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, tha për gazetën “Telegraf” se maturantët nuk duhet t’i zërë paniku, pasi të gjithë do të regjistrohen. Ai sqaron duke thënë se edhe nëse maturanti e sheh veten tek vendi i 2000-të nuk duhet të trembet, sepse është fitues njëkohësisht në degët e këtij fakulteti dhe në fakultetet e tjera. “Panikun e krijon edhe një pikë tek rregullorja, e cila thotë se nëse maturanti nuk regjistrohet brenda 48 orëve humbet të drejtën e studimit ku shpallet fitues. Kjo pikë ka një defekt, pasi investimi i maturantëve dhe i prindërve të tyre ju merret brenda 48 orëve”, ka thënë Kule. Dekani ka deklaruar edhe më parë se edhe maturantët me mesatare 7.5 duhet të rrinë të qetë, sepse do të bëhen pjesë e fakultetit. Për sa i përket fazës së dytë të regjistrimit mbeten në dispozicion më shumë se 1000 vende të lira, çka i jep mundësi maturantëve të fitojnë preferencën e tyre të parë. Ai ka theksuar se nuk ka vend për panik, pasi edhe sikur këto vende të plotësohen dhe të mbeten studentë pa u regjistruar, do të shtohet numri i kuotave, duke i siguruar mundësinë çdo maturanti për të vazhduar studimet në Fakultetin Ekonomik. “Në raundin e dytë nëse do evidentojmë studentë të mirë që nuk janë regjistruar, ne do ndërhyjmë në përputhje me ligjin. Të dashur maturantë, ne kemi të drejtën vendimmarrëse të shtojmë kuotat. vendimet i marrim ne, nuk do t’i lëmë pa i marrë studentët e mirë vetëm mos ikni”, tha Kule për mediet. Sipas tij, aplikantët duhet të jenë të qetë dhe të mos marrin vendime të nxituara. “Në Fakultetin e Ekonomisë i kanë mundësitë të gjithë ata që janë pas. Të gjithë ata që mund të jenë në nr rendor 2000, 2200, të jenë të sigurt që janë fitues”, tha dekani.

Nga ana tjetër rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Arben Malaj, ka thënë se ky vit ka sjellë pritshmëri pozitive, sepse studentët që kanë zgjedhur këtë shkollë të lartë janë të shumtë. Malaj ka thënë se si staf akademik synojnë që çdo student të gjejë një ambient ndryshe, qoftë në aktivitete apo leksione të hapura me profesorët dhe studiuesit më të mirë. Universiteti i ofron studentëve, të cilët vijnë për herë të parë, por edhe atyre që janë ekzistentë, mundësi në rritje ku ata identifikohen si ekspertë të ardhshëm. Sipas rektorit, studentët i kanë kuptuar standardet dhe fasilitetet që universiteti ofron duke bërë që ata të cilët e kanë zgjedhur të jenë të shumtë.

Procesi i regjistrimit në fazën e parë do të mbyllet më 11 shtator, kur mbarojnë edhe 7 raundet 48-orëshe në dispozicion të aplikantëve. Këtë vit, aplikantët fitues do të kenë edhe të drejtën e çregjistrimit, ndërsa vija e kuqe e fituesve do të spostohet në mënyrë automatike për t’u dhënë mundësi hyrjeje në shkollën e lartë edhe maturantëve me renditje më të dobët. 
Sigal