‘Unë të zhduk ty dhe çadrën! Dil në ballkon bëje plazhin’, privati zapton hapësirat publike në Durrës

613
Sigal

Pushuesit këtë verë e kanë shumë të vështirë të gjejnë hapësira publike në plazhin e Durrësit, madje edhe vetë banorët e këtij qyteti.“Hapësirë për këta që kanë hotelet ka, se i kanë zënë, por për ne si durrsakë s’ka asnjë vend. Çdo gjë është e privatizuar, sepse këta paguajnë lekë dhe e kanë rregulluar me shtetin”, është shprehur një qytetar për emisionin “Stop” në televizionin Klan. Shqetësimi për mungesën e plazheve publike është shumë i fortë për qytetarët e Durrësit, të cilët shprehen se nuk kanë mundësi ekonomike për të paguar subjektet private dhe pavarësisht se gjenden shumë pranë bregdetit nuk munden dot ta shijojnë atë. Në këtë episod të emisionin “Stop”, u fol edhe për një konflikt që kishte ndodhur pranë pistës “Kosova” mes qytetarëve dhe subjekteve private për sa i përket hapësirave publike. “Ne gjithmonë na kanë lëvizur! Flasin ndryshe e veprojnë ndryshe! Nga Ura e Dajlanit e deri këtu nuk ke 1 metër katror plazh publik”, u shpreh i revoltuar një banor. “Do veja çadrën, erdhi ai i lokalit dhe më tha: “Unë të zhduk ty dhe çadrën! Dil në ballkon bëje plazhin!”, është shprehur një tjetër. Sipas vëzhgimit të gazetares së këtij emisioni, e vetmja hapësirë publike ishte në plazhin Iliria, ku ndotja paraqitet e theksuar. Zaptimi i hapësirave publike nga privatët është pranuar edhe nga përgjegjësi i Sektorit të Zhvillimit Urban në prefekturën e Durrësit, Jan Tati.“Jo, ka disa vende publike. Ne po shikojmë që plazhet private në disa vende e kanë tejkaluar zonën e tyre dhe për këtë do të ndërhyhet. Do të merren masa që të ketë plazh publik”, tha përgjegjësi Tati.